Pse foshnja ime nuk po fiton peshë mjaftueshëm?

0 0

Shumica e foshnjave që ushqehen me gji pijnë qumësht mjaftueshëm dhe fitojnë peshë sipas një modeli të qëndrueshëm dhe të pritshëm. Por, çfarë ndodh nëse fëmija juaj nuk po fiton peshë sipas pritshmërive të përgjithshme?

Nëse jeni duke e ushqyer me gji dhe foshnja juaj është duke fituar peshë ngadalë ose në mënyrë jo të qëndrueshme atëherë ka shumë mundësi që ai nuk po pi mjaftueshëm qumësht gjiri.

Të sapolindurit që ushqehen me gji mund të humbasin deri në 10% të peshës së tyre të lindjes gjatë javës së parë. Pastaj, deri në kohën kur një fëmijë mbush dy javë, ai duhet të rifitojë peshën e humbur. Pas kësaj, për tre muajt e ardhshëm, foshnjat me gji fitojnë rreth 30 gramë në ditë.

Natyrisht, çdo i porsalindur është i ndryshëm dhe disa fëmijë normalisht rriten më ngadalë se të tjerët. Pra, përderisa fëmija juaj është duke u ushqyer me gji dhe në vizitat që keni bërë në kujdesin shëndetësor nuk janë shfaqur probleme, shtimi në peshë nuk duhet t’ju shqetësojë.

Kur fitimi i ngadaltë i peshës është një problem

Fitimi apo shtimi në peshë është shenja më e mirë që një fëmijë po pi mjaftueshëm qumësht gjiri. Kur një fëmijë po fiton peshë më ngadalë sesa pritej, kjo mund të nënkuptojë që sasia e qumështit që pi bebi, nuk mjafton. Pra, nëse i porsalinduri juaj nuk po fiton peshë në mënyrë graduale, mund të ndodhë si pasojë e një problemi gjatë ushqyerjes me gji, që nuk po e lejon fëmijën tuaj të ushqehet mjaftueshëm.

Arsyet pse fëmija juaj nuk mund të fitojë peshë

  • I porsalinduri juaj nuk po përshtatet dot me gjirin. Duke u kapur mirë pas gjirit të nënës fëmija mund të pijë qumështin pa u lodhur. Por nëse ai nuk përshtatet mirë nuk do të arrijë të ngopet me qumësht.
  • Nuk ushqehet me gji shpesh. Një i porsalindur duhet ushqyer me gji të paktën në çdo dy deri në tre orë gjatë ditës dhe natës për gjashtë deri në tetë javët e para. Nëse ai dëshiron të ushqehet me gji më shpesh, vendoseni përsëri në gji.
  • Foshnja nuk po pi mjaftushëm në secilin gji. Të sapolindurit duhet të ushqehen me gji për rreth 8 deri në 10 minuta në secilin gji. Kur fëmija juaj të rritet, ai nuk do të ketë nevojë të qëndrojë kaq gjatë për të pirë qumështin e gjirit që i nevojitet, por gjatë javëve të para përpiquni ta mbani zgjuar që të thithë në mënyrë aktive për aq kohë sa të mundeni.
  • I vogli juaj ka dhimbje. Nëse fëmija juaj nuk është rehat për shkak të një dëmtimi gjatë lindjes apo të një infeksioni në vesh etj, ai nuk mund të ushqehet mirë me gji dhe prandaj mund të jetë duke fituar peshë ngadalë.
  • Ju nuk prodhoni mjaftueshëm qumësht gjiri. Një prodhim i ulët i qumështit mund të parandalojë fëmijën tuaj që të ngopet me qumësht gjiri. Nëse keni pak qumësht mund ta plotësoni me mënyra të tjera, si qumështi  pluhur.

A kanë disa fëmijë më shumë gjasa të kenë vështirësi në fitimin e peshës?

Ndërsa shumica e të sapolindurve dhe foshnjave do të ushqehen me gji mirë dhe do të fitojnë peshë, disa foshnja kanë më shumë gjasa të kenë vështirësi në ushyqerjen me gji. Kur një fëmijë ka vështirësi për të pirë qumësht, shanset për t’u rritur dhe për të fituar peshë janë më të ngadalta. Ja disa nga situatat kur fëmija mund të ketë një fitim më të ngadaltë në peshë.

  • Fëmijët e lindur para kohe. Foshnjat më të vogla ose ato të lindura para se të plotësojnë 37 javë mund të mos kenë forcën ose energjinë për t’u ushqyer me gji dhe për të marrë të gjithë qumështin e gjirit që kanë nevojë. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të jenë të përgjumur dhe të përjetojnë probleme shëndetësore si verdhëza apo dehidratimi, të cilat e bëjnë ushqyerjen me gji më të vështirë.
  • Foshnjat e sëmura: Foshnjat me sëmundje ose infeksion nuk mund të ushqehen mirë. Ato mund të humbin peshë sidomos nëse kanë diarre ose vjellin.
  • Ushqyerje me çrregullime: Nëse një fëmijë ka një gojë të vogël ose një nënë ka thitha të mëdha, fëmija mund të mos jetë në gjendje ta kapë gjriin. Është gjithashtu e vështirë për një fëmijë ta kapë gjirin nëse nëna e tij ka gjinj të fortë dhe të dhëmbëzuar.
  • Të sapolindurit e një nëne që prodhon pak qumësht gjiri. Kur një nënë përjeton një vonesë në fillimin e prodhimit të qumështit, foshnja e saj rrezikohet të mos pijë mjaftueshëm.
  • Bebet me verdhëz: Të sapolindurit me verdhëz mund të kenë një ngjyrë të verdhë në lëkurën e tyre. Verdhëza mund t’i bëjë foshnjat shumë të përgjumur dhe jo të interesuar në ushqyerjen me gji.
  • Fëmijët me refluks: Foshnjat me refluks vjellin pas ushqimit. Jo vetëm që ata humbasin një sasi të ushqimit që marrin, por aciditeti nga refluksi mund të irritojë fytin e tyre dhe ezofagun duke e bërë të dhimbshme ushqyerjen me gji.

Duhet të merrni një peshore të vogël për të peshuar fëmijën tuaj në shtëpi?

Për disa nëna, një peshore fëmijësh në shtëpi mund të ndihmojë në lehtësimin e ankthit që vjen me ushqyerjen me gji të një foshnje që po fiton peshë ngadalë. Megjithatë, do t’ju bëjë të ndiheni më mirë nëse keni një peshore të saktë dhe kur dini se si ta përdorni atë.

Një peshore mund të jetë një mjet i dobishëm për të matur se sa qumësht gjiri pi fëmija, por peshimi që i bëni ju në shtëpi nuk zëvendëson vizitën tek mjeku. Ajo mund të shërbejë si një mënyrë shumë e mirë për të punuar së bashku me mjekun dhe për t’u siguruar që fëmija juaj po fiton një peshë të shëndetshme.

Çfarë mund të bëni nëse fëmija juaj po fiton peshë ngadalë?

  • Vizitojeni fëmijën sa më shpejt të jetë e mundur. Mjeku do të shqyrtojë, masë dhe peshojë fëmijën tuaj.
  • Sigurohuni që fëmija juaj të kapet pas gjirit tuaj në mënyrë korrekte. Ju mund të kërkoni ndihmë nga dikush që ka përvojë në dhënien e gjirit, nga mjeku juaj, një konsulent për gjidhënien, ose nënat e tjera.
  • Ushqeni me gji fëmijën tuaj çdo dy deri në tre orë dhe kur ai nuk tregon shenja të urisë. Ushqyerja me qumësht formule nuk është njëlloj si me qumësht gjiri. Qumështi i gjirit është më i lehtë për t’u tretur, dhe prandaj foshnjat me gji duhet të pinë më shpesh.
  • Mos e përdorni biberonin katër deri në gjashtë javët e para. Nëse fëmija juaj thith një biberon në vend gjirit, ai nuk do të pijë mjaftueshëm qumësht. Biberoni mund ta lodhë foshnjën. Vetëm pasi fëmija juaj është ushqyer me gji dhe ka fituar peshë mund t’ia ofroni biberonin.
  • Përpiquni ta mbani fëmijën në mënyrë aktive me gji për rreth 20 minuta në çdo vakt. Nëse keni një të porsalindur që fle, përpiquni ta mbani zgjuar duke i gudulisur këmbët, duke ndryshuar pozicionin tuaj të gjirit, duke ndryshuar pelenën e tij etj.
  • Nëse problemi është tek ju, se nuk prodhoni mjaftueshëm qumësht, merrni masa për të rritur sasinë e qumështit të gjirit. Përveç ushqyerjes me gji më shpesh, ju mund të përdorni pompat, për të stimuluar, të konsumoni disa ushqime që rrisin sasinë e qumështit.
  • Nëse mjeku i fëmijës tuaj mendon se është e nevojshme, mund të duhet ta ushqeni fëmijën tuaj me ushqime të tjera, si qumështi pluhur apo qumështi nga pompa.
  • Nëse keni një fëmijë të lindur para kohe, mund ta ushqeni me gji së pari, pastaj ofroni shtesë të formulës pas çdo vakti.

A duhet ta ndaloni dhënien e gjirit nëse foshnja juaj nuk po fiton peshë siç pritet?

Nëse fëmija nuk po fiton aq peshë sa duhet, ju nuk duhet të ndaloni dhënien e gjirit. Për sa kohë që është e sigurt për fëmijën tuaj, mund të vazhdoni t’i jepni gji duke u konsultuar me mjekun. Në varësi të situatës suaj, mund të vendosni se si do ta ushqeni.

Qëllimi është të keni një fëmijë të shëndetshëm që po rritet dhe po fiton peshë. Nuk është e thënë se duhet të ushqehet me gji ose vetëm me qumështin e nënës. Formula është një alternativë e sigurt dhe ju nuk duhet të ndiheni fajtore nëse keni nevojë ose zgjidhni ta përdorni atë.

Lexo edhe: Ja cilat jane ndryshimet midis nje bebe qe ushqehet me qumesht gjiri dhe me formule






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Kur ke një fëmijë në...

Nëse ti ke një fëmijë Ujor, ja cfarë duhet të dish..: UJORI (21 janar - 19 shkurt) Ky fëmijë do të jetë gjithmonë origjinal. Ai është një novator i lindur...

Emra mysliman per bebe

Tradicionalisht në komunitetin mysliman, foshnjave u vihet një emër në ditën e shtatë pas lindjes. Kuptimi i emrit është shumë i rëndësishëm. Myslimanët favorizojnë emrat që janë të virtytshëm dhe...

Qumështi i gjirit ndihmon zemrën...

Dihet prej kohësh që qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për të porsalindurin dhe për fëmijën deri në një vit e më tej, nëse është e mundur. Në...

Rritje e numrit të lindjeve...

Tashmë është demonstruar gjerësisht: pandemia Covid-19 ka pasur një sërë pasojash negative indirekte, përveç atyre më të njohura dhe të lidhura ngushtë me infeksionin. Midis tyre, ka gjithashtu një rritje...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X