Pse kam frikë pas vdekjes së nënës pas lindjes në Elbasan?

0 0

Thonë se nëna lind për së dyti kur sjell në jetë fëmijën e saj, por ky nuk ishte rasti i një 25-vjeçareje nga Elbasani.

Rexhina Debrova nuk e shijoi momentin më të bukur të jetës së saj pasi fati kishte përgatitur për të fundin e hidhur.

Për të renë u tha se pati komplikacione dhe humbi jetën pak orë pas lindjes së fëmijës ndërsa mjeku gjinekolog dhe kardiologu i spitalit u prangosën.

Ky ishte skenari i një ngjarjeje të përsëritur disa herë por që për çdo grua shtatzënë apo nënë të re lë një hije shqetësimi dhe frike për atë që e pret.

Nuk dua të merrem aspak me ekspertizën, autoritetet, policinë, protestën e kolegëve të mjekëve të përfshirë në këtë ngjarje etj. Këto janë pjesë e asaj që ngelet dhe që do dhe duhet të pasojë në çdo rast të humbjes së një jete.

Ajo që mua më shqetëson është siguria që do të kem nesër kur të shkoj në spital. Unë nuk dua t’ia di për politika, për Ministrinë e Shëndetësisë, për promovime apo për fushata që bëhen në funksion të një posti.

Por si qytetare e cila paguan çdo lloj takse e detyrime e nga ana tjetër sheh që ndodhin raste të tilla, kam të drejtë të kem pak siguri për shëndetin tim, apo të fëmijës që do të kem.

Shumëkush me të drejtë mund të thotë se shëndeti nuk është gjithmonë në dorë te mjekëve dhe se ndodhin kudo komplikacione të tilla që u marrin jetën edhe të rinjve si Rexhina.

Këtë e di që ndodh kudo, por çfarë do të ndodhte nëse komplikacione të tilla do të zgjidheshin me 100 mijë lekëshin që do t’i fusje në xhep mjekut?

Familjarët e së resë thanë se mjekët ishin të korruptuar (https://balkanweb.com/e-rende-ne-elbasan-gruaja-vdes-pas-lindjes-familjaret-akuza-mjekeve/)  dhe se qëllimisht kardiologu u vonua për të ekzaminuar atë. Kjo sigurisht që mund të mos jetë tërësisht e vërtetë por për sa kohë që çdo nënë e re apo grua shtatzënë shqetësohet për paratë që do të duhet të paguajë si ryshfet tek doktori (ndërkohë që shëndetësia thuhet se është falas), kjo tregon se puna e mjekëve në Shqipëri realisht është në varësi të parave që i fusim në xhep.

Mjekët thanë se e reja shkoi në urgjencë në javën e 42-të të shtatzënisë dhe kjo shkaktoi edhe komplikacionin në shëndetin e saj.

Problemi në të vërtetë nuk qëndron vetëm tek mjeku që rastisi të ishte në urgjencë, çështja është më komplekse se kaq. Kujdesi shëndetësor që i është dhënë kësaj gruaje nuk është vetëm punë e reanimatorit apo kardiologut. Këtu futet gjithë spitali, menaxhimi i urgjencës, organizimi i prezencës së specialistëve kur nevojitej shërbimi i tyre. Pse ngeli dy javë kjo grua? Pse e lanë të priste dy javë në shtëpi në rast se ishte në rrezik shëndeti i saj?

Ky është shqetësimi i nënave të ardhshme që presin të lindin, të cilat sot kanë shtruar kaq shumë pyetje rreth rastit të 25-vjeçares në pernenat.al.

E djeshmja do të jetë ndoshta dita më e dhimbshme e jetës së familjarëve të Rexhinës, e cila sakrifikoi jetën e saj për t’u bërë nënë, pa e ditur se sa do t’i kushtonte ky hap.

Dhimbja që gratë kalojnë në sallën e lindjes është e papërshkrueshme dhe jo vetëm prej 9 muajve që mbajnë fëmijën në bark. Ato kalojnë shumë për të sjellë në dritë jetën e re, e për këtë arsye kërkojnë vëmendje dyfish.

Mjekët dhe kujdestarët, të cilëve u besojmë jetën tonë, minimumi na detyrohen pak më shumë përgjegjësi në mënyrë që jeta jonë si nëna të mos përfundojë ende pa nisur.

Lexoni edhe: Cfare ndodh kur shtatzania juaj i kalon 40 javet?






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Lidhja me fëmijën tuaj pas...

Fëmija juaj i porsalindur është në kraharorin tuaj ndërsa derdhni lot gëzimi. Besojmë se e keni imagjinuar momentin kur fëmija juaj vjen në botë si momenti më i lumtur i...

A keni raste te familjarëve...

Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...

DIVO, për t’i bërë 1000...

Çdo ditë është e rëndësishme por 1000 ditët e para të jetës janë vendimtare pasi janë castet ku krijohen rrenjët, baza e zhvillimit të fëmijës tuaj por ndërkohë edhe modeli...

Kur ke një fëmijë në...

Nëse ti ke një fëmijë Ujor, ja cfarë duhet të dish..: UJORI (21 janar - 19 shkurt) Ky fëmijë do të jetë gjithmonë origjinal. Ai është një novator i lindur...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X