Te vecantat e nje 5-vjecari

0 0

Dëshira kryesore
Të rriten. Ata duhet të shkëputen nga mosha e të qenit fëmijë i vogël. Pëlqejnë të zgjedhin moshatarë “të denjë” në moshë dhe në aftësi, që të ndihen të zotë dhe të fortë si ata.
Në këtë moshë, fëmijët nuk pëlqejnë të luajnë me fëmijë më të vegjël dhe më të dobët, sepse nuk duan të ndihen të “lidhur” prej tyre. Zgjedhin shoqërinë me moshë më të madhe se veten, për t’u ndier pjesë e grupit të tyre. Është njësoj sikur mosha e tyre sfidon vetë kohën. Ndonjëherë kjo bëhet me ashpërsi dhe brutalitet, pas të cilit fshihet frika se mos nuk janë në nivelin e duhur.
Gjuha
E pasur dhe e rrjedhshme. Tani ajo më shumë përcjell dëshirat e tyre. Ata tani duhet të komunikojnë me të rriturit dhe të huajt, të cilët nuk i njohin nga afër, ashtu si prindërit.
Gjuha zhvillohet shumë shpejt, duke i lejuar të bëjnë pyetje mbi mjedisin dhe shumë gjëra të tjera që ata kanë interes. Kjo e ndihmon fëmijën t’i japë një kuptim botës që e rrethon, i lehtëson hapat për të krijuar identitetin si dhe integrimin e tij me të tjerët.
Vëmendja
Kurioziteti për të njohur situata të reja në këtë botë “misterioze” për të cilën ka dëgjuar është i madh. Por, jo vetëm për botën, kurioziteti do të jetë i madh edhe për jetën e motrave dhe vëllezërve më të mëdhenj që shkojnë në shkollë. Frika se në botën e jashtme mund të mbetet vetëm, i bën ndjenjat dhe emocionet edhe më të forta.
Grupi
Për fëmijën është tërheqës, dhe në njëfarë mënyre zëvendëson mbrojtjen e nënës. Grupi për të është mjeti më i rëndësishëm për zhvillimin e pavarësisë. Fillimi i një jete të re në botën sociale të grupit, është një hap i madh drejt pjekurisë. Tani ai brenda këtij grupi bëhet paksa “prind” i vetvetes.
Ky proçes shoqërohet edhe me ankth, i cili ndonjëherë duket qartë nëpërmjet krizave së të qarit, ëndrrave të natës, dhimbje të kokës ose barkut në mëngjes, kryesisht para se të shkojë në kopsht.
Miqësitë
Në këtë moshë fëmijët janë të aftë të krijojnë grupe dhe miqësi “serioze”. Por miqësitë e tyre janë ende të përkohshme. Djemtë bëjnë miqësi rastësore. Vajzat i zgjedhin mikeshat e tyre, me të cilat përsëri mund të zemërohen lehtë.
Sjellja
Bëhet shumë konkrete, por përmban ende disa pasiguri. Tregimet dhe përrallat e pëlqyeshme në këtë moshë përputhen me situatën në të cilën fëmija ndodhet dhe jeton. Për disa fëmijë bëhet e rëndësishme ruajtja e të njëjtave rrethana jetese në familje, për shkak të mjediseve dhe sjelljeve të reja në kopësht. Vlerësohen ceremonitë e ndryshme si ditëlindjet, festat familjare etj, të cilat ushqejnë pavarësinë e brendshme të fëmijës për t’u aftësuar në programet e reja shoqërore.
Në këtë moshë fëmijët nuk kanë aftësi të mira për të bërë kompromise dhe marrëveshje tolerante. Për arsye të vogla, mund të dëgjoni një vajzë të vogël t’i thotë mikeshës së saj “Ti nuk je më shoqja ime”, për t’u miqësuar përsëri pas pak kohësh.
Kërkesat
Ndryshimi themelor lidhet me stadin e ri të pavarësisë dhe marrjen e përgjegjësive. Nëse kujtoni veten tuaj në këtë moshë, do të kuptoni se interesi i prindërve për ngjarjet e jetës së tyre “private” është mbështetja më e madhe.
Nevoja për rregulla
Është një kërkesë themelore. Mund të shihni lehtësisht se fëmijët, të gjendur në një mjedis të rrëmujshëm, qoftë ky dhe lojra e argëtim, pa norma dhe rregulla, do të ndërhyjnë menjëherë për t’i vendosur ato. Vihet re që janë më të aftë të kuptojnë rregullat e lojës dhe më tolerantë, nëse humbin sipas rregullave. Rregullat e vendosura i japin mundësi fëmijëve të zhvillojnë aftësinë për t’u sjellë në mënyrë korrekte brenda grupit. Rregullat dhe normat i ndihmojnë fëmijët të përballojnë situata të reja dhe të panjohura me më shumë qetësi.
Shpesh, vendosja e fëmijëve në norma të sakta formon në mënyrë të ndjeshme personalitetin e tyre dhe mund të kthehet në një karakteristikë të sjelljes.
Kujdes! Fëmija 5 vjeç, gjithsesi ende nuk ka një kuptim të plotë të identitetit ( se ai është një person i veçantë, i shkëputur nga të tjerët ). Për këtë arsye zbatimi i rregullave për ta nuk është një gjë e thjeshtë. Kjo është arsyeja pse gjatë lojës, ata kanë nevojë për një figurë prindërore pranë, për të forcuar identitetin në sfidën e zbatimit të rregullave, të normave dhe të kufizimeve. Gjithashtu, ata mund të mos i mbajnë mend të gjitha rregullat dhe kjo mund t’u hapë telashe. Kanë nevojë për një më të rritur, që t’ua kujtojë gjithmonë.
Toleranca kulturore
Kultura e qytetit ku jetojnë dhe kultura me të cilën ata ndeshen në kopësht, mund të jetë e ndryshme nga tradita familjare. Çdo fëmijë, elementët e rinj kulturorë të mësuar në mjedisin social, i sjell në familjen e tij. Ai këndon këngë të reja, tregon praktika të ndryshme, të mësuara me moshatarët në familjet e tyre.
Është pjesë e “sfidës” që ka fëmija me vetë prindërit e tij, për t’u treguar atyre se tani është bërë i zoti në mjedisin e jashtëm. Njëkohësisht atij i duhet të afrojë kulturën brenda familjes me kulturën lokale, si pjesë e forcimit të identitetit të tij jashtë familjes, në mjedisin e ri. Kështu fëmijët, nxjerrin përfitime nga situatat e kulturave, traditave dhe besimeve të tjera dhe duhen ndihmuar në këtë përshtatje të ndryshimeve midis kulturave, feve dhe përvojave, për të pasuruar njohjen dhe për të lehtësuar bërjen e tij pjesë të shoqërisë.
Fëmijët e kësaj moshe nuk janë përjashtues të kulturave të tjera. Vetëm nëse të rriturit edukojnë fort ndjenja të tilla jo miqësore, atëherë ato mund të ndikojnë për keq në kufizimin e sjelljes sociale të fëmijës.
Marrëdhëniet me të rriturit
Në këtë moshë, vajzat duken se kanë më shumë interes për të pasur vazhdimisht pëlqimin e të rriturve për sjelljen e tyre. Të bësh miqësi të reja, do të thotë të lidhesh jo vetëm me moshatarët, por edhe me të rritur të tjerë. Për të arritur këto marrëdhënie, duhen disa aftësi që ata ende nuk i kanë.
Djemtë në situata të tilla janë më agresivë dhe kërkojnë të sfidohen me të barabartët e tyre, ose me më të fuqishmit. Ata tregojnë forcën dhe duket se nuk ju intereson vëmendja e të tjerëve. Rivaliteti midis fëmijëve, shumë herë përzihet me rivalitetin që ata bëjnë nëpërmjet vlerave të prindërve të tyre. Në këtë provë të vështirë të marrëdhënieve me të tjerët, ju duhet të gjendeni gjithmonë afër tyre dhe të vëmendshëm.

Lexoni edhe: Femija 5 vjec






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Kur ke një fëmijë në...

Nëse ti ke një fëmijë Ujor, ja cfarë duhet të dish..: UJORI (21 janar - 19 shkurt) Ky fëmijë do të jetë gjithmonë origjinal. Ai është një novator i lindur...

A duhet të trajtohen dhëmbët...

Të mendosh se dhëmbët e qumështit, si të përkohshëm, nuk duhen mbrojtur është gabim. Jo vetëm që duhen larë me kujdes, por duhet pasur kujdes edhe në rast problemesh. Përndryshe...

Ilaçe të reja për trajtimin...

Gjithnjë e më shumë të rinj po vuajnë nga problemet e astmës, sëmundje që në situata të caktuara vështirëson frymëmarrjen. Deri më tani, trajtimi i astmës tek fëmijët bazohej te...

Kukulla për fëmijë, 6 sugjerime...

Më poshtë kemi përgatitur një listë me gjashtë flimat vizatimorë më të përshtatshëm e të bukur për t'i parë fëmijët tuaj gjatë periudhave të festave e pse jo edhe natën...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X