Udhëtimi me fëmijë, pavarësisht moshës së tij, kërkon që ju të keni me vete një sërë gjërash të nevojshme. Lista e sendeve të domosdoshme bëhet edhe më e madhe nëse fëmija është i vogël. Ju duhet të siguroheni që të keni gjithçka në valixhe në mënyrë që të plotësohen nevojat e fëmijës, dhe nuk duhet të harroni që edhe gjatë pushimeve duhet të respektoni oraret e tij.
Cfarë veshje duhet të marrim me vete?
Çdo nënë e di se çfarë vesh fëmija zakonisht gjatë ditëve të nxehta dhe ju duhet të tregoheni praktike edhe në këtë rast. Ju nuk duhet të harroni të vendosni në valixhe pizhame të holla, trupore ose kanatjere, çorape, një triko të hollë, pantallona të shkurtra si edhe të gjata, sigurisht që prej materiali të hollë, sandale, atlete, fustane ose funde, peshqirë, çarçafë të vegjël, rroba plazhi si edhe bluza me mëngë të shkurta.
Cfarë aksesorësh duhet të kemi me vete?
Ju duhet të keni në valixhen e fëmijës tuaj një copë të madhe prej pambuku, e cila mund të rezultojë multifunksionale, biberonat e fëmijës, çuçon (biberonin gënjeshtar), lodrat e fëmijës, ngrohësin e biberonit, ngrohësin e ushqimit, sterilizuesin e biberonave, grirësen e ushqimit, tasat e ngrënies dhe lugën e fëmijës.
Produktet e higjenës së fëmijës
Ju duhet të keni me vete shampon e fëmijës, kremin, pudrën (nëse i përdorni fëmijës), sasi të madhe bebelinash, letra të lagura, krem mbrojtës me faktor të lartë (50+), spërkatës kundër insekteve, si edhe një detergjent për pastrimin e rrobave të fëmijës.
Medikamentet e nevojshme
Sigurohuni të keni me vete medikamentet e nevojshme që do t’ju vijnë në ndihmë në rast se fëmija juaj do të ketë një problem të vogël shëndetësor.
Ato çfarë ju duhen janë
Shurup për temperaturën, medikament me pika për dhimbjen e veshit, medikament për dhimbjen e barkut. Për diarre mund të merrni kamomil, çaj finoku, ose Enterogermina (para nisjes duhet të merrni miratimin e mjekut pediatër), e cila është solucion hidratues që shërben për ekuilibrimin e kripërave minerale të humbura. Nëse fëmija vazhdon shumë gjatë me diarre ose të vjella duhet të shkoni tek mjeku. Gjithashtu duhet të keni me vete termometër, pomadë për pickimet e insekteve, xhel kundër kruarjeve, dizinfektues për plagët, pomadë për plagët, solucion fiziologjik, medikamentet e posaçme nëse fëmija vuan nga një sëmundje e caktuar (për shembull astma) si edhe numrin e telefonit të pediatres së fëmijës.
Të gjitha këto sende dhe medikamente ndoshta nuk do të përdoren të gjitha gjatë udhëtimit tuaj, por që ta bëni atë udhëtim sa më të këndshëm dhe më të qetë duhet t’i keni me vete të gjitha, sepse ditës me fëmijë të vogël duhet t’i paraprish në mënyrën më të mirë të mundshme. Ata janë të vegjël dhe nuk dihet asnjëherë se për çfarë kanë nevojë në një moment apo në një tjetër.
Lexoni dhe: Ne plazh me femijen, ne cilat raste ai nuk duhet te futet ne det apo pishine?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu