Fëmijët janë në dijeni të asaj që po ndodh me koronavirus dhe nëse ne si të rritur nuk i sqarojmë se çfarë po ndodh, ata vetë mund të dalin në përfundime më alarmante sesa e vërteta, kështu që për këtë arsye, në radhë të parë, të rriturit, prindërit, duhet të informohen nga burime të sakta e të sigurta siç është OBSH-ja përpara se t’i shpjegojnë fëmijës situatën.
- Të flasim me fjalë që janë të njohura dhe familjare për ta si psh: grip, ftohje, kollë, temperaturë e jo në terma që fëmijët mund të mos i kuptojnë, pasi ankthi nga e panjohura është shumë i rrezikshëm.
- Për këtë arsye është e nevojshme të flitet, të kuptohet rëndësia e situatës, duke mos bërë sikur nuk po ndodh gjë, por edhe duke mos shtuar frikën dhe trembjen.Informohuni nga burime të sakta dhe të sigurta, psh nga OBSH për atë që do i shpjegoni fëmijës.
- Kur të flisni për virusin, shpjegojini rëndësinë e masave mbrojtëse dhe parandaluese.
- Nxitini të heqin cdo paqartësi duke ju pyetur dhe jo duke kërkuar përgjigje nga burime të tjera informacioni.
- Nëse pyesin psh a ka kurë, mund t’i shpjegoni që shkencëtarët po përpiqen ta gjejnë por ndërkohë duhet të ndjekin rregullat përkatëse të higjienës.
- Përpiquni të jeni vetë të qetë, emocionet e fëmijëve janë pasqyrë e tuajave.
- Përpiquni të mos flisni më shumë sesa duhet për këtë temë.
- Mos fajësoni askënd; mllefi dhe zemërimi nuk ndihmon kontrollin dhe qetësimin e situatës.
- Tregojini dhe për numrin e njerëzve që kanë qenë të infektuar por janë shëruar, është shumë e rëndësishme të mos humbet besimi!
Si të kuptojmë çfarë ndjen fëmija?
Më poshtë gjeni një teknikë të thjeshtë të cilën mund ta përdorim në formë loje. Qëllimi i saj është të na ndihmojë ne si të rritur të kuptojmë më mirë se çfarë e ndihmon fëmijën për t’u ndjerë i sigurt dhe të përpiqemi të rikrijojmë atë mjedis me anë të lojërave dhe lodrave, duke improvizuar brenda kontekstit familjar.
Teknika është si më poshtë:
“Ftoni fëmijën tuaj të imagjinojë ose të vizatojë një vend, situatë, që për të është i sigurt/i rehatshëm. Më pas, kërkojini ta përshkruajë atë. Në mënyrë që të kemi një ide më të plotë për motivet e kësaj zgjedhjeje të fëmijës, mund ta pyesim: Si është aty? Çfarë i pëlqen më shumë?, Kush tjetër është aty me të?, Çfarë sheh, nuhat, dëgjon, ndjen?
Ide aktivitetesh/lojërash për fëmijët për t’u bërë gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi
Megjithatë, masa kryesore e marrë në këtë situatë është izolimi, i cili gjithashtu mund të shkaktojë ndjesi negative, krahas vetë virusit që është problemi fillestar. Psikologia Lorela Garuli na jep disa ide akrivitetesh e lojërash për të bërë me fëmijët gjatë kohës që qëndrojmë mbyllur në shtëpi.
- Të përgatitet një ëmbëlsirë bashkë me fëmijët.
- Të mbillet një lule e vogël në vazo në ballkon.
- Sistemim/dekorim i dhomës së fëmijëve.
- Surpriza dhe “mesazhe sekrete” nëpër shtëpi (“në kërkim të thesarit”).
- Mund të shihen albume fotosh të vjetra, kujtime, letra, dëftesa, etj.
- Të treguarit e barsaletave/gjëegjëzave/ proverbave.
- Vizatime, ngjyrosje dhe piktura.
- Ushtrime fizike.
- Krijimi i varëseve/byzylykëve artizanalë me rruaza, kopsa.
- Të hiqen lodra/rroba të vjetra që nuk përdoren më.
- Të shkruhen kartolina.
- Të përpiqen të shkruajnë një poezi apo tregim.
- Të luajnë me pantomime.
- Të vishet si një superhero apo personazhi i parapëlqyer.
- Inskenim i një përralle të thjeshtë ku fëmijët interpretojnë personazhet përkatës.
- Tangram (lojë me forma për kujtesën vizuale).
- Lojë me rima (një anëtar i familjes nis lojën me një fjalë, të tjerët duhet të gjejnë një që rimon).
- Gjeje se c’po mendoj: mendo një objekt/kafshë/profesion dhe fëmija duhet ta gjejë duke bërë pyetje që përgjigjja është vetëm po-jo.
- Shah apo “Mos u nxeh”.
Lexo edhe: Nëna me kronavirus sjell në jetë një fëmijë, del rezultati i bebit
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu