Ndodh që fëmija të ndihet i frikësuar nga uji i detit edhe pse vitin e kaluar mund të mos ketë ndierë frikë nga ai apo nga uji i pishinës. Ai tani nuk shkon më tej se bregu i detit edhe pse ju e shoqëroni në çdo hap që hedh.
Ju nuk duhet të shqetësoheni nga kjo frikë e fëmijës, pasi uji i detit është më i ftohtë se ai i pishinës dhe dallgët bëjnë të vetën. Ju nuk duhet ta detyroni fëmijën të futet direkt në det, por mund ta bindni atë me ngadalë dhe qetësi ta pranojë banjon në det. Gjatë ditëve të para ju duhet t’i afroheni detit me ngadalë dhe duke e mbajtur fëmijën prej dore, duke i lagur fillimisht këmbët si edhe duke luajtur me dallgët e vogla të bregut të detit.
Disa prindër tregohen shumë të ashpër ndërsa i mësojnë fëmijët të lahen në det. Ata e zhysin fëmijën në ujë duke rrezikuar që ai të frikësohet edhe më tepër nga uji. Fëmija në këtë rast mund të ndihet i tradhëtuar, pasi prindi e zhyt në ujë ndërsa e mban në krahë në mënyrë të papritur. Nëse e bëni këtë veprim nuk do t’ja nxirrni frikën fëmijës, por do ta bëni të ndihet i pasigurt në krahët tuaj.
Respektoni dëshirën e fëmijës
Çdo fëmijë do një kohë të caktuar të përshtatet me ujin, ashtu si edhe me shumë gjëra që përballet gjatë rritjes. Ai gjatë futjes në ujë ka nevojë të ketë në krah një person të rritur që t’i ofrojë siguri, dhe për këtë ju duhet të tregoheni të qetë dhe të duruar. Ndodh që fëmija mund të bjerë për një moment në ujë dhe të zhytet. Nëse ju shprehni frikë në fytyrë dhe reagoni me gjeste të frikshme, fëmija do ta kuptojë që kjo ishte një situatë rreziku dhe për këtë arsye do të frikësohet edhe më shumë. Reagimi tuaj i qetë është shumë i rëndësishëm, pasi fëmija ju shikon si një burim sigurie.
Mbajtja e duarve
Një sekret shumë i rëndësishëm është mbajtja e duarve të fëmijës. Ato duhet të mbahen në mënyrë jo të shtërnguar. Fëmija duhet të ndiejë që ju jeni të qetë, ai nuk duhet të perceptojë tension.
Si ta mbajmë fëmijën?
Prindërit mundohen t’i mësojnë fëmijët të notojnë duke i mbajtur në pozicion vertikal dhe duke i vendosur dorën e tyre në pjesën abdominale. Ky është një pozicion tepër lodhës për fëmijën, i cili edhe pas moshës 3-vjeçare nuk i përdor krahët për të qëndruar sipër ujit.
Pozicioni më i mirë i qëndrimit të fëmijës është ai i pjerrët, në mënyrë që fëmija ta mbajë më mirë ekulibrin si edhe kokën jashtë ujit. Ju mund ta këshilloni fëmijën të lëvizë këmbët njësoj sikur i jep biçikletës, dhe ndërkohe duhet t’i vendosni kamerdaret në krahë.
Kamerdaret
Ju nuk duhet ta teproni me kamerdaret që do t’i vendosni fëmijës. Ka prindër që ja vendosin fëmijës kamardaret në krahë në momentin që arrijnë në plazh dhe ja heqin në momentin që largohen, dhe kjo është shumë e gabuar pasi fëmija duhet ta ndjejë ujin edhe pa to në mënyrë që të ndihet më i lirë brenda tij. Në momentin që fëmija është mësuar me ujin ju mund t’ja hiqni kamardaret dhe ta lini të lëvizë i lirë në det, sigurisht me ndihmën tuaj. Ju mund të provoni ta vendosni fëmijën të qëndrojë në pozicion horizontal me kurriz në ujë, duke e mbajtur pak me dorë. Nëse fëmija ka frikë nuk duhet të insistoni.
Lexoni dhe:Çfarë nuk duhet të hamë në plazh?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu