Ja një listë e gjërave që nënat zakonisht nuk i bëjnë me fëmijën e dytë, sepse fiksimet dhe dyshimet që tek fëmija i parë ishin të pranishme pothuajse në gjithçka, dalëngadalë tek fëmija i dytë do të zhduken.
Gjërat që nënat nuk i bëjnë me fëmijën e dytë
Gjatë shtatëzanisë të parë një pjesë e mirë e nënave të reja lexojnë shumë libra që kanë të bëjnë me ushqyerjen e fëmijës, gjumin, edukimin dhe shumë tematika të tjera në lidhje me fëmijën dhe shtatëzaninë.
Shumë nga këta libra do të jenë shumë të dobishëm për nënat që po sjellin për herë të parë një fëmijë në jetë, ashtu siç mund të jenë shumë të dobishme edhe informacionet që mund të gjeni online. Por në shtatëzaninë e dytë gjërat ndryshojnë. Nëna ndihet më e përgatitur, ka më pak dyshime dhe madje mund të ndihet e gatshme t’i japë këshilla një nëne tjetër që mund të jetë në ankth në lidhje me diçka për shtatëzaninë apo fëmijën e saj.
Pra me pak fjalë fiksimet dhe rregullat duket se nuk janë shumë të rëndësishme, edhe pse tashmë nëna do të ketë dy fëmijë që duan përkujdesje dhe energji.
Shtatëzania
Gjatë shtatëzanisë të parë nëna shqetësohet edhe për një dhimbje fare të vogël dhe të parëndësishme që shfaqet në trupin e saj. Ajo shqetësohet për çdo gjë sepse shtatëzania për të është diçka që nuk e njeh, dhe mund ta konsiderojë si misterioze, dhe për pasojë është normale të ndihet kështu duke qënë se gjërat misterioze të frikësojnë. Gjatë shtatëzanisë të dytë ajo e di çfarë ndodh, madje di çfarë mund të jetë normale ose jo dhe se kur duhet t’i drejtohet mjekut. Për shembull e njëjta nënë që pas lindjes së parë me operacion duhej të kapej ende pas dikujt për të ecur edhe pas 5 ditësh, në lindjen e dytë kujdesej vetë për fëmijën e saj pas 3 ditësh, kjo sepse e dinte si duhej të sillej në mënyrë që trupi të rikuperonte sa më shpejt.
Ushqyerja e fëmijës
Me fëmijën e parë, kur vjen momenti i ushqyerjes nëna ndjek me përpikmëri çdo këshillë të pediatres apo udhëzimeve që ajo merr online. Ajo gatuan çdo ditë supë për fëmijën, e bën prezantimin e ushqimeve në mënyrë graduale etj. Ndërsa me fëmijën e dytë ka shumë mundësi që nëna ta bëjë prezantimin e ushqimeve jo me aq ditë diferencë sa duhet, të mos ndjekë një tabelë preçize të kohës kur duhet bërë ndërhyrja me një ushqim të caktuar etj. Në disa raste nënat me fëmijën e dytë nuk i kushtojnë shumë rëndësi mundësisë së shfaqjes së alergjive pasi kalojnë muajt e parë pas fillimit të ushqimeve të ngurta pa ndonjë shenjë alergjie, dhe për pasojë e konsiderojnë atë si dicka që nuk do të ndodhë.
Veshjet dhe pajisjet e fëmijës
“Zonjë prisni një djalë/vajzë”, në momentin që gjinekologu ju ka konfirmuar gjininë e fëmijës që prisni të sillni në jetë ju me siguri nuk keni lënë dyqan pa blerë dicka për të, veshje, aksesorë, detergjentë. Ndërsa mjeku ndoshta ju ka thënë se prisni sërish një fëmijë së të njëjtës gjini me siguri keni menduar se edhe pse do të dëshironit mos kishit dy fëmijë djem apo vajza, do të mund të përdornit përsëri rrobat e fëmijës së parë, gjë e cila do t’ju bënte të kursenit goxha para. Tek fëmija i dytë me siguri e keni marrë në konsideratë edhe ofertën e dikujt për t’ju dhuruar diçka nga veshjet apo sendet e fëmijës së tyre tashmë të rritur.
Lodrat
Fëmija i dytë ka në dispozicion kuti të tëra me lodra që tashmë vëllai apo motra i tij më i madh nuk i përdor. Ai është tepër i zënë duke luajtur me lodrat e përshtatshme për moshën e tij, apo duke bërë mësimet e shkollës. Pra nuk është e domosdoshme blerja e lodrave nga e para.
Gjumi dhe mjedisi
Fëmija i parë zakonisht vendoset të flejë gjithmonë në shtratin e tij, menjëherë pas banjës dhe pa ndihmën e dikujt. Nënat me fëmijën e dytë praktikojnë ndoshta të njëjtën metodë, e vendosin atë të flejë në shtratin e tij, por duke e thyer rregullin pa u menduar dy herë nëse ai kërkon të futet në krevatin e saj dhe të bashkëshortit. Dhe ndonjëherë fillon ta kërkojë këtë gjë edhe i madhi dhe mund të përfundoni duke fjetur të gjithë bashkë.
E çfarë mund të themi në lidhje me çantën e bebelinave? Në fillim dukej se ishte një aksesor i pandashëm, duke bërë që nëna të dilte në rrugë me një çantë plot me sende brenda, që ndoshta nuk do t’i hynin fare në punë ndërsa ishte jashtë me fëmijën e saj. Vihet re një ndryshim edhe në këtë pjesë, tani nëna me fëmijën e dytë fut në çantën e saj vetëm atë çfarë i duhet për ta ndërruar njëherë bebelinën e fëmijës.
Lexoni edhe: Fëmija i dytë e bën jetën më të vështirë dhe përkeqëson shëndetin mendor të nënës, pranojeni si një gjë normale
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu