Zakonisht, në momentin që vjen në jetë një bebe tjetër, fëmija i parë konsiderohet dhe shihet me syrin e “të madhit” edhe pse mosha e tij mund të jetë 1.5 -2 vjeçare. Në fakt kjo ndjesi është totalisht e justifikueshme duke qënë se nëna tashmë ka në krah një bebe të porsalindur që ka nevojë për përkujdesjen e saj, dhe që ta bëjë këtë asaj i duhet të organizohet në mënyrën e duhur për t’i dhënë të dy fëmijëve atë çfarë kërkojnë dhe çfarë duhet.
Ndjenjat e fëmijës
Edhe fëmija, nga ana tjetër ka nevojë për përkëdhelje dhe siguri që ju jeni pranë tij dhe asgjë nuk ka ndryshuar, gjë të cilën mund ta shprehë edhe me anën e krizave të inatit. Ai mund të kërkojë t’i bëhet e njëjta përkujdesje si e të porsalindurit, dhe në këtë fazë mund të vëreni episode urinimi gjatë natës, mund të kërkojë ta mbani prej dore etj. Në këtë fazë për nënën paraqitet një mbingarkesë, të cilën specialistët amerikanë e quajnë “Overtouching”, pra “mbiprekje”. Nëna në këtë fazë mund të përjetojë vështirësi edhe nga ndryshimi hormonal që ajo pëson pas lindjes.
Si është mënyra e duhur për të përballuar këtë situatë?
I porsalinduri ka nevojë të qëndrojë gjatë në gji, të ndërkohet, të jetë në kontakt me nënën, dhe nga ana tjetër edhe fëmija tjetër ka nevojë për përkujdesjen tuaj. Në këtë situatë e cila nuk duhet të konsiderohet si e lehtë për t’u menaxhuar, nëna duhet të përpiqet që në radhë të parë t’i përgjigjet kërkesave më të rëndësishme të fëmijëvë, pra të ushqyerjes. Në momentin që fëmijës i keni përgatitur ushqimin, mund ta ushqeni duke vendosur njëkohësisht fëmijën tjetër në gji. Sigurisht që kjo nuk është e lehtë por, është një situatë që do të kalojë shumë shpejt, kur edhe i porsalinduri të ketë vendosur një farë rutine të veprimeve të tij. Gjithashtu duhet të keni parasysh se pas kësaj, duhet t’i përgjigjeni së pari nevojave më kryesore së të porsalindurit, para atyre më pak “të rëndësishme” që ka fëmija tjetër. Pra, e gjithë situata duhet të rrotullohet rreth një ekuilibri të vendosur në bazë të rëndësisë së kërkesave që fëmijët paraqesin, apo edhe në varësi të nevojave tuaja. Edhe pse mund t’ju duket si absurd, në momentin që do të ndiheni e mbingarkuar nga ana psikologjike dhe fizike duhet të largoheni për pak minuta duke ja lënë fëmijët bashkëshortit tuaj, në mënyrë që të riktheheni me energjitë e duhura. Një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të bëni në këtë moment është të kërkoni të flisni sa më shumë me partnerin tuaj. Ai duhet të bëhet mbështetja juaj më e madhe.
Lexoni edhe: Si ndihet femija i pare pasi vjen ne jete femija tjeter?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu