Prag festash! Sa bukur tingëllon! Edhe një muaj na ndan nga fillimi i zbukurimeve të festave të fundvitit, nga mbushja e shtëpive dhe qytetit me drita dhe pemë që të japin vetvetiu një ndjesi mirëqënie. Ndoshta në këtë kohë disa prej jush kanë filluar të mendojnë ku do të kalojnë pushimet dimërore, dhe nëse edhe ju jeni një prej tyre me lejoni t’ju këshilloj Mavrovën!
Një destinacion i mrekullueshëm!
Ky vend i mrekullueshëm ndodhet rreth 2 orë e 40 min nga qyteti i Pogradecit (151 km) dhe gjatë rrugës do të keni mundësi të shijoni pamje fantastike të pyjeve të mbuluara nga bora, dhe çfarë do të ishte më e bukur se bardhësia e dëborës gjatë festave të fundvitit? Nga eksperienca personale do t’ju këshilloja të prenotonit disa ditë më parë një hotel duke qënë se është një pikë turistike tepër e frekuentuar, sidomos gjatë dative 29 dhjetor-4 janar. Gjithashtu mendoj se do të ishte një destinacion më tepër i përshtatshëm për çifte pa fëmijë me vete duke qënë se prania e tyre kufizon veprimtaritë që mund të bësh si edhe për shkak të klimës disi të ashpër që ofron. Një tjetër këshillë? Merrni veshje sa më praktike duke qënë se gjatë gjithë kohës do të jeni me dëborën e madhe nëpër këmbë.
Si kalohet një ditë në Mavrovë?
Në mëngjes dhe mbrëmje me shumë mundësi do ta gjeni veten nën dëborën që bie shtruar dhe nën atmosferën e pemëve të larta që duket se nuk kanë fund, një vend tepër romantik gjithashtu. Pasi keni shijuar mëngjesin në një nga hotelet e kësaj zone mund të drejtoheni për tek pista e skive e cila është një mrekulli. Mund të skijoni tek pistat e vogla të cilat kanë pjerrësi disi të vogël, por edhe nëse nuk keni eksperiencë do t’ju këshilloja të merrnit teleferikun dhe të shkonit tek pista e sipërme. Nuk do t’ju duhet të paguani më tepër se 15 euro personi. Pamja është spektakolare dhe veprimtaritë argëtuese në dëborë janë të shumta. Në pjesën e sipërme të pistës mund të shijoni edhe gatimet apo pijet e ngrohta të lokalit.
Pasi keni kaluar ditën atje (më besoni, do të kalojnë orët pa e kuptuar fare), mund të shijoni darkën në një nga restorantet e Mavrovës, të cilat ofrojnë një raport çmim-cilësi shumë të mirë të ushqimit. Për më shumë variacion dhe jetë nate, mund të drejtoheni për në Shkup i cili nuk është më tepër se 1 orë e 20 min.
Do të ishte mirë të kishit me vete rrobat e skijimit, ndërsa skitë mund t’i merrni me qera edhe në Mavrovë. Dorezat e trasha janë një kusht i domosdoshëm.
lexoni dhe:Pushime me pak para
')}
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu