Keni marrë fëmijën tuaj në krah pas 9-të muajsh pritje? Shumë mirë! Tani me siguri do të dëgjoni shumë “këshilla” nga persona që ndoshta e konsiderojnë veten si ekspertë të rritjes së fëmijës. Duke ju udhëzuar në lidhje me disa prej këshillave që duhet të injoroni, ju këshillojmë të bëni që mjeku të bëhet udhëzuesi më i rëndësishëm për rritjen e bebit tuaj.
Ndoshta nuk e ke qumështin e mirë/të mjaftueshëm. Kjo është këshilla më absurde që mund të dëgjoni, kur në të vërtetë ai është ushqimi ideal për beben tuaj. Nëse fëmija ka një rritje konstante dhe pi i qetë vazhdoni me gjidhënien pa marrë parasysh çfarë ju thonë.
Duhet të ushqeni me gji me orar fiks. Oraret i vendos vetë fëmija dhe nëse ai pi shpesh nuk do të thotë se qumështi juaj nuk e ngop.
E peshoni fëmijës pas çdo vakti për të parë sa gr ka marrë. Kjo është një metodë që duhet të përdoret vetëm njëherë në javë për të parë nëse rritja është konstante.
Pirja e një sasie të madhe birre sjell qumështin. Në të vërtetë nëna duhet të ushqehet shëndetshëm me shumë fruta dhe perime, si edhe të pijë të paktën 2-3 lt ujë në ditë.
Vishe fëmijën me më shumë/pak rroba. Do të jetë gjithmonë dikush që do t’ju thotë se fëmija juaj është veshur hollë apo trashë. E rëndësishme është që ju ta vishni fëmijën sipas ambientit dhe mbi të gjitha duhet të evitoni ta fusni fëmijën poshtë një mali me batanije.
Mos e nxirr jashtë shtëpisë. Sigurisht që duhet të evitoni ditët që janë shumë të ftohta si edhe momentet e nxehta gjatë verës. Një shëtitje në ajër të pastër do të ishte shumë e përshtatshme për të.
Kushedi se çfarë problemi shëndetësor ka. Fëmijët e vegjël të cilët ushqehen me gji kanë tendencën të mos sëmuren shpesh, por nëse kjo ndodh shkoni tek mjeku dhe mos merrni në konsideratë supozimet e personave që ju rrethojnë, për të cilët edhe një rrufë e lehtë mund të kthehet në një “sëmundje serioze”.
Nuk mund të shkoni me pushime derisa fëmija të shkojë 3 vjeç. Fëmijët e adhurojnë qëndrimin me prindërit, pra për ta, kudo që të shkoni nuk do të ishte një problem. E rëndësishme është që të zgjidhni një vend të përshtatshëm për fëmijë të vegjël.
Në kohën tonë kjo bëhej kështu… Kjo është fraza e preferuar e mamave apo vjehrrave. Sigurohuni që në çdo rast të mbani mend se jeni ju nëna dhe jetoni në këtë kohë jo në të shkuarën!
Lexoni edhe: Tre gjerat per te cilat duhet te tregoni kujdes pas lindjes
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu