Fëmija është qenia më e dashur në familje dhe shoqëri. Ata duhet të kenë kujdesin, dashurinë dhe mirësjelljen e çdo njeriu, dhe sidomos atë të prindërve. Adoptimi paraqet një formë humane dhe proçedurë juridike që ju mundëson fëmijëve pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore rregullimin ligjor të statusit të tyre familjar, sigurim material të jetës së tyre si dhe ofrim të dashurisë prindërore nga persona që janë të gatshëm të përballen me këtë sfidë.
Të shkruash për adoptimin është një temë shumë delikate në esencën e saj, sepse prek pjesën më të ndjeshme të shoqërisë, fëmijët. Edhe pse konsiderohen si fëmijë të lënë pas dore nga familja, shoqëria nuk duhet të harrojë se ata janë pjesa më me interes e saj dhe se mirërritja e tyre është një aspekt shumë i rëndësishëm, të cilës i duhet dhënë prioritet. Të gjithë fëmijët duhet të kenë fatin të jetojnë në familje, dhe shoqëria me mekanizmat e saj duhet të angazhohet që t’ua sigurojë këtë.
Të njëjtin fat, nuk e kanë të gjithë fëmijët, dhe kjo është një fatkeqësi e kohës me të cilën janë përballur të parët tanë, me të cilën po ballafaqohemi ne dhe gjithsesi, do të ballafaqohen edhe pasardhësit tanë. Kur përmendim çështjen se të njëjtin fat nuk e kanë të gjithë fëmijët, e kemi fjalën pikërisht për kategorinë e fëmijëve të cilët janë të privuar nga jeta familjare për shkaqe të ndryshme, për të cilën ata nuk janë aspak fajtorë.
Kur duhet t’i tregojmë fëmijës se është i adoptuar?
Fëmija i cili është më i madh se 12-të vjeç, ka të drejtë të japë pëlqimin për adoptimin e tij, pra ai është në dijeni rreth faktit së adoptimit të tij. Kur adoptohet fëmija më i vogël, ai ka të drejtën e njohjes së faktit se është i adoptuar, të vërtetën rreth prejardhjes së tij dhe njohjen e prindërve biologjikë, kur prindërit adoptues mendojnë se fëmija është gati të përballet me këtë fakt.
“Nuk i kemi thënë ende vajzës tonë së është fëmijë i adoptuar, por të dy me bashkëshortin kemi vendosur që kjo temë të hapet rreth moshës 15 vjeçare, në mënyrë që ajo të jetë më e rritur për të kuptuar atë që ka ndodhur. Ndoshta vajza jonë në atë moshë (që përkon me fillimin e adoleshencës), do të fillojë të ndjejë brenda vetes të saj inat dhe dhimbje për këtë temë kaq delikate, megjithatë ne kemi vendosur që të jetë pikërisht ky momenti. Nëse do të jetë më e vogël nuk do të jetë në gjendje ta kuptojë si duhet atë çfarë ka ndodhur, dhe nëse do të jetë më e madhe ndoshta do ta dëgjojë nga dikush tjetër dhe atëherë do të jetë më keq”, shprehet një nënë e cila ka adoptuar një vajzë të porsalindur të shtëpisë së fëmijës.
Sigurisht që fëmija ka të drejtë ta dijë së çfarë ka ndodhur me të, dhe prindërit duhet të sigurohen që të jetë momenti i duhur. Zbulimi i të vërtetës, pra se fëmija nuk është i lindur nga njerëzit me të cilët ka jetuar, ndikon shumë negativisht në jetën e tij/saj. Zakonisht ky fëmijë ndryshon sjelljen, duke mos e arsyetuar veprimin e prindërve që e kanë lindur. Në raste shumë të rralla këta fëmijë e pranojnë në mënyrë të qetë faktin se janë të adoptuar.
“Kur kam kuptuar se tezja ime është nëna ime e vërtetë, kam urryer çdo njeri të familjes. Të vërtetën rreth adoptimit ma ka komunikuar djali i tezes ( vëllai im). E kam kuptuar këtë fakt në moshën 18 vjeçare, dhe kanë qenë momentet më të tmerrshme të jetës time. Tani vazhdoj dhe jetoj duke mos e justifikuar veprimin që e kanë bërë prindërit e mi të vërtetë, edhe pse njerëzit që i njoh si nënë dhe baba më kanë ofruar dashurinë më të madhe në botë, une jam kundër këtij veprimi! Tezja, në fakt është nëna ime”.
Pra, nuk mund të themi se ka nje moment të përcaktuar se kur duhet t’i tregoni të vërtetën fëmijës tuaj, zgjedhja mbetet në dorën tuaj, dhe sigurisht që duhet t’i përshtatet aftësisë së fëmijës për të kuptuar.
Adoptimi si një mundësi edhe për prindërit adoptues
Me anë të adoptimit plotësohen edhe interesat e prindërve adoptues në aspektin biologjik dhe emotiv, pasi kjo është një mënyrë me anë së të cilës ata plotësojnë nevojën e tyre për të pasur një fëmijë, për të qënë prindër, por edhe eventualisht, për të pasur dikë që të kujdeset për ta në pleqëri, për t’ju dhënë përkrahje morale, t’i dërgojë tek mjeku etj.
Të qënit prind është diçka shumë e natyrshme dhe prind mund të jesh edhe nëse fëmija që ju ka bërë të quheni të tillë nuk është gjaku juaj. Familja në vetvete ka vlerat e saj, pjesë e të cilave është edhe rritja dhe edukimi i shëndetshëm i fëmijës. Cdo individ, femër apo mashkull qoftë ka nevojë të jetë nëna apo babai i dikuj. Kjo është një e drejtë që nuk i duhet mohuar vetes, e themi në këtë mënyrë pasi shumë çifte zgjedhin të kalojnë jetën e tyre në “vetmi” në vend që të pranojnë t’i nënshtrohen proçesit të adoptimit.
Përse ndodh kjo?
Një nga faktorët që ndoshta ndikon me tepër në këtë aspekt është opinioni i shoqërisë. Shpesh edhe pse disa prindër vendosin të birësojnë një fëmijë mendojnë ta bëjnë brenda rrethit së tyre familjar. Janë jo të rralla rastet kur motra birëson fëmijën e motrës apo vëllait të saj.
“Pas shumë vitesh përpjekje për shtatëzani hoqëm dorë. Ajo dukej se nuk do të vinte kurrë dhe kështu ndodhi vërtet. Burri im kishte një problem, i cili e bëntë të ishte steril. Sigurisht që marrëdhënia jonë vazhdoi të ishte e njëjtë, por tashmë duhej të gjenim mënyrën si të realizonim ëndrrën tonë. U menduam gjatë dhe vendosëm të birësonim një fëmijë, por me kusht që ai të ishte pjesë e rrethit tonë familjar. Nuk kemi asgjë kundër fëmijëve që nuk janë gjaku jonë, por kjo ishte dëshira e të dyve. Menduam se një zgjidhje e tillë do të ishte më e lehtë për t’u pranuar. Sot kemi vajzën tonë e cila është mbesa e burrit tim. Vajza u adoptua në moshë të madhe dhe e pranoi pa problem këtë fakt, ndoshta në këtë ndikoi marrëdhënia e afërt që gjithmonë kemi pasur me prindërit e saj biologjikë. Ajo i takon ata rregullisht, i thërret “mami dhe babi”, njësoj si edhe ne. Pra, kjo është historia jonë”.
Shoqëria jonë duhet të tregohet më e hapur ndaj këtij “fenomeni, pasi t’i ofrosh një familje fëmijës pa asnjë përkrahje është veprimi më fisnik që njeriu mund të bëjë!
Materiale te ngjashme
A keni raste te familjarëve...
Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...
Për ty mike që je...
E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...
8 fakte befasuese për motrat...
Ka disa studime që shpjegojnë lidhjen mes motrave e vëllezërve në familje si dhe ndikimin indirekt që kanë ata në formimin dhe të ardhmen e njëri-tjetrit. Vëllezërit e motrat kalojnë...
9 mënyra si t’i tregoj...
Të zbulosh se je shtatzënë është një nga momentet më të rëndësishme të jetës. Është lajmi më i madh i jetës suaj, lajmi që mezi prisni t'i ndani me partnerin...
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu