Si t’ja them femijes te verteten e adoptimit

0 0

Si të bëjmë një prezantim të mirë të asaj çfarë ka ndodhur?
Zakonisht, ndjesia e të qënit i adoptuar mund të ndikojë tek vetëvlerësimi i fëmijës, ndërsa prindi mund të ndihet pak ngushtë për mënyrën si duhet t’ja shpjegojë fëmijës këtë, në mënyrë të tillë që ai të mos ndihet i refuzuar, trishtuar apo lënduar dhe ta pranojë këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe ndërsa prindërit mundohen të gjejnë mënyrën më të mirë për t’ja shpjeguar fëmijës, nga ana tjetër kureshtja e tij mund të jetë një sinjal që tregon se ka ardhur momenti për ta bërë këtë.
T’i përgjigjesh pyetjes: “nga vij unë”, nënkupton të japësh përgjigje rreth riprodhimit, lindjes dhe adoptimit. Nëse fëmija nuk ju pyet në lidhje me këtë fakt duhet të jeni ju që të nisni një bisedë me të, duke ju përgjigjur të gjitha pyetjeve që ai mund t’ju bëjë. Është më mirë t’i përgjigjeni pyetjeve të fëmijës dhe jo ta mbushni atë me informacione që ndoshta nuk ka dëshirë t’i dëgjojë.
Kur fëmija është në moshën 4-5 vjeçare
Zakonisht fëmijët e moshës parashkollore janë shumë të drejtpërdrejtë në atë që mendojnë, janë egocentrikë, pra mendojnë se bota rrotullohet rreth tyre dhe nevojave të tyre, dhe për këtë arsye ju mund ta konsideroni si një moment të mirë për të treguar të vërtetën rreth adoptimit. Zakonisht fëmijët e kësaj moshe e pëlqejnë historinë e tyre të adoptimit, pasi janë ata në qendër të saj dhe duan të dinë si kanë ardhur në familjen tuaj. thellë thellë adoptimi nuk kuptohet si duhet në këtë moshë.
Ajo çfarë do t’i tregoni fëmijës tuaj në këtë moshë duhet të ketë pak a shumë këtë rrjedhë:
– Ai ka lindur njësoj si të gjithë fëmijët e tjerë në botë;
– Ai u rrit në barkun e një gruaje tjetër, por që ajo nuk ishte gati ose e aftë të kishte një fëmijë në atë kohë;
– Ju kishit shumë dëshirë të bëheshit prind;
– Ju e adoptuat atë për të qënë fëmija juaj përgjithmonë!
Ju nuk duhet të harroni pa theksuar se lindja e tij, ashtu si edhe adoptimi janë diçka shumë e bukur që ka ndodhur në jetën tuaj, kështu ai do të ndiejë gëzimin që ka sjellë në familjen tuaj duke ardhur në jetë.
Detyra më e vështirë e familjes birësuese shpesh bëhet pikërisht tregimi i të vërtetës së adoptimit. Fëmija nuk mund ta kuptojë apo pranojë këtë fakt pas një apo dy bisedimesh. Në të vërtetë ju duhet të flisni në mënyrë të vazhdueshme dhe të qetë me fëmijën tuaj derisa ta shikoni se ai tashmë e ka pranuar që nuk është fëmija juaj biologjik, por që gjithsesi është fëmija i familjes tuaj! Në disa raste tema e adoptimit mund të jetë diskutim i përjetshëm.
Fëmijët e moshës 5-11 vjeçare
Rreth moshës 6-7 vjeçare fëmija është në gjendje të kuptojë mënyrën dhe alternativat e krijimit të familjes. Pra ai është në gjëndje të kuptojë kur një fëmijë ka lindur në një familje të caktuar, dhe kur i është bashkuar asaj pas lindjes, pra e kupton procesin e adoptimit, dhe për pasojë në mendjen e tij bëhet më i qartë koncepti i prindit që ka sjellë në jetë një fëmijë dhe i atij që ka adoptuar një. Megjithatë, rreth moshës 10-12 vjeçare fëmija fillon të krijojë brenda vetes disa ndjenja komplekse si ajo e të qënit i “braktisur” si edhe ajo e të qënit ndryshe, dhe për pasojë të shpërthejnë në kriza inati dhe trishtimi, duke u ndier shpesh edhe të pasigurt në vetvete. Ata mund të fillojnë të pyesin rreth arsyeve që nëna i ka braktisur duke u munduar të japin alternative të asaj çfarë ajo mund të kishte bërë.
Pyetjet që ata mund të fillojnë të bëjnë janë:
– Kur ajo nuk kishte par apse nuk gjente një punë?
– Nëse mendonte se një fëmijë nuk mund të rritet vetëm me një prind, pse nuk u martua?
– Nëse nuk dinte si të kujdesej për një fëmijë pse nuk kërkonte ta mësonte dikush?
Këto dhe pytje të tjera janë ato me të cilat mund të përballen prindërit adoptues ndërsa fëmija i tyre përpiqet të kuptojë më shumë rreth asaj që nëna e tij biologjike ka bërë. Fëmija i kësaj moshe mund të fillojë të ndiejë dhimbje për familjen biologjike që nuk e ka njohur kurrë ashtu si edhe prindërit adoptues mund të ndiejnë dhimbje për fëmijën që nuk e lindën dot kurrë.
Ja si mund të shprehin fëmijët e kësaj moshe atë çfarë ndiejnë:
– Disa pranojnë të flasin hapur rreth ndjenjave të tyre;
– Disa përpiqen të mbrohen duke mohuar atë çfarë ka ndodhur;
– Për disa kjo është një eksperiencë shkatërruese që i bën të ndiejnë shumë zemërim;
– Disa mendojnë se adoptimi nuk është dicka për t’u bërë kaq e madhe.
Edhe në këtë rast është shumë i rëndësishëm dialogu mes fëmijës dhe prindërve adoptues. Ashtu si ideja e adoptimit ndryshon me kalimin e kohës tek fëmija, ashtu edhe prindi duhet të mundohet ta përshtasë dialogun me fëmijën në bazë të gjendjes shpirtërore të fëmijës, zhvillimit fizik, emocional dhe intelektual.
Para-adoleshenca dhe adoleshenca (12-18 vjeç)
Kjo është një moshë kur fëmija e ndien veten të pavarur dhe për pasojë mund të dojë të largohet nga prindërit, në mënyrë që të krijojë identitetin e tij, qoftë ai i adoptuar ose jo. Nëse fëmija nuk merr orientimin e duhur, krijimi i identitetit mund të bëhet më i komplikuar. Prindërit mund të përfitojnë nga kjo pjesë e zhvillimit të fëmijës për të treguar atë çfarë ka ndodhur, në mënyrë që ai të kutpojë dhe të pranojë i lirë adoptimin. Nuk mund të themi se ekziston një mënyrë konkrete e të treguarit së të vërtetës së adoptimit, por mund të themi se është shumë e rëndësishme të mbahet gjithmonë i hapur një dialog mes prindit dhe fëmijës. Dëjgoni atë çfarë fëmija thotë, përpiquni të kuptoni si ndihet si edhe e ndihmoni të pranojë sa më mirë që nuk është fëmija juaj biologjik.






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

A keni raste te familjarëve...

Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...

Për ty mike që je...

E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...

8 fakte befasuese për motrat...

Ka disa studime që shpjegojnë lidhjen mes motrave e vëllezërve në familje si dhe ndikimin indirekt që kanë ata në formimin dhe të ardhmen e njëri-tjetrit. Vëllezërit e motrat kalojnë...

9 mënyra si t’i tregoj...

Të zbulosh se je shtatzënë është një nga momentet më të rëndësishme të jetës. Është lajmi më i madh i jetës suaj, lajmi që mezi prisni t'i ndani me partnerin...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X