Gjermania, Franca dhe Anglia panë këtë sezon një verë që nuk e kishin ndier prej dhjetëra vitesh, ndërsa autoritetet paralajmëronin shpesh njerëzit që të shmangnin orët e nxehta gjatë ditës.
Valët e nxehtësisë mund të jenë të rrezikshme dhe nganjëherë vdekjeprurëse, veçanërisht për popullatat delikate si foshnjat, fëmijët e vegjël dhe njerëzit e moshuar.
Ndërsa është thënë shumë në lidhje me rrezikun që mbartin orët e pikut gjatë ditës, nuk është thënë asgjë për rreziqet e valëve të nxehtësisë që nuk arrin të shuhet as në mbrëmje.
Sapo bie muzgu, disa njerëz që janë më të rrezikuar për t’u prekur nga nxehtësia mund të mos kenë ku të shkojnë dhe të qëndrojnë të freskët.
Rreziqet që paraqiten nga temperaturat e larta gjatë natës
Ekzistojnë sëmundje të ndryshme që lidhen me nxehtësinë me të cilat njerëzit përballen sidomos gjatë verës ku temperaturat janë më të larta se sa normalisht.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve zakonisht përshkruajnë si burimin e problemeve goditjen nga nxehtësia, rraskapitjen për shkak të nxehtësisë, djegiet, skuqjet etj.
Këto probleme mund të jenë ndonjëherë shumë të ashpra. Mund të ndodhë që për shkak se jeni “goditur” direkt nga i nxehti të keni të vjella, dhimbje koke, marrje mendsh e madje edhe gjendje të fikëti.
Edhe djegia nga dielli që mund të tingëllojë si një gjë qesharake është akoma më serioze pasi dëmton lëkurën tuaj dhe mund të krijojë edhe flluska me ujë që dhëmbin.
Temperaturat gjithnjë e më të ngrohta mund të bëjnë që diçka si presioni i lartë i gjakut të keqësohet.
Shumë njerëz e kuptojnë kërcënimin e rreziqeve shëndetësore të lidhura me nxehtësinë gjatë ditës, por ata harrojnë që rreziqet e barabarta janë ende të pranishme gjatë natës.
Pasi dielli perëndon dhe vala e madhe e nxehtësisë mund të mos jetë më, temperaturat jashtë mund të mos jenë ftohur sa duhet për njerëzit, trupat e të cilëve janë ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme gjatë gjithë ditës.
Të moshuarit, fëmijët, ata me sëmundje kronike: Njerëzit që janë në gjumë nuk mund ta kuptojnë që temperatura e tyre po rritet, në krahasim me ditën kur janë zgjuar dhe arrinë ta kuptojnë.
Kërcënimi kryesor për këto grupe është se atyre nuk u jepen trajtimet e nevojshme gjatë natës. Për këtë arsye nevojitet që njerëzit të ndërgjegjësohen patjetër. Mjekët paralajmërojnë që të shmangni çdo aktivitet të fortë gjatë ditëve të nxehta, si ushtrimet apo ngritja e sendeve të rënda, edhe gjatë natës, në rast se trupi juaj nuk ka qenë në gjendje të ftohet pasi keni qëndruar të ekspozuar ndaj temperaturave të larta.
Të jetosh në një “ishull nxehtësie”
Këto rreziqe mund të jenë veçanërisht të mëdha për njerëzit në mjedise urbane me popullsi të dendur.
Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA) shpjegon se qytetet me ndërtesa të larta në thelb janë “ishuj të nxehtësisë”.
Zonat e dendura urbane me të paktën 1 milion njerëz si Tirana mund të jenë 1.8 deri 5.4 gradë më të nxehta se zonat përreth. Kjo është edhe më e theksuar gjatë natës. Në mbrëmje, këto “ishuj nxehtësie” mund të jenë madje 22 gradë më të nxehta sesa zonat rurale.
Këto ngritje të temperaturës mund të dëmtojnë rrjetet energjetike të qytetit, të rrisin shpenzimet e ajrit të kondicionuar dhe të rezultojnë në më shumë sëmundje që lidhen me nxehtësinë.
Hulumtimi i botuar në 2012 shikoi ndikimin që kishin këto ishuj të nxehtësisë në shkallët e larta të vdekjeve në Paris gjatë një valë vdekjeprurëse të nxehtësisë që goditi Evropën në verën e 2003.
Studimi zbuloi se temperaturat e larta të natës kishin një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e njerëzve.
“Natën, zonat urbane lëshojnë ngadalë nxehtësinë e thithur gjatë ditës, gjë që e ndalon trupin e njeriut të rikuperohet pas ekspozimit gjatë ditës në nxehtësi të lartë,” përfunduan studiuesit.
Gati 15,000 njerëz vdiqën vetëm në Francë gjatë valës së nxehtësisë së asaj vere. Shumë nga ata që vdiqën ishin njerëz të moshuar.
Lexo edhe: Piku i nxehtësisë në verë, si të mbroni fëmijët
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu