Të dalat jashtë së të porsalindurit në javën e dytë të jetës kanë karakteristika të ndryshme nga ato të fëmijës më të madh, qoftë lidhur me ngjyrën dhe qoftë me erën, fortësinë. Nga ana tjetër të dalat jashtë ndryshojnë dhe në varësi të llojit të ushqyerjes së fëmijës.
Nëse fëmija ushqehet me gji, të dalat jashtë do të jenë:
– Më të ujshme dhe si krem ( ngjisin në bebelinë );
– Me ngjyrë të verdhë si ngjyrë floriri;
– Mund të jenë me mukus;
– Vijnë erë thartirë.
Nëse fëmija ushqehet me qumësht artificial, të dalat jashtë do të jenë:
– Më të forta, të thata dhe më të formuara ( nuk ngjisin në bebelinë );
– Ngjyra është e verdhë e çelët, gati si gri ose ngjyrë kafe;
– Me erë të keqe që ndihet menjëherë.
Sa herë duhet të dalë jashtë?
Normalisht gjatë kësaj periudhe i porsalinduri del jashtë pas çdo të pire, domethënë edhe 6 – 7 herë në ditë. Ndonjëherë mund të dalë jashtë 1 herë në ditë, ose 1 herë në 2 – 3 ditë.
Cfarë të bëjmë nëse fëmija nuk del jashtë?
– Të mos i japim ilaçe “pastruese” ( laxative ) pa rekomandimin e mjekut;
– Nuk duhet të ngacmohet anusi i fëmijës me majdanoz, termometër, ose dicka tjetër;
– Gjatë banjës, fëmija lihet më gjatë i zhveshur ( gjithmonë i mbështjellë me një peshqir të ngrohtë ) dhe masazhohet butësisht barku;
– Fëmija vendoset disa herë gjatë ditës përmbys, mbi një sfungjer në formë cilindri me diametër rreth 10 – 15 cm.
Cfarë të bëjmë nëse në të dalat jashtë vërehen pika të bardha?
Kjo nuk përbën aspak problem. Janë pika të kazeinës, e cila është një lloj proteine që gjendet relativisht me shumicë në qumësht.
Cfarë të bëjmë nëse të dalat jashtë janë me ngjyrë jeshile?
Edhe në këtë rast nuk duhet të shqetësoheni, sepse është një dukuri krejt normale. Kjo ndodhi është shumë e shpeshtë, veçanërisht kur fëmija është me verdhëz.
Të dalat jashtë bëhen jeshile, sepse bilirubina e pranishme në të, në mjedis oksidohet dhe kthehet në biliverdinë ( një lëndë që ka ngjyrë jeshile ). Pra, të dalat jashtë tregojnë se ato kanë qëndruar pak më gjatë sesa duhet në mjedis, në kontakt me oksigjenin e ajrit ( për shembull në panolina, apo në fundin e zorrës ).
Po kur feçet janë të forta ( kapsllëku )?
Në përgjithësi, nëse një nga prindërit ka vuajtur nga kapsllëku, edhe fëmija e vuan nga një gjë e tillë. Kjo dukuri lidhet me shpeshtësinë, karakteristikat e të dalave jashtë dhe lloj-lloj hollësirash të kota, që e kthejnë të dalët jashtë të fëmijës në diçka aq të rëndësishme, sa që pushon së qeni një dukuri normale.
– Fëmija që ushqehet me gji
Nuk e njeh kapsllëkun, sepse karakteristikat e kësaj ushqyerjeje sigurojnë jo vetëm një funksionim të përkryer të zorrëve, por edhe përshtatshmëri absolute.
– Fëmija që ushqehet me qumësht artificial
Kapsllëku është i rrallë. Mund të ndodhë kur prishen raportet e masës së qumështit artificial me ujin, ose kur përdoret si tretës lëngu i orizit, ose qumështi i përdorur nuk është i përshtatur për moshën dhe peshën e fëmijës

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu