Parimet e fillimit te ushqimit

0 1

1. Filloni tʼi jepni ushqime të tjera dhe lëngje, krahas qumështit të gjirit ose formulës, kur fëmija mbush 6 muajsh .
Për të pritur deri këtë kohë ka disa arsye:
a. Qumështi i gjirit është burimi më i mirë i lëndëve ushqyese që i duhen foshnjës për rritje dhe zhvillim të mirë, veçanërisht zhvillimin e trurit. Ushqimi me çfarëdo tjetër veç qumështit të gjirit (ose formulës, nëse nuk e ushqeni me gji) para moshës 6 muajshe bën që foshnja të mos marrë qumësht të mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e veta.
b. Aparati tretës dhe veshkat e foshnjave nuk janë ende të gatshme të përballojnë ushqime të tjera para 6 muajsh. Dhënia e ushqimeve të tjera mund të shtojë rrezikun e alergjive dhe infeksioneve, si gastroenteriti.
c. Para se të bëhen 6 muajsh, foshnjat janë ende në procesin e mësimit të mënyrave të ngrënies së ushqimit më të plotë. Kur bëhen 6 muajsh, ato janë të etur të provojnë ushqime të reja, mund të zgjaten dhe të kapin ushqime për tʼu vetëushqyer.
d. Në moshën 6 muajshe, gjuha e foshnjës mund tʼi lëvizë ushqimet nëpër gojë. Edhe gjasat që foshnja të mbytet apo tʼi merret fryma janë më të vogla.
e. Një foshnjë që fillon ushqimet dhe lëngjet e tjera në këtë moshë, nuk ka nevojë për ushqim të shtypur dhe mund të hajë menjëherë ushqimet e pjesës tjetër të familjes.
2. Filloni tʼi jepni nga një vakt në ditë dhe shtojeni numrin e tyre, në mënyrë që kur të bëhet 1 vjeç, foshnja juaj të hajë 3 vakte të plota dhe 2 vakte të shëndetshme ndërmjetëse. Foshnja ka nevoja të mëdha për lëndë ushqimore, por stomak të vogël, prandaj duhet të hajë më shpesh. Ofrojini shije dhe struktura të ndryshme.
3. Lejojini foshnjat të mbajnë ushqim në duar dhe të vetëushqehen. Kjo mund tʼi bëjë të ndotin, por edhe i ndihmon të mësojnë teknikat themelore. Mund tʼu jepni edhe ushqim të butë me lugë. Nëse dëshironi, fillimisht, ushqimin mund ta shtypni ose copëtoni, por është e rëndësishme tʼi lini copat përherë e më të mëdha, në mënyrë që rreth moshës 12 muajshe foshnja juaj të hajë ushqimin normal të familjes. Ushqimi i freskët dhe i përgatitur në shtëpi është ushqimi më i mirë për foshnjat.
4. Është e rëndësishme që vaktet të përmbajnë të gjitha lëndët ushqyese që i duhen foshnjës. Asnjë lloj ushqimi nuk i përmban të gjitha lëndët ushqyese. Vaktet duhet të kenë një gamë ushqimesh të ndryshme, përfshirë ushqimet me përmbajtje niseshteje, proteine dhe fruta e perime.
Gjatë gatimit të ushqimit ose më vonë mos hidhni kripë apo sheqer dhe mos përdorni ushqime ose lëngje të kripura apo të sheqerosura sepse mund të shkaktojnë probleme. Kontrolloni përbërjen në etiketë për të parë nëse ushqimit i është shtuar sheqer. Qumështi gjysëm i skremuar nuk duhet përdorur si lëng deri sa fëmija të mbushë 2 vjeç, ndërsa qumështi i skremuar nuk duhet përdorur deri në moshën 5 vjeç.
5. Stomaku i foshnjës është thuajse sa grushti i saj, gjë që ndihmon në caktimin e porcioneve që i duhen dhënë. Dhënia e ushqimeve që zënë vend (siç janë ushqimet me shumë fibra) mund tʼua mbushë stomakun fëmijëve, por u ofron pak lëndë ushqyese.
6. Departmenti i Shëndetësisë rekomandon dhënien çdo ditë të vitaminave me pika (Vitamina A, C dhe D) për foshnjat nga 6 deri në 12 muajshe që ushqehen me qumësht gjiri ose konsumojnë më pak se 500ml qumësht formulë në ditë, si dhe për gjithë fëmijët nga 1 deri në 5 vjeç. Kjo rekomandohet për shkak të një shtimi të rasteve të rakitizmit dhe mungesave të tjera në vitamina në Mbretërinë e Bashkuar. Familjet që kualifikohen për skemën Healthy Start mund tʼi marrin këto vitamina pa pagesë.
7. Në rastin e foshnjave që ushqehen me gji, teksa marrin ushqime më të plota, vazhdoni tʼi ushqeni me gji sipas kërkesës, deri sa foshnja ta rregullojë vetë sasinë e ushqimit të nevojshëm. Rekomandohet që foshnja të vazhdojë të ushqehet me gji deri në 2 vjeç apo më gjatë.
8. Në rastet e ushqyerjes me qumësht formulë, teksa foshnjave u shtohet sasia e ushqimeve më të plota, pakësojeni gradualisht deri në 500- 600 ml në ditë sasinë e qumështit formulë që u jepni si lëng ose në ushqim. Komsumimi i një sasie më të madhe bën që ato të hanë më pak ushqim dhe të mos marrin lëndët e nevojshme ushqyese. Filloni tʼu jepni foshnjave qumësht e lëngje me gotë dhe jo me shishe, sepse ndryshe u vështirësohet shkëputja e mëvonshme nga shishja dhe kjo mund të ndikojë në të folurën dhe shëndetin e dhëmbëve.
9. Shpesh foshnjat reagojnë ndaj gjërave të reja duke shtrembëruar fytyrën ose duke e nxjerrë ushqimin nga goja. Mos u shqetësoni, por përpiquni përsëri pak më vonë. Ushqimin e ri mund tʼju duhet tʼjua ofroni 10-20 herë para se ato ta pranojnë.
10. Rritja e shëndetshme vjen nga sasia e nevojshme e ushqimit të duhur, foshnjat e dinë kur janë ngopur. Këtë e tregojnë duke kthyer kokën, duke mbyllur gojën ose duke e shtyrë ushqimin. Lërini të hanë si duan. Mos i detyroni dhe mos i gënjeni për të hapur gojën. Nëse nuk duan të hanë, prisni deri në vaktin tjetër. Mos u jepni ushqime ndërmjetëse me kripë apo sheqer për të zëvendësuar atë që nuk kanë ngrënë.
11. Shmangni shpërqëndrimet nga televizori dhe lodrat gjatë kohës së ushqimit. Përgëzojini fëmijët kur hanë mirë. Zakonisht, ata hanë më shumë, kur hanë bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Kur ke një fëmijë në...

Nëse ti ke një fëmijë Ujor, ja cfarë duhet të dish..: UJORI (21 janar - 19 shkurt) Ky fëmijë do të jetë gjithmonë origjinal. Ai është një novator i lindur...

Emra mysliman per bebe

Tradicionalisht në komunitetin mysliman, foshnjave u vihet një emër në ditën e shtatë pas lindjes. Kuptimi i emrit është shumë i rëndësishëm. Myslimanët favorizojnë emrat që janë të virtytshëm dhe...

Qumështi i gjirit ndihmon zemrën...

Dihet prej kohësh që qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për të porsalindurin dhe për fëmijën deri në një vit e më tej, nëse është e mundur. Në...

Rritje e numrit të lindjeve...

Tashmë është demonstruar gjerësisht: pandemia Covid-19 ka pasur një sërë pasojash negative indirekte, përveç atyre më të njohura dhe të lidhura ngushtë me infeksionin. Midis tyre, ka gjithashtu një rritje...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X