Pak ditë më parë aktorja e humorit Rudina Dembacaj shpërndau një foto në rrjetet e saj sociale, ku mesazhi që përcillte ishte se çdo prind duhet të edukojë fëmijën e tij, por nëse një fëmijë tjetër e dhunon, ajo thoshte se po e mësonte fëmijën të vetëmbrohej, edhe nëse është e nevojshme të përdorë dhunë.
Ka mjaftuar ky postim për të sjellë një lumë komentesh, që kanë qenë të ndarë në dy mendësi të kundërta. Një pjesë e ka kritikuar për gjuhën e përdorur e për keqedukim të fëmijës me dhunë dhe pjesa tjetër e ka mbështetur, si të vetmen mënyrë që fëmijët të mbrohen nëse dikush u bën keq.
Lidhur me këtë temë, aktorja e humorit ka folur kur ka qenë e ftuar në emisonin “Ftesë në pesë” duke bërë paralelizmin me mënyrën si është edukuar ajo nga prindërit dhe si po edukon tani vajzën e saj.
Rudina ka treguar se është rritur me dy prindër mësues e për rrjedhojë e kanë mësuar të jetë shumë e edukuar, edukatë që sipas saj për mjedisin ku është rritur, ka qenë e tepërt.
Ajo thotë se është mësuar që gjithmonë të respektojë më të rriturit e të mos reagojë ndaj fjalëve të tyre, edhe nëse ato ishin abuzuese.
Kjo gjë, për Rudinën ka ndryshuar kur ka qenë në fakultet, pasi një ngjarje i ka shënjuar gjithë jetën dhe mënyrën e të menduarit. Teksa ka qenë duke pritur në radhë për të marrë notën në sekretari, disa persona pak më të “shkathët” kanë hyrë për të marrë notën të parët. Këtu Rudina përcjell një mesazh të rëndësishëm se nuk bëjnë gabim vetëm ata që thyejnë rregullat, por edhe ata që nuk reagojnë ndaj tyre.
Për t’u rikthyer thashmë tek mënyra si ajo edukon të bijën, sot që është vetë prind, Rudina tregoi një episod të ndodhur në kopshtin e vogëlushes Viktoria. Kur i ati kishte shkuar ta merrte si çdo ditë të zakonshme, edukatorja nuk i kishte treguar asnjë ngjarje të pazakontë të ditës, ndërsa kur vajza kishte hipur në makinë i kishtë thënë të atit se dikush e kishte rrahur. Në këtë moment Rudina thekson rëndësinë që ka komunikimi prind-fëmijë. Ajo është mësuar t’i tregojë vajzës shumë gjëra që i ndodhin gjatë ditës, si për shembull telefonatat me gjyshërit, aktivitetet në punë etj, në mënyrë që edhe ajo të ndihet komode dhe të ketë besim për të treguar çfarë i ka ndodhur. I shqetësuar, i ati e ka pyetur për zënkën e ndodhur në kopsht dhe më pas kanë këmbëngulur të shikojnë kamerat.
Rudina pohon se ende nuk e ka parë atë filmim me këmbënguljen e të shoqit, pasi nuk do të arrinte të vetëpërmbahej. Siç tregon ajo, një djalë në kopsht qëllon Viktorian përreth një minutë ndërkohë që edukatorja qëndron përballë në telefon, pa reaguar. Kjo gjë e ka tronditur pa masë Rudinën dhe tregon se është marrë masa ndaj saj dhe është pushuar nga puna. Megjithatë, për aktoren kjo nuk mjafton, pasi nuk e shlyen dëmin që i është bërë së bijës dhe teksa rrëfen këtë ngjarje, përlotet e deklaron se për të mbrojtur të drejtat e fëmijës së saj, ajo është në gjendje të bëhet shqiponjë.
Duke shfaqur disa nota pendese, Rudina thotë se është tmerruar kur ka mësuar këtë ngjarje dhe ka marrë një gomar lodër për t’i demonstruar vajzës si të gjuajë me grushta, por i shoqi e ka qetësuar menjëherë.
Pas kësaj ngjarjeje, Rudina ka kontaktuar një profesionist taekwondoje dhe sapo vajza të bëjë tre vjeçe do e e regjistrojë në këtë sport që të marrë mësimet e nevojshme për vetëmbrojtje.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu