Ka studime të cilat dëshmojnë qartë se në cfarë mënyre dhe sa ndikon dhuna në familje mbi të menduarin e fëmijës me kalimin e viteve.
Fëmijët i mësojnë sjelljet e dhunshme nga prindërit e tyre, të cilët mund të jenë të dhunshëm ndaj njëri-tjetrit ose ndaj fëmijëve.
Studiuesit tregojnë se rrahjet dhe abuzimet e prindërve ndaj fëmijëve të tyre shkaktojnë probleme psikologjike dhe emocionale tek fëmijët. Fëmija që rritet në një familje me prindër të dhundhëm, do të rritet larg tyre dhe në jetë do të shfaqet i tërhequr, i ndrojtur, madje dhe “frikacak”, në marrëdhënie me të tjerët.
Janë të shumtë fëmijët të cilët provojnë dhunë fizike në familje. Ata kërcënohen me rrahje dhe shpesh goditen nga prindërit e tyre për arsye të tilla si për shembull, në rastet kur dikush shpreh “mospëlqim” për sjelljen e fëmijës, kur kanë marrë në kopsht apo në shkollë një notë të keqe, ose kur nuk kanë rregulluar shtratin.
Presioni i dhunës i tmerron fëmijët. Bashkëjetesa me dhunën i mëson ata t’i bëjnë gjërat nga frika. Me kalimin e viteve vihen re ndryshime të mëdha në sjelljen e fëmijëve, që kanë provuar apo vazhdojnë të provojnë dhunë në familje. Shumë prej tyre nuk shkojnë mire në shkollë, veçohen nga të tjerët dhe janë më të predispozuar për t’u futur në shoqëritë e këqija.
Dhuna në familje ndikon shumë edhe në lojën e fëmijës. Marrim si shembull rastin e një vajze, e cila luan “shtëpiash” me një shoqen e saj. Ajo i kërkon asaj kukullën. Shoqja ja jep, por vajzës nuk i pëlqen kukulla dhe fillon të qajë, ta godasë shoqen dhe ta përplasi kukullën. Kjo sjellje i bën shoqet të largohen prej saj.
Fëmijët, të cilët e shohin apo e provojnë vetë dhunën në familje mund të shprehin:
– Frikë, shqetësim për sigurinë e tyre;
– Sjellje agresive ndaj të tjerëve;
– Shënja depresioni;
– Pagjumësi;
– Mungesë dëshire për të zbuluar mjedisin rrethues;
– Dhimbje koke, dhimbje stomaku ( edhe kur nuk është sëmurë );
– Nervozizëm, ankth, siklet;
– Çrregullime në ushqyerje;
– Vlerësim të ulët të vetes;
– Tërheqje, veçim;
– Arritje të pakta në mësime, vështirësi në përqëndrim;
– Tendenca për vetëvrasje;
– Stres post-traumatik ( një lloj çrregullimi, i cili bën që fëmija të ripërjetojë traumën, të shfaqë sjellje shmangëse, si dhe simptoma të tjera ).
Fëmijët e abuzuar
Të gjithë besojmë se e ardhmja e shoqërisë varet nga mënyra se si ne i trajtojmë sot fëmijët tanë. Megjithatë, për fat të keq, trajtimi i fëmijëve ashtu siç duhet ende nuk ndodh.
Serioziteti për të kuptuar se çfarë pasojash sjell dhuna ndaj fëmijës ka filluar të kuptohet shumë vonë në shoqërinë tonë. Shumë fëmijë të dhunuar shfaqin probleme në aspektet njohëse, dhe të kujtesës në qoftë se do t’i krahasojmë ata me fëmijët e pa dhunuar.
– Fëmijët e abuzuar ( dhunuar ) shfaqin probleme në marrëdhëniet shoqërore si edhe në më të shumtën e rasteve ata janë të prirur që për cdo problem të fajësojnë gjithmonë faktorët e jashtëm, duke e hequr gjithmonë përgjegjësinë nga vetja.
– Fëmijët e abuzuar kanë shumë pak mundësi të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, duke shfaqur shumë më pak ndjenja për të tjerët, krahasuar me fëmijët jo të dhunuar.
– Fëmijët e dhunuar shfaqin më tepër sjellje vetëshkatërruese dhe ka shumë mundësi të ushtrojnë dhunë mbi fëmijët e tyre në momentin që bëhen prindër. Kur abuzimi është edhe seksual, sic mund të jetë incesti ( abuzimi seksual brenda familjes ) apo përdhunimi, pasojat mund të ruhen në kohë dhe të jenë shumë të rënda.
Individët që kanë provuar abuzimin seksual, kanë më shumë mundësi të zhvillojnë sjellje abuzive në të ardhmen.
Djemtë të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale, shfaqin probleme të tilla në të ardhmen si:
– Një dëshirë të tepruar për të rënë në sy;
– Sjellje homofobike;
– Gjendje depresive dhe ankth.
Vajzat seksualisht të dhunuara shfaqin probleme të tilla si :
– Vështirësi në vendosjen e marrëdhënieve shoqërore dhe sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e dashurisë;
– Provojnë shumë pak kënaqësi seksuale;
– Kanë vështirësi në përmbushjen e aktit seksual;
– Kanë vlerësim të ulët të vetes etj.
Cilët janë faktorët e dhunës ndaj fëmijëve?
Shpesh përpiqemi të gjejmë se cili prind abuzon më shpesh ndaj fëmijës dhe duke bërë këtë, shpresojmë të gjejmë edhe mënyrën për të ulur apo ndaluar këtë problem. Është e rëndësishme të kuptojmë se në shumicën e rasteve është e vështirë të gjejmë një shkak të vetëm që shkakton dhunën prindërore.
Zakonisht keqtrajtimi i fëmijëve vjen si pasojë e elementëve të ndryshëm stresues, të cilët kanë më shumë mundësi të shkaktojnë dhunë se sa të forcojnë sjelljet mbrojtëse. Disa faktorë mund të jenë problemet martesore, papunësia, abuzimi me alkolin etj.
Çfarë të bëjmë kur arrijmë kulmin e nervave?
Shumë prindër në momente të ndryshme përjetojnë ndjesi dhune ndaj fëmijëve të tyre.
Ja cfarë duhet të bëni në raste të tilla:
– Vëreni fëmijën në një vend të sigurtë , zakonisht në një krevat, nëse është shumë i vogël.
– Largohuni nga dhoma dhe shkoni në një vend të qetë.
– Vendosni çfarë duhet të bëni për të shkarkuar nervat, nëse ju vjen për të bërtitur, bërtisni në një jastëk. Nëse ju vjen për të goditur diçka, godisni një mobilje apo krevatin.
– Shtrëngoni dhëmbët duke kafshuar diçka, apo shplani fytyrën me ujë të ftohtë.
– Pini një gotë çaj, dëgjoni pak muzikë apo shihni një fotografi të fëmijës suaj, ku ngjan i gëzuar dhe i qeshur, kjo duhet t’ju ndihmojë.
Nëse këto ndjenja të dhunshme dhe agresive ndaj fëmijës suaj i keni shumë shpesh, duhet të flisni patjetër me një specialist, një psikoterapist apo psikolog. Kjo është një çështje që duhet marrë shumë seriozisht. Kështu, ju mbroni fëmijën tuaj dhe shijoni fëmijërinë e tij bashkë me të.
Materiale te ngjashme
A keni raste te familjarëve...
Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...
Për ty mike që je...
E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...
8 fakte befasuese për motrat...
Ka disa studime që shpjegojnë lidhjen mes motrave e vëllezërve në familje si dhe ndikimin indirekt që kanë ata në formimin dhe të ardhmen e njëri-tjetrit. Vëllezërit e motrat kalojnë...
9 mënyra si t’i tregoj...
Të zbulosh se je shtatzënë është një nga momentet më të rëndësishme të jetës. Është lajmi më i madh i jetës suaj, lajmi që mezi prisni t'i ndani me partnerin...
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu