Jam 31 vjeçe dhe jam njohur me bashkëshortin tim në moshën 17 vjeçare. Muajt e parë ishin shumë intensivë dhe brenda një viti e kuptuam se dëshironim të kalonim gjithë jetën bashkë. Shumë shpejt, kur u bëra 18 vjeçe vendosa të bëja edhe fejesën edhe martesën në një afat shumë të shkurtër kohor.
Që prej atëherë, unë dhe bashkëshorti im jemi shumë të lumtur me njëri-tjetrin. Historia jonë e dashurisë është e preferuara ime dhe nuk do të doja të kishte asgjë ndryshe.
Duke qenë se jetojmë në një qytezë të vogël provinciale, i gjithë rrethi im i ngushtë, por jo vetëm, ishin në dijeni të ecurisë së marrëdhënies sonë dhe shumë shpejt pas martesës vërshuan pyetjet se kur do të bëheshim me fëmijë. Këto pyetje në fillim nuk na shqetësonin aspak, madje na e shtonin dëshirën për ta shtuar familjen tonë jo me një, por me shumë fëmijë.
Megjithatë, fëmija aq shumë i dëshiruar po vononte. Muajt e më pas vitet kalonin dhe përpjekjet tona vazhdonin pa rezultat. Pyetjet bëheshin më të shpeshta dhe me një ton më të fortë kritik.
Në fillim mendonin se ishte një vonesë normale që do të zhbëhej nga muaji në muaj, por kuptuam që nuk ishte kështu. Shkuam të bënim të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe na rezultoi se im shoq kishte probleme me pjellorinë.
Që kur mësuam këtë lajm, çdo temë që lidhej me mundësinë tonë për të bërë fëmijë, kishte tjetër efekt mbi ne. Na trishtonte, na kujtonte me çfarë duhej të përballeshim.
Brenda meje tashmë kishin filluar shumë “luftëra”. E para me veten, dëshira ime për tu bërë nënë luftonte me pamundësinë, e dyta me tim shoq i cili e kishte shumë të vështirë të përballej me problemin duke shkuar te mjeku, duke ndjekur këshillat e tij, duke mbajtur regjim ushqimor, duke pirë ilaçe dhe e treta me njerëzit që pyesnin se kush nga ne e kishte “fajin”.
Faji është fjala që shenjon ditët, javët, muajt e vitet tona. Ne sot kemi 12 vjet të martuar dhe ende nuk jemi gëzuar me një trashëgimtar. Nuk e dimë ende se kur do të vijë. Por kam një lutje për të gjithë ju që më njihni mua dhe për këdo që njeh një grua që ende nuk është bërë nënë.
Nëse ka kaluar shumë kohë dhe ajo ende nuk ka bërë fëmijë, ju lutem mos e pyesni kur do ta bëjë fëmijën, e aq më pak kush e ka “fajin”. Ju siguroj se kur mrekullia të ndodhë, unë apo dikush tjetër do të tregojmë pa na pyetur fare.
Dërgoni historitë tuaja anonim ne [email protected]
Lexo edhe: Si eshte te mbetesh shtatzane pas nje kohe te gjate perpjekjesh te pasukesshme?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu