Menstruacionet pas lindjes
Pas lindjes gruaja pëson një ripërtëritje së të gjitha funksioneve që gjatë shtatëzanisë i janë përshtatur mbajtjes dhe rritjes së fëmijës. Kjo fazë zgjat 6 javë dhe quhet “lehoni”.
Kur shfaqet cikli i parë pas lindjes së fëmijës?
Dy javë pas lindjes mund të shfaqen disa rrjedhje vaginale të ngjashme me menstruacionet, por në të vërtetë ato janë fragmente të veshjes së uterusit dhe gjakut të cilat dalin jashtë. Këto nuk duhet të ngatërrohen me menstruacionet, pasi janë më të bollshme dhe ndryshojnë ngjyrë me kalimin e kohës (zbardhen). Cikli i parë pas lindjes mund të shfaqet pas rreth 40 ditëve dhe mund të zgjasin më shumë se zakonisht (8-10 ditë), duke qënë gjithashtu më të bollshme.
Menstruacionet dhe gjidhënia
Nëse gruaja ushqen me gji menstruacionet mund të shfaqen më vonë, rreth fundit të procesit të gjidhënies, pasi prolaktina frenon funksionin ovarian. Megjithatë menstruacionet mund të shfaqen në mënyrë të çrregullt ose jo, dhe me shfaqjen e tyre vihet re një rënie e sasisë të qumështit. Edhe nëse gruaja ushqen me gji dhe ka mungesë cikli mund të ngelet shtatëzanë.
Pas lindjes cikli i gruas mund të ndryshojë. Ai mund të bëhet më i bollshëm ose jo krahasuar me periudhën e para lindjes, mund të bëhet më pak ose më shumë i dhimbshëm, i çrregullt etj. Në rast se cikli do të jetë i çrregullt në fillim, duhet të mos bëni asgjë në mënyrë që të rregullohet vetë.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu