Qumështi i nënës është një ushqim i mrekullueshëm për fëmijën, i cili duhet ta ketë atë në dispozicion sa më gjatë të jetë e mundur. Që qumështi i nënës ndryshon me kalimin e kohës është diçka që dihet, madje kjo është një nga ndryshimet që ka mes tij dhe qumështit artificial, përbërja e të cilit është konstante.
Por, a është e vërtetë që përbërja e qumështit të gjirit ndryshon edhe në bazë të gjëndjes shëndetësore të fëmijës? A mundet trupi i nënës të prodhojë qeliza mbrojtëse qoftë edhe për një grip që është duke kaluar fëmija?
Dihet që fëmijët e ushqyer me qumësht gjiri marrin nëpërmjet tij antikorpet e nevojshme për të luftuar një sëmundje që kanë në trup, madje mund të themi se trupi i nënës është në gjëndje të prodhojë qeliza mbrojtëse të posaçme, në bazë të infeksionit apo sëmundjes që fëmija shfaq.
Gjatë një studimi izraelit, të bërë në lidhje me këtë aspekt është vënë re një rritje e numrit të qelizave të bardha në qumështin e nënave që kanë qënë duke ushqyer me gji fëmijë nga mosha 0 deri në 3 muaj, të shtruar në spital si pasojë e një infeksioni në trup. Edhe në vitin 2013, një studim australian ka regjistruar të njëjtën gjë, pra rritje të qelizave të bardha në qumështin e nënave që kanë qënë duke ushqyer me gji fëmijë me një infeksion të caktuar. Në rastin e fundit rritja e numrit të qelizave ka qënë më e vogël krahasuar me rastin e parë, por gjithsesi me rëndësi.
Këto studime e lidhin përfundimin e arritur me faktin që fëmijët e ushqyer me gji shfaqin më pak probleme me infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, probleme me tretjen, otitin, infeksione të rrugëve urinare dhe përsa i përket fëmijëve prematurë shfaqin më pak probleme me enterokolitin.
Pyetja që mund të mendojnë nënat në këtë pikë është:
Si mundet fëmija t’i transmetojë “fabrikës së qumështit” nevojën qe ka për qelizat e bardha?
Sipas një hipoteze, gjatë pirjes fëmija bën pauza të vogla gjatë të cilave qumështi tërhiqet drejt gjëndrave dhe merr me vete edhe sasi të vogla nga pështyma e fëmijës, në të cilën ndodhen mikrobet, të cilat më pas “analizohen” nga organizmi i nënës. Në bazë të mikrobeve që organizmi i nënës ka hasur tek pështyma e fëmijës bën prodhimin e antitrupave të nevojshme.
Kjo është vërtetuar më pas nga një rast i marrë në studim, i cili tregon qartë si ndryshon ngjyra dhe trashësia e qumështit në rastin kur fëmija është i sëmurë. Ai tani paraqitet më i trashë dhe më i verdhë, gati i ngjashëm me kulloshtrën, e cila është shumë e pasur me antikorpe dhe qeliza të bardha, të cilat janë qeliza të sistemit imunitar që ndihmojnë trupin të mbrohet ndaj infeksioneve. Por, jo gjithmonë mund ta lidhim ngjyrën e verdhë të qumështit të gjirit me gjëndjen shëndetësore të fëmijës, pasi ngjyra e qumështit të gjirit është e ndryshme për nëna të ndryshme.
Nëse fëmija ka temperaturë
Nëse fëmija shfaq temperaturë ju duhet ta vendosni atë sa më shpesh në gji në mënyrë që të garantoni një hidratim të mirë, pa qënë e nevojshme t’i ofroni atij lëngje të tjera. Nëse fëmija ka vëtem etje do të pijë vetëm disa minuta për të marrë qumështin e fillimit, i cili është më i lehtë duke qënë se përmban më pak sheqerna dhe yndyrna.
Nëse fëmija për shkak të gjëndjes jo të mirë shëndetësore nuk e preferon gjirin shpesh, duhe të jeni ju që t’ja ofroni. Nëse fëmija nuk e do gjirin për shkak të një dhimbje në vesh ose gripi të fortë, mund të provoni t’i ofroni qumësht gjiri të shtrydhur dhe më pas t’ja jepni atë me lugë.
Çfarë ndodh në rast se fëmija ka dhimbje barku?
Në rast se fëmija ka dhimbje barku qumështi i nënës është i vetmi ushqim i rekomanduar pasi ai përmban ujë, kripëra minerale, enzima etj. Në këtë rast idealja do të ishte vënia në gji sa më shpesh e fëmijës, gati cdo 15-30 minuta, në mënyrë që fëmija të marrë sa më shumë lëngje.
Çfarë të bëjmë në rast se fëmija ka dhimbje veshi?
Në rastet kur fëmija ka dhimbje veshi mund të mos ketë dëshirë të pijë gji. Ju në këtë rast duhet të zgjidhni një pozicion të përshtatshëm në mënyrë që ai të mos ketë dhimbje. Pozicioni ideal do të ishte ai vertikal.
Kur fëmija ka hundët e zëna
Hunda e zënë ndikon negativisht në thithjen e gjirit, pasi fëmija do të ketë vështirësi në frymëmarrje. Edhe në këtë rast do të ishte mirë që fëmijës t’i jepej për të pirë në pozicion vertikal dhe gjithmonë pasi i është hedhur solucion fiziologjik.

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu