Kujdesi oral gjatë shtatzënisë ndihmon në ruajtjen e shëndetit të foshnjës që do të lindë. Në fakt, disa studime kanë ngritur hipotezat se periodontiti, inflamimi kronik i indeve rreth dhëmbëve të shkaktuara nga bakteret e pranishme në pllakën që depozitohet në sipërfaqet e dhëmbit, mund të shkaktojë lindje të parakohshme që shoqërohen me një peshë të reduktuar të fëmijës në lindje (më pak se 2,500 gramë).
Rrezikshmëria për lindje të parakohshme
Është vlerësuar se gjashtë milionë vdekje perinatale ndodhin në mbarë botën çdo vit, shkaku kryesor i të cilave është lindja e parakohshme e fetusit. Organizata Botërore e Shëndetësisë përcakton lindjen e një porsalinduri përpara javës së 37-të si lindje të parakohshme. Ka shumë shkaqe të ndikuara nga faktorë individualë, gjenetikë, psikologjikë, biologjikë, mjedisorë dhe socialë, siç janë infeksioni i traktit urinar, mosha e re e nënës, stresi, niveli socio-ekonomik, pirja e duhanit, barnat, hipertensioni dhe diabeti.
Faji i baktereve
Mekanizmat me të cilat kujdesi jo i duhur oral gjatë shtatzënisë mund të çojë në rritjen e rreziqeve të lindjes së parakohshme dhe ngjarjeve të tjera negative janë të ndryshme: mikroorganizmat e pranishëm në pllakën bakteriale mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe të arrijnë njësinë fetale-placentare. Në të vërtetë, antitrupa specifikë për bakteret e lidhura me periodontitet janë gjetur në mostrat e gjakut të kordonit të kërthizës.
Përveç kësaj, inflamacioni i shkaktuar nga prania e pllakave bakteriale në mishrat dhe kockat rreth dhëmbëve shkakton përhapjen e molekulave inflamatore në të gjithë trupin, të cilat mund të arrijnë në placentë. Prandaj, përgjigja imune e nënës dhe e fetusit mund të shkaktojë një sërë ndryshimesh që sjellin lindjen e parakohshme.
Kontrollet te mjeku dhe higjiena janë të rëndësishme
Gratë duhet të kryejnë kontrolle të rregullta dhe periodike te dentisti, me qëllim që të monitorojnë shëndetin e mishrave të dhëmbëve tashmë para fillimit të një shtatzanie. Gjatë shtatzënisë, është e domosdoshme të hiqni me kujdes pllakën bakteriale me furçë dhëmbësh, të kryeni kontrolle më të shpeshta dhe nëse është e nevojshme, seanca profesionale higjienike orale.
A e dini se?
Në shtatzëni, për shkak të niveleve hormonale të ndryshuara, mishrat bëhen më lehtësisht të irrituar, duke shkaktuar gjakderdhje, skuqje dhe ënjtje edhe në prani të një akumulimi të reduktuar të pllakës bakteriale.
Lexo edhe: Kujdesi i dhembeve gjate shtatzenise
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu