Pergatitja per lindje

0 0

Lindja përbën kulmin e periudhës së shtatzanisë, është kurorëzimi i gjithë kujdesit të treguar për nëntë muaj me radhë, është momenti kur ju do të shihni fëmijën tuaj, të cilën e keni pritur me padurim.
Ky moment nuk matet me sekonda, por me orë, nga 6 deri në 12 orë. Nëse ju jeni të përgatitura, këto orë nuk do t’i përjetoni me shumë ankth.
Si ta kuptoni se akti i lindjes po afron?
Përvoja e çdo gruaje është e ndryshme, por ato që presin të bëhen nëna për herë të parë janë të shqetësuara nëse do të dinë t’i njohin shenjat e para të aktivitetit të lindjes në kohën e duhur.
Shenjat e lindjes
Gratë shtatzana shpesh herë tremben kur dallojnë një lloj sekrecioni të trashë, të perzier edhe me copëza gjaku i cili del nga vagina ( quhet “tapa mukoide”) , pa bërë ndonjë sforcim. Këto sekrecione mund të dalin ditën ose natën. Ju nuk duhet të trembeni pasi rënia e tapës mukoide tregon se për 24 ose 48 orë do fillojë aktiviteti i vërtetë i lindjes.
Përveç kësaj tape, gratë shtatzana, në ditët e fundit para lindjes kanë një ndjenjë rëndimi në fund të barkut, ndiejnë shpesh nevojën të shkojnë në tualet, urinojnë shpesh dhe në sasi të pakët, dhe ndodh që të bëjnë gjumë të çrregullt. Është shumë e rëndësishme që nëna në këtë fazë të numërojë lëvizjet e bebit të saj gjatë kohës që ajo është zgjuar.
Nëse këto lëvizje janë më pak se 12 për kohën që u përmend më sipër, mund të konsiderohet si shenjë alarmi dhe duhet t’i drejtoheni menjëherë mjekut gjinekolog.
Plasja e ujrave
Fëmija juaj rrethohet nga një cipë brenda mitrës, e cila përmban ujë, i domosdoshëm për rritjen normale të bebit. Në momentin që afrohet aktiviteti i lindjes, ky xhep ujrash çahet dhe gruaja ka rrjedhje uji nga organet seksuale, pa ndjerë kurrfarë dhimbje, madje mund të jetë në gjumë.
Ky nuk është moment për t’u alarmuar, por sidoqoftë duhet të vihet në dijeni mjeku.
Një grua mund të qëndrojë edhe 24 orë, me ujra të plasura, pa pasur kontraksione. I vetmi rrezik është mundësia e shfaqjes së një infeksioni, gjë që mund të ndodhë në rastet kur mungon higjena vetjake. Pra, ju mund të qëndroni deri në 24 orë, pa pasur nevojë të shtroheni ne spital, por gjithmonë si fillim duhet të kontaktoni me personelin mjekësor. Nëse kalojnë këto 24 orë dhe nuk
fillojne kontraksionet, duhet të drejtoheni menjëherë në spital në mënyrë që mjeku të kontrollojë gjendjen.
Kontraksionet
Do t’i quajmë kontraksione dhe jo dhimbje, për t`ju shpjeguar se ato nuk përjetohen vetëm me dhimbje. Kontraksionet mund të fillojnë si një forcim i barkut, i shoqëruar me ndjenjë rëndimi në fund të tij, apo edhe me shtrëngime të mesit.
Ato perceptohen mjaft të durueshme nga gruaja dhe kanë karakteristikë që mbarojnë për disa sekonda dhe ripërsëriten çdo 20 apo 30 minuta. Ju mund ta matni vetë kohëzgjatjen e tyre dhe sa është intervali ndërmjet tyre.
Në këto momente partneri apo një njeri i afërt i familjes mund t‘ju japi një ndihmë të mrekullueshme duke ju fërkuar mesin, nëse kjo gjë ju lehtëson. Mënyra e frymëmarrjes gjithashtu mund t‘ju ndihmojë mjaft. Në fillim të kontraksionit filloni të merrni frymë thellë, rrallë, duke marrë frymë me gojë dhe duke e nxjerr po me gojë, ose të njëjtën gjë mund ta bëni me hundë, ka të njëjtin efekt. Kjo lloj frymëmarrje ndihmon në kalimin më të lehtë të kontraksionit, sepse në këtë mënyrë truri i “përgjigjet” edhe informacionit që vjen nga një tjetër qendër, dhe në të njëjtën kohë i jep më shumë oksigjen bebit, i cili në momentin e kontraksionit ka më shumë nevojë për të se në çdo moment tjeter.
Me kalimin e kohës kontraksionet afrohen me njëra tjetrën, zgjasin më shumë deri në 60 sekonda ( maksimumi ), muskujt e barkut forcohen më shumë, dhe perceptohen më të dhimbshme nga gruaja. Këto kontraksione bëjnë të mundur hapjen e qafës së mitrës, gjë që ndodh shumë gradualisht ( norma është rreth 1cm hapje në orë ) dhe janë të pavullnetshme.
Sado mirë të jeni përgatitur për lindjen, ndjenja se trupi juaj është përfshirë në një proçes që ju nuk e kontrolloni dot vet, mund t`ju bëjë të ndjeni frikë dhe pasiguri. Ky është momenti kur prania e partnerit mund t’ju vijë mjaft në ndihmë dhe t’ju bëj të ndiheni më mirë.
Edhe frymëmarrja e bërë në mënyrën si u përshkrua me sipër, ju ndihmon në kalimin më lehtë të kontraksionit dhe sidomos nëse edhe partneri bën të njëjtën frymëmarrje me ju.
Pozicioni që mund të mbani
Jeni të lira të zgjidhni pozicionin në të cilin e ndjeni veten më rehat dhe ndieni më pak dhimbje. Në fillim të kontraksioneve mund të qëndroni ulur “në bisht”, ulur në karrige, në këmbë, apo shtrirë anash. Mundeni edhe të vendosni gjunjët në krevat dhe kokën në një grumbull jastëkësh. Mund të qëndroni të mbështetur tek partneri dhe ai t`ju fërkojë mesin apo shpatullat. Pra çdo pozicion që ju bën të ndiheni mirë, është i favorshëm.
Në fazën kur kontraksionet bëhen më të afërta ( deri çdo një minute ), nëse ndjeni nevojën për të urinuar është mirë të shkoni në tualet, sepse boshatisja e fshikëzës së urines ndihmon daljen e bebit.
Ndërkohë ecja gjatë intervalit, do të ndihmoj për të shtyrë poshtë kokën e bebit. Gjatë kësaj faze gratë mund të jenë më të shqetësuara, të kenë ndjenjën e të vjellit dhe humor të keq.
E përsërisim që prania e partnerit e lehtëson gjendjen dhe duhet të dini që kjo fazë zgjat 30 minuta ose pak më shumë. Nëse në këtë moment ndjeni nevojën për të shtyrë poshtë, mos e bëni pa marrë mendimin e mjekut. Është ai që do të vendosë kur është momenti që duhet shtyrë, sepse nëse bëhet më parë sec duhet, aktiviteti i lindjes mund të zgjasë më shumë.
Cfarë ndodh në fazën e dytë të lindjes?
Kjo fazë fillon kur hapja e qafës të mitrës ka arritur 10 cm ( quhet ndryshe hapje e plotë ). Gruaja këtë fazë e ka më të lehtë edhe pse kontraksionet janë çdo 1 minutë dhe zgjasin 60 sekonda, sepse ajo ka një ndjenjë të fortë së të shtyrit poshtë, gjë e cila shumë gra i lehtëson.
E gjithë periudha zgjat 30 minuta deri në një orë ( tek gratë të cilat lindin për herë të parë ). Nga ana tjetër kjo është një fazë kur gruaja e ndjen veten të dobishme sepse gjatë çdo kontraksioni duhet ndihma e saj e vullnetshme për të shtyrë poshtë, duke përdorur muskulaturën e barkut.
Pozicioni që mund të merrni është ai që ju krijon mundësinë të shtyni më mirë, i cili mund të jetë në kurriz, anash apo ndenjur. Po të gjeni pozicionin e duhur si edhe të keni ndihmën e partnerit, çdo gjë do t´ju duket më e lehtë.
Momentet e daljes së fëmijës:
– Qafa e mitrës është holluar, por ende nuk është hapur.
– Qafa e mitrës është hapur plotësisht dhe koka e bebit ka filluar të shtyjë në kanalin e lindjes ( vaginën ).
– Duket maja e kokës.
– Koka, pjesa më e gjerë e bebit, ka dalë jashtë. Pjesa tjetër e lindjes do të vazhdojë qetësisht.
Momenti i shumëpritur tani është shumë pranë dhe ju shpejt do të keni mundësinë të shihni fëmijën tuaj dhe ta mbani në gji. Në këtë moment provoni një ndjenjë çlirimi fizik dhe psikologjik të veçantë, ku gëzimi përzihet edhe me lotët. Por lindja nuk quhet e përfunduar derisa nuk ka dalë ende placenta, e cila del disa minuta ( deri në 30 ) pas daljes së fëmijës.
Gjatë kësaj kohe ju humbisni një sasi gjaku, e cila vlerësohet nga personeli mjekësor deri kur do të quhet normale. Për të realizuar daljen e placentës do t´ju duhet të shtyni përsëri, këtë herë pa dhimbje, por vetëm për të ndihmuar daljen e saj. Më pas, pasi mjeku sigurohet që placenta ka dale e plotë, lindja mund të konsiderohet e kryer dhe ju mund t’i përkushtoheni tërësisht fëmjës suaj, duke e vënë menjëherë në gji, në mënyrë që ai të ndiejë afërsinë e nënës deri në lëkurë.

Lexoni edhe: Disa shenja qe do tju bejne te kuptoni lindjen






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

Jo çdo NIPT është NIFTY

"Çfarë është testi NIFTY? A janë NIPT dhe NIFTY e njëjta gjë? A ka rëndësi se cilin të zgjedhësh? Këto janë të gjitha pyetjet me të cilat përballen shumë gra...

Gjithçka që duhet të dini...

Testi NIFTY nga GenePlanet u mundëson prindërve të ardhshëm të mësojnë më shumë për shëndetin e foshnjës së tyre ndërkohë që ai ose ajo është ende në mitër. Në këtë...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X