Nëna mund të ketë shumë dilema në lidhje me mënyrën e të vepruarit pasi është kthyer në shtëpi. Disa përgjigje praktike për të gjitha nënat e reja!
- Sa duhet të jetë temperatura e dhomës? 20 gradë.
- Ku duhet të flejë bebi? Fëmija duhet të flejë që ditën e parë në shtratin e tij dhe asnjëherë në atë të prindërve. E mbroni fëmijën tuaj nga SIDS!
- Në çfarë pozicioni duhet të flejë fëmija? Ai duhet të flejë gjithmonë në kurriz dhe asnjëherë anash apo përmbys.
- A duhet të qëndrojë fëmija me pjesëtarët e tjerë të familjes gjatë ditës? Ai duhet të qëndrojë së bashku me njerëzit e tjerëtë familjes, të dëgjojë zhurmë dhe zërat e tyre. Fëmija duhet të mësohet me të gjitha zhurmat e shtëpisë, madje edhe me atë të enëve të kuzhinës, aromën e ushqimeve, kjo pasi tashmë ky do të jetë mjedisi ku ai do të kalojë jetën e vet. Fëmija nuk duhet të qëndrojë asnjëherë vetëm dhe në errësirë.
- A duhet të lahet fëmija? Po! Që ditën e parë në shtëpi fëmijës mund t’i bëhet banjo edhe pse kërthiza ende nuk ka rënë. Megjithatë kujdesi për të mos e lagur duhet të jetë maksimal. Ajo nuk duhet të mbulohet nga bebelina.
- Sa herë duhet ndërruar fëmija? Fëmija duhet ndërruar rreth çdo 3 orë, si edhe sa herë defekon. Për ta larë atë duhet të përdoret ujë i rrjedhshëm.
- A duhet të përdoren letrat e lagura? I evitoni ato gjatë ndërrimeve në shtëpi, por mund të jenë një zgjidhje shumë praktike ndërsa jeni jashtë saj.
- Sa herë duhet të pijë fëmija? Sa herë të dojë, sa herë të ketë dëshirë të qëndrojë pranë jush. Mos vendosni limite kohore. Në këtë mënyrë edhe gjiri do të stimulohet së tepërmi.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu