Ekografia morfologjike është një prej kontrolleve më të rëndësishme të shtatëzanisë, me anën e së cilës bëhet bëhet vlerësimi i gjendjes shëndetësore të fetusit.
Kur duhet bërë ekografia morfologjike?
Ekografia morfologjike duhet të bëhet gjatë trimestrit të dytë të shtatëzanisë, konkretisht nga java e 19-të deri në javën 21. Rreth muajit të 5-të fetusi është mjaftueshëm i zhvilluar dhe për këtë arsye mjeku do ta ketë më të lehtë të bëjë vlerësimin korrekt të zhvillimit të disa organeve të tij. Megjithatë nëse mjeku dyshon se zhvillimi i disa organeve nuk është bërë si duhet dhe mendohet se ato kanë probleme, ekografia morfologjike mund të bëhet edhe në javën e 16-të.
Cilat janë organet që do të kontrollohen gjatë ekografisë morfologjike?
Nëse kjo ekografi do të kryhet nga një mjek gjinekolog shumë i kualifikuar, mund të zbulohet me një siguri të madhe gjinia e fëmijës si edhe të bëhet diagnostikimi i keqformimeve të strukturës së fetusit, gjithmonë nëse ka.
Organet që kontrollohen janë:
– Koka e fëmijës
Bëhet një kontroll shumë i detajuar i saj, i buzëve, i strukturës së indeve okulare (të syve), simetrinë e tyre, distancës që i ndan ata nga njëri-tjetri si edhe kontrolli i pjesëve të ndryshme të trurit.
– Shtylla kurrizore
Do të kontrollohet konformiteti i kockave të kolonës vertebrale, me anën e së cilit do të sigurohet që fetusi nuk paraqet keqformime të shtyllës kurrizore.
– Kafazi i kraharorit
Do të kontrollohen edhe kafazi i kraharorit dhe organet e brendshme, mushkëritë, zorrët, stomaku, si edhe muret e kavitetit abdominal për t’u siguruar që është bërë mbyllja e plotë e mureve të barkut.
– Zemra
Gjatë kësaj ekografie do të bëhet një vlerësim shumë i detajuar i këtij organi gjatë të cilit do të ekzaminohen pjesë të ndryshme të saj, rregullsia e rrahjeve, fluksi i gjakut që pompon.
– Kordoni ombelikal
Ky ekzaminim është shumë i rëndësishëm pasi na siguron se fetusi është duke marrë sasitë e nevojshme të vlerave ushqyese brenda barkut të nënës.
– Mëlçia
– Veshkat
Në këtë fazë të zhvillimit të fëmijës nuk mund të saktësohet nëse janë apo jo dy veshka, madje as me anën e kësaj ekografie kaq të detajuar. Duke qënë se lëngu amniotik prodhohet nga urina e fëmijës matja e sasisë të tij do të jetë shumë e rëndësishme, pasi ai do të jetë treguesi i mirëfunksionimit të veshkave.
– Gjymtyrët e poshtme dhe të sipërme
Kontrolli i gjymtyrëve do të bëhet për të siguruar se zhvillimi i tyre është duke u bërë në mënyrë korrekte.
Ekzaminimi morfologjik mund të jetë mënyrë e dobishme për të parandaluar gjithashtu edhe shfaqjen e patologjive të rrezikshme, që mund të ndodhin në këtë periudhë të shtatëzanisë, si për shembull rritja e fetusit jo brenda normave. Kjo është një gjendje e rëndë e cila mund të shkaktohet nga arsye të ndryshme, një prej të cilave mund të jetë mosfunksionimi i mirë i plaçentës, probleme më arteriet uterine etj, për këtë arsye mjeku gjinekolog duhet të kontrollojë me shumë kujdes nëse arteriet e uterusit janë duke funksionuar në mënyrën e duhur.
– Matja e qafës së mitrës
Gjatë kësaj ekoje bëhet edhe matja e qafës së mitrës, e cila tregon ekzistencën e rrezikut të lindjes parakohe.
Sa e sigurt është kjo ekografi?
Duhet të theksojmë se nëse ekografia morfologjike do të kryhet nga një mjek i kualifikuar dhe në mënyrë shumë të detajuar, do të nxjerrë rezultate 90% të sakta.
Po nëse një grua ka bërë më parë amniocentezën?
Amniocenteza mund të saktësojë vetëm ekzistencën e anomalive gjenetike, ndërsa ekografia morfologjike shërben për të bërë vlerësimin e ekzistencës së keqformimeve të mundshme të strukturës së fëmijës, keqformime të cilat nuk mund të dalin në pah me anën e amniocentezës.
Lexoni edhe: Sa ekografi duhen bere gjate shtatzanise?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu