Pastrimi i dritareve është një proces disi i vështirë dhe madje për disa gra mund të konsiderohet si një makth, sidomos nëse ato janë në një lartësi të madhe, të mos flasim për shtëpitë në të cilat ndodhen fëmijë të vegjël apo kafshë shtëpiake. Shpesh xhamat bëhen tepër pisë nga prekja me duar të papastra, nga shiu dhe pluhuri dhe sidomos tani që po vjen stina e dimrit duket se t’i mbash të pastra është një vështirësi tepër e madhe.
Por si mund të pastrojmë xhamat e shtëpisë sa më thjesht që të jetë e mundur?
Produktet
Një nga produktet që do t’ju ndihmojë në pastrimin më me lehtësi të dritareve të shtëpisë tuaj është amoniaku, i cili është mirë të jetë me aromë të mirë. Ju mund të hidhni një sasi të caktuar të amoniakut në një legen me ujë të ngrohtë dhe më pas të pastroni duke përdorur doreza. Kini kujdes: ndërsa jeni duke pastruar me amoniak duhet të përdorni doreza si edhe të ajrosni mirë ambientin e shtëpisë tuaj. Mos përzieni amoniakun me ndonjë detergjent tjetër.
Një tjetër detergjent që do t’ju vijë në ndihmë për pastrimine dritareve është edhe klori (Açe). Ju mund të tresni një sasi të caktuar në një legen me ujë të ngrohtë dhe më pas të pastroni xhamat duke përdorur një copë të butë të posaçme për to. Një alternativë tjetër do të ishte pastrimi klasik i xhamave me detergjent xhamash dhe gazetë.
Pastrimi i pluhurit
Pluhuri është problemi i parë që duhet zgjidhur, kjo pasi për një pastrim të mirë të sipërfaqeve prej xhami duhet që fillimisht të largohet pluhuri që ato kanë. Kjo mund të bëhet duke përdorur një copë lecke prej pambuku, e cila nuk duhet të kalohet vetëm mbi xham por edhe në cdo pjesë të kornizës së dritares. Në këtë rast nuk duhet të përdoret copë e lagur, pasi në të kundërt puna do të bëhet më e vështirë. Kini parasysh se për të mbajtur sa më larg pluhurin nga xhamat tuaj është mirë të ajrosni vazhdimisht shtëpinë tuaj gjatë ditës, dhe sidomos në momentin që jeni duke fshirë me fshesë, qoftë ajo fshesë e thjeshtë apo korrenti.
Pastrimi bazë
Pasi keni larguar pluhurin nga dritaret tuaja, merrni një sfungjer të lagur dhe kalojeni nëpër të gjithë dritaren, më pas duhet të merrni leckën e posaçme dhe legenin me ujë dhe amoniak (apo Açe) dhe të kaloni atë mbi xham duke filluar nga anët drejt qëndrës. Kini kujdes për të përdorur sasinë e duhur të detergjentit.
Përdorimi i detergjentëve
Nëse e shikoni të nevojshme mund të merrni një detergjent të posaçëm xhamash dhe të spruconi për të pastruar më pas me disa copa gazetash. Kjo mënyrë pastrimi do t’i mbajë xhamat tuaj të pastër për shumë ditë me rradhë.
Pastrimi i xhamave të jashtëm
Xhamat e jashtëm ndonjëherë janë shumë të vështirë për t’u pastruar dhe për këtë arsye mund të përdorni një copë për të hequr fillimisht pluhurin. Më pas duhet të merrni një legen me ujë të vakët dhe të hidhni në të një lugë alkool si edhe disa pika detergjent enësh. Pasi e keni pastruar me leckë të zhytur në këtë përbërje, duhet ta thani me gazetë ose copë pambuku të posacme për xhamat.
Pastrimi i vetratave
Vetratat, duke qënë se janë delikate mund të pastrohen duke përdorur detergjentin e larjes së parketit, një përbërje me ujë dhe sodë bikarbonat. Për më shumë shkëlqim mund të përdorni një përbërje të përfituar nga përzierja e vajit me alkoolin në masa të barabarta.
Artikuj te ngjashem:
11 gjerat qe nuk duhet te harroni pa pastruar
Si te pastrojme parketin pa e demtuar
Produktet e pastrimit te shtepise
Si te mbajme nje shtepi sa me te paster
Si te arredojme dhomen e femijes?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu