Flokët
Të pranishëm apo jo në lindje, të rrallë apo të dendur, do të bien në të njëjtën kohë. Në ndryshim me fëmijën pas vitit të parë të jetës ose me të rriturin, tek të cilët flokët kanë “moshë” të ndryshme dhe prandaj dhe rënia e tyre ndodh në kohë të ndryshme, tek i porsalinduri flokët kanë të njëjtën moshë, prandaj dhe bien në të njëjtën kohë. Këta flokë fillojnë të bien nga muaji i 2 – 3-të i jetës, duke filluar nga pjesa e pasme e kokës.
Sytë
Nëse sytë e bebit zihen me sklepa me ngjyrë të verdhë, kini parasysh se duhet të pastrohen me pak pambuk që e kemi zier për rreth 5 minuta në ujë ( duhet të pritet derisa të ftohet ), ose me ujë të zier ( rreth 35 minuta ) dhe të vakët.
Gjatë kohës që pastroni syrin, masazhoni butësisht me mollëzat e gishtave, këndin e syrit. Në këtë mënyrë zbrazet kanali që lidh syrin me hundën, sekrecionet e të cilit shpjegojnë bllokimin me sklepa të syrit ( ky kanal është më i ngushtë tek i porsalinduri dhe fëmija gjatë 6 muajve të parë të jetës ).
Mos përdorni kurrë pomade ose lëngje pa rekomandimin e mjekut, sepse mund të krijojnë probleme jo vetëm tek syri, por edhe në gjithë organizmin.
Gjithmonë merrni miratimin e mjekut të fëmijës tuaj.
Myku i gojës
Shpesh në gojë formohen disa pika të bardha, të cilat veshin mukozën e gojës, mishin e dhëmbëve dhe gjuhën. Nëse kjo ndodh duhet të jemi në gjendje të bëjmë dallimin midis mykut të gojës dhe pikave të mpiksura të qumështit. Si mund ta dallojmë? Pikat e qumështit largohen kollaj nga goja, ndërsa myku i gojës jo.
Si ta dallojmë që fëmija ka myk në gojë dhe jo pika të mpiksura qumështi?
– Mukoza përreth pikave të mpiksura të qumështit është normale, kurse në rastin e mykut ajo është e skuqur.
Pikat e mpiksura të qumështit nuk kanë nevojë për mjekim, ndërsa në rastin e mykut duhet të këshilloheni me mjekun tuaj për të marrë mjekimin përkatës.
Mjekimi i mykut të gojës është shumë thjeshtë. Zakonisht mjeku ju këshillon të përdorni shurup Daktarinë, ose Nystatinë 4 herë në ditë nën gjuhë, ose pak pluhur Nystatine, po ashtu në gjuhë ( një tabletë e shtypur e nystatinës ndahet në 4 pjesë ).
Medikamenti hidhet nën gjuhë me qëllim që veprimin ta ushtrojë në gojë dhe jo të gëlltitet.
Hunda
I porsalinduri mund të paraqesë këto probleme në hundë:
– Bën zhurmë kur merr frymë
Kjo zhurmë që dëgjohet kur fëmija merr frymë, është e lidhur me vogëlsinë e gojës dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes së bebit. Nëse tek vrimat e hundës ka edhe pak sekrecione, ”zhurma” gjatë frymëmarrjes theksohet edhe më shumë.
Këto rrethana nuk duhet t`ju shqetësojnë. Duhet të flisni me mjekun tuaj atëherë kur hunda është shumë e zënë me sekrecione.
Gjithësesi mos u përpiqni t`i lironi hundët duke përdorur shkopinj apo dicka tjetër.
-Teshtin
Teshtimat janë pa rëndësi dhe jo domosdoshmërisht tregojnë se fëmija është ftohur, përkundrazi duhet të nxiten sepse në këtë mënyrë “hapen mushkëritë”. Është gabim që në këtë rast të përpiqemi të lirojmë hundët, ta veshim më shumë fëmijën, apo të nxehim më shumë mjedisin ku rri fëmija.
– I bllokohet hunda dhe ka sekrecione.
Hunda duhet të lirohet, veçanërisht para se fëmija të ushqehet. Ajo nuk duhet të pastrohet me sende jo të përshtatshme, si për shembull shkopinjtë e pambukut, të cilat të rriturit i përdorin shpesh.
Një mënyrë tjetër për të pastruar hundën e bebit, është mbyllja ritmike e vrimave të hundës, nëpërmjet kapjes me gishta të hundës. Ndërkaq fëmija që nuk di të marrë frymë me gojë, bën një frymëmarrje të thellë dhe i kalon sekrecionet më poshtë ( i gëlltit ).
Hunda mund të pastrohet mekanikisht, duke i thithur sekrecionet me anë të një pompe të posaçme ( blihet në farmaci ). Si bëhet lavazhi i hundës? Fëmija vendoset në shpinë, me kokën të përkulur nga mbrapa, maja e hundës mund të mbahet me gisht pak e ngritur. Me anë të një shiringe të mbushur me tretësirë fiziologjike, shtyhen në hundë 0.5 ml të tretësirës. Kështu sekrecionet shtyhen në gojë, të cilat pastaj gëlltiten nga fëmija. E rëndësishme është që hundët e fëmijës të jenë gjithmonë të lira para ushqyerjes.
– Merr frymë keq
Mund të mos jetë një problem në raset kur fëmija merr frymë keq, pasi hundët janë të zëna nga sekrecionet. Sapo hundët pastrohen, frymëmarrja lirohet. Në përgjithësi fëmijët ruajnë humorin dhe gjallërinë e zakonshme në pjesën më të madhe të ditës. Ndërkaq vërehet se sa të shpeshta i ka frymëmarrjet fëmija ose nëse tërheq brinjët apo jo, kur merr frymë.
Mund të jetë vërtet problem në rastet kur frymëmarrjet e fëmijës janë më të shpeshta se zakonisht dhe vërehen tërheqje të brinjëve kur merr frymë. Nëse ndodh kjo duhet të drejtoheni urgjentisht tek mjeku.
Shpeshtësia e frymëmarrjeve matet duke vendosur dorën mbi gjoks të fëmijës dhe numërohen për një minutë uljet dhe ngritjet e kafazit të kraharorit. Nëse fëmija është më pak se 1 muajsh dhe frymëmarrjet e matura në këtë mënyrë janë mbi 50 në minutë, do të thotë se ato janë të shpeshta dhe fëmija duhet të dërgohet tek mjeku.
Gjoksi
Mund të vazhdojnë të jenë të fryrë. Asnjë shqetësim. Është shumë e rëndësishme të mos shtrydhen, për shkak të rrezikut të infeksionit të gjirit.
Kërthiza
– Pastrimi i kërthizës duhet të bëhet disa herë në ditë.
– Përpara se të fillojmë pastrimin, hiqet garza e mëparshme dhe përdorim një garzë tjetër të pastër, të cilën e kemi zhytur në alkool 70 gradë. Pastrojmë kërthizën dhe lëkurën përreth, me garzën me alkol 70 gradë;
– Me një garzë tjetër të thatë dhe të pastër mbulojmë pjesën e sipërme të kërthizës;
– Nuk duhet të përdoret pambuk në asnjë mënyrë;
– Pjesa e sipërme e kërthizës duhet të bjerë nga dita e 6 – 7-të e jetës. Nëse nuk bie deri nga dita e 14-të e jetës, këshillohuni me mjekun tuaj.
Shumë e rëndësishme!
Nëse lëkura përreth kërthizës bëhet e kuqe, ose garza që mbulon kërthizën njolloset me ngjyrë të kuqe ose të verdhë, kontaktoni menjëherë me mjekun tuaj.
Organet gjenitale
Vajzat mund të vazhdojnë të kenë sekrecione të bardha ose dhe me ngjyrë rozë, të ngjashme me menstruacionet ( menstruacione të rreme ).
Tek djemtë mundet që njëri prej testikujve të mos jetë në qesen skrotale, por të lëvizë lart e poshtë. Kjo nuk përbën problem.
Lexoni edhe: Pse nuk duhet te prekim organet gjenitale te djemve?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu