Kryerja e një operacioni për herë të tretë mund të shkaktojë tek gruaja gjakderdhje më të mëdha se herët e kaluara. Por, në përgjithësi nëse gjatë shtatëzanisë nuk është shfaqur plaçenta previa (plaçenta mbulon kanalin e lindjes) ose plaçenta akreta (plaçenta ngjitet thellë në murin e mitrës), si edhe nëse lindjet paraardhëse kanë pasur një ecuri të mirë, edhe kjo ndërhyrje nuk përbën rrezik të madh. Në përgjithësi nëse lindjet e mëparshme kanë ndodhur me operacion, i treti ka më shumë gjasa të ndodhë.
Por, cilat janë ndryshimet krahasuar me lindjet e mëparshme?
Kjo varet nga ecuria e lindjeve te mëparshme, e pozicionit të plaçentës ose e prezencës së ndonjë anomalie.
Çfarë ndodh në rast së dy operacionet e para nuk janë shoqëruar me komplikacione?
Nëse operacionet e mëparshme janë zhvilluar në bazë të teknikave standarte dhe nuk kanë shfaqur komplikacione, edhe operacioni i tretë ka shumë mundësi të ketë ecuri të mirë dhe mënyrë rikuperimi post-partum gati të njëjtë më të tjerët.
Plaçenta previa dhe plaçenta akreta (accreta)
Një faktor shumë i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë në këtë rast është shfaqja e ndonjë anomaline në formimin dhe pozicionimin e plaçentës. Me kalimin e viteve dhe me rritjen e numrit të shtatëzanive, rritet mundësia që plaçenta të vendoset në pjesën e poshtme të uterusit, gjendje e cila do të përbëjë atë që quhet “plaçenta previa”. Në rast se ndodh kjo do të rritet rreziku që plaçenta të vendoset thelllë në murin e mitrës, dhe nëse ndodh kjo do të kemi të bëjmë me “plaçenta akreta”. Nëse në shtatëzani shfaqet plaçenta akreta do të nevojitet përshpejtimi i datës së lindjes, kohëzgjatja e operacionit do të jetë më e madhe si edhe do të rritet rreziku i shfaqjes së komplikacioneve, si për shembull hemoragjia pas lindjes.
Operacioni i tretë zgjat rreth 60-80 minuta
Pavarësisht pozicionit të plaçentës, një operacion çezarian i përsëritur kërkon një kohëzgjatje më të madhe, sepse ndërhyrja duhet bërë në mënyrë shumë preçize, dhe nëse një operacion që ndodh për herë të parë mund të përfundojë brenda 40-50 minutave, operacionet e mëpasme do të përfundojnë brenda 60-80 minutave. Edhe pse kohëzgjatja është e ndryshme mënyra e prerjes dhe e nxjerrjes së fëmijës do të jetë e njëjtë me atë të operacioneve të mëpashme.
Humbjet e gjakut mund të jenë më të konsiderueshme
Pas tre shtatëzanive të përfunduara në mënyrë çezariane, uterusi mund të ketë më të vështirë të tkurret dhe për pasojë gruaja mund të ketë hemoragji në periudhën post-partum. Për të lehtësuar gjendjen, në orët pasardhëse gruas mund t’i bëhet futja në trup e oksitocinës, e cila do të ndihmojë mitrën të kontraktohet, megjithatë stafi mjekësor gjithmonë merr masa paraprake, të cilat konsistojnë në sigurimin e gjakut të nevojshëm për transfuzion.
Çarja e uterusit? Një rrezik i vogël
Çarja e uterusit, ose më mirë të themi “grisja” e shenjës së mëparshme të operimit, është një rrezik që ndodh shumë rrallë dhe kjo më shumë në rastet “ e lindjes provë”. Lindje provë do të konsiderojmë fillimin e një lindje vaginale pasi janë bërë një apo dy lindje të mëparshme çezariane. Pra, ky rrezik është gati i papërfillshëm nëse mendohet të bëhet sërish lindje me operacion.
Operacioni i tretë duhet të jetë i programuar
Ashtu si për çdo lindje e mëparshme me operacion, edhe në këtë rast duhet të bëhet në mënyrë të programuar, kjo pasi një lindje jo e programuar mbart në vetvete shumë faktorë rreziku. Por, në të njëjtën kohë lindja duhet të ndodhë në momentin e duhur, pasi një operacion i zhvilluar para kohe mund të sjellë pasoja në shëndetin e fëmijës së porsalindur, si për shembull probleme në frymëmarrje.
Mund të bëjmë anestezi lokale (spinale)?
Edhe pse bëhet fjalë për një operacion të tretë çezarian mund të aplikohet anestezia lokale. Anestezia e përgjithshme mund të kërkohet nga mjeku vetëm në rastet e operacioneve urgjente dhe mjeku nuk ka në dispozicion analizat e nënës ose në rastet kur kemi të bëjmë me një gjendje të caktuar shëndetësore të nënës, e cila e kërkon detyrimisht aplikimin e narkozës.
Spitali duhet të jetë në gjendje të mbajë nën kontroll rreziqet e një operacioni të tretë
Zgjedhja e spitalit mund të bëhet në varësi të kushteve shëndetësore që nëna paraqet. Kështu, nëse ajo nuk vuan nga ndonjë patologji si për shembull hipertensioni, diabeti, e ka placentën në pozicion normal, spitali disponon sasi të mjaftueshme gjaku për transfuzion, gruaja mund të lindë ku të dëshirojë. Nëse ekziston ndonjë faktor rreziku ajo duhet t’i drejtohet një strukture më të specializuar në drejtimin kirurgjikal.
Lexoni edhe: Ne cilat raste mjeku keshillon lindjen me operacion urgjence?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu