Ndonjëherë ndodh që gjatë shtatzanisë plaçenta të depërtojë thellë në muskujt dhe muret e mitrës duke u zgjeruar edhe në organet që ndodhen pranë si për shembull fshikëza e urinës. Kjo gjendje shpesh është asimptomatike (nuk shfaq simptoma konkrete), përveç rasteve kur ajo shoqërohet edhe nga plaçenta previa, gjë që nuk zbulohet deri në momentin e lindjes. Megjithatë mund të ketë gjakderdhje vaginale gjatë trimestrit të fundit të shtatzanisë. Kjo gjendje mund të diagnostikohet me anën e ekografisë.
Zakonisht gratë të cilat shfaqin këtë problem gjatë shtatzanisë janë më të predispozuara për të pasur lindje të parakohshme, e cila do të ndodhe me anën e operacionit çezarian. Gjatë operacionit mund të ndodhë që të hasen vështirësi në shkëputjen e plaçentës dhe për pasojë mund të nevojitet heqja e mitrës (histerektoemi), si edhe të ketë gjakderdhje (hemoragji) të mëdha në periudhën post-partum.
Shkaqet dhe faktorët e rrezikut të plaçentës akreta (accreta)
Origjina e implantimit (vendosjes) në mënyrë të tillë të plaçentës në uterus ende nuk dihet, edhe pse shpesh shfaqet tek gratë që kanë shfaqur simptoma të plaçenta previa, ose tek ato që i janë nënshtruar njëherë më parë një operacion çezarian.
Faktorët që ndikojnë në shfaqjen më të shpeshtë të plaçenta akreta janë:
– Një operacion i mëparshëm kirurgjikal në mitër;
– Një apo më shumë lindje të mëparshme me operacion çezarian, të cilat rritin mundësinë e shfaqjes së plaçentës akreta bashkë me plaçenta previa;
– Mosha e madhe e nënës (mbi 35 vjeç);
– Ndryshimet e endometriumit.
Komplikacionet e plaçentës akreta
Plaçenta akreta mund të shkaktojë komplikime të rënda si:
– Hemoragji të mëdha vaginale;
– Carje të uterusit;
– Infeksion;
– Humbje të aftësisë riprodhuese si pasojë e nevojës që mund të lindë për të hequr mitrën;
– Lindje parakohe, kryesisht para javës së 37-të të shtatzanisë;
– Vdekja fetale, e cila në zonat e zhvilluara duket se po ndodh edhe më rrallë.
Cfarë duhet të dimë për plaçenta previa?
Plaçenta previa nënkupton vendosjen e placentës në qafën e uterusit pjesërisht ose plotësisht. Kjo gjendje mund të shkaktojë hemoragji të rënda para ose gjatë lindjes, dhe nëse ndodh do të kërkohet të bëhet lindje me operacion për arsye sigurie.
Simptomat
Një gjakderdhje pa dhimbje vaginale gjatë trimestrit të dytë do të jetë shenja kryesore e plaçenta previa, fluksi i së cilës mund të jetë nga më i rëndi tek më i lehti. Gjakderdhja zakonisht ndalet pa trajtim dhe mund të shfaqet sërish brenda pak ditësh apo javësh. Në disa gra mund të shfaqen edhe kontraksione. Në rast se ndodh kjo duhet të njoftoni menjëherë mjekun.
Shkaqet
Plaçenta rritet atje ku embroni implantohet brenda uterusit. Nëse ai vendoset ne pjesën e poshtme të uterusit, plaçenta mund të rritet në qafën e mitrës dhe mund të shkaktojë atë që quhet plaçenta previa, gjendje e cila shpesh diagnostikohet me anën e ekografive të kryera gjatë trimestrit të dytë. Nëse plaçenta vendoset në pjesën e sipërme të çerviksit situata mund të vetërregullohet duke qënë se zgjerimi i mitrës e tërheq këtë zonë më larg pjesës ku hapet çerviksi (qafa e mitrës). Nëse plaçenta mbulon komplet çerviksin, mund të mendohet gjithsesi se mund të rregullohet me kalimin e kohës.
Cilët janë faktorët e rrezikut?
Gratë të cilat janë më të rrezikuara për të pasur plaçenta previa janë ato që:
– Kanë pasur një apo më shumë lindje të mëparshme me operacion çezarian;
– I janë nënshtruar më parë një operacioni për të hequr fibriomat e uterusit;
– Kanë bërë pastrim pas një aborti (edhe pse ndodh rrallë).
Plaçenta previa mund të shfaqet më shpesh tek gratë që:
– Kanë lindur të paktën një fëmijë;
– Kanë pasur të njëjtin problem në një shtatzani të mëparshme;
– Kanë shtatzani me binjakë, trinjakë etj;
– Janë mbi 35 vjeç;
– Janë aziatike;
– Konsumojnë duhan.
Cilat janë komplikacionet?
Nëse në një shtatzani shfaqet plaçenta previa, mjeku do të bëjë një vlerësim të detajuar të situatës në mënyrë që të ulet rreziku i komplikacioneve si:
– Gjakderdhja
Është një prej shqetësimeve më të mëdha që kjo gjendje shfaq. Gruaja është shumë e rrezikuar për të pasur hemoragji vaginale gjatë lindjes, apo edhe gjatë orëve të para pas saj. Kjo hemoragji mund të jetë aq e rrezikshme sa të vendosë në rrezik jetën e gruas.
– Lindja e parakohshme
Gjakderdhja e madhe mund të kërkojë nevojën e futjes së gruas në operacion para terminit të shtatzanisë.
Si mund të trajtohet kjo?
Trajtimi i plaçenta previa do të bëhet në varësi të disa faktorëve si:
– Sasia e gjakderdhjes vaginale;
– Nëse hemoragjia ka ndaluar apo vazhdon ende;
– Në çfarë jave po zhvillohet shtatzania;
– Shëndeti i përgjithshëm i gruas;
– Pozicioni i plaçentës dhe fëmijës.
Kur gruaja ka gjakderdhje të pakta
Nëse gruaja ka gjakderdhje të vogla mjeku mund të rekomandojë rregjim shtrati, ndalim të aktivitetit fizik si edhe të marrëdhënieve seksuale.
Kur gruaja ka gjakderdhje të mëdha
Nëse hemorragjia është e madhe gruas mund t’i bëhet transfuzion gjaku si edhe t’i jepen medikamente që parandalojnë lindjen prematurë. Në këtë rast mjeku pas javës së 36-të mund të fillojë të programojë lindjen me operacion çezarian, gjendje e cila kërkon injektimin tek gruaja të kortikosteroideve që do të ndihmojnë në maturimin e mushkërive të fëmijës. Nëse hemorragjia është aq e madhe sa nuk mund të kontrollohet dhe fëmija është në vështirësi mund të kërkohet kryerja e operacionit urgjent edhe pse fëmija mund të jetë prematurë.
Lexoni edhe: Cilat jane shtatzanite me te rrezikuara nga placenta previa dhe cfare ndodh ne kete rast?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu