Pas lindjes së fëmijës këshillat në lidhje me përdorimin e vitaminave do të jenë të ndryshme dhe shpesh ju nuk do të jeni në gjendje të gjykoni se cila është e duhura. Para së gjithash duhet të ndiqni këshillat e pediatrit, megjithatë ne po përpiqemi t’ju sjellim një informacion të qartë për të pasur njohuritë tuaja personale në lidhje me vitaminat e bebes.
Ushqyerja dhe vitaminat
Përdorimi i vitaminave varet nga mënyra e ushqyerjes së fëmijës. Qumështi i gjirit është ushqimi më i përkryer, por nuk i siguron organizmit të fëmijës sasinë e duhur të vitaminës D dhe hekurit. Në këtë rast mjeku mund t’ju udhëzojë të përdorni një sasi të caktuar të vitaminës D duke filluar që në ditët e para të lindjes. Fëmijët që ushqehen pjesërisht ose plotësisht me qumësht gjiri kanë nevojë për 1 mg/kg duke filluar nga muaji i 4 dhe deri në ditën kur fëmija do të fillojë të konsumojë ushqime me përmbajtje hekuri. Disa lloje vitaminash D (flakonat) përmbajnë gjithashtu edhe vitaminën A dhe C e cila ndihmon edhe në përthithjen e hekurit.
Si mund t’ja japim fëmijës vitaminën?
Këtë mund ta bëni para ose pas ushqyerjes, dhe nëse fëmija ushqehet me biberon mund t’ja hidhni në qumështin e shtrydhur.
Po kur fëmija ushqehet me formulë?
Zakonisht qumështi i formulës i ka të gjitha vitaminat që i duhen një bebe. Megjithatë këtë duhet ta vlerësojë mjeku në varësi të sasisë së qumështit që pi fëmija gjatë ditës. Në momentin që ai fillon ushqimet e ngurta dhe pi më pak qumësht formule, mjeku mund të rrisë sasinë e vitaminës D si edhe hekurit.
Dhënia e vitaminave varet gjithashtu nga:
- Koha e lindjes së fëmijës (prematurë apo jo) dhe gjendja e tij shëndetësore;
- Nëse ushqeni me gji dhe jeni vegjetariane. Në këtë rast ju nuk merrni mjaftueshëm vitaminë B12, hekur, zink, apo kalçium;
- Nëse ushqeni me gji dhe mendoni se dieta juaj ushqimore nuk siguron të gjitha vitaminat e nevojshme për fëmijën.
Lexo edhe: Perse vitamina D eshte e rendesishme per bebet?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu