Si më ndihmoi divorci të bëhesha një njeri më i mirë dhe një nënë më e mirë

0 0

Si një nënë beqare, ndërsa isha duke shkuar për në punë ngeca duke veshur një fustan që nuk e kisha veshur prej muajsh të tërë (jo që kur ai më la por kisha kohë). Dhe kuptova se nuk kishte asnjë mënyrë, asnjë shans, që unë të mund ta mbyllja vetë zinxhirin. Në një jetë tjetër, kjo do të kishte qenë detyra e tij. S’do të më ishte dashur as që t’ia kërkoja pasi ai tashmë do ta kishte bërë. Madje mund të kishte vënë buzët e tij në qafën time ndërsa do të isha duke veshur fustanin. Por tashmë ai nuk është më këtu.

Pasi u shtrembërova në shumë pozicione të pazakonta, pasi dështova dhe rashë, mësova djalin tim 3-vjeçar si ta ngrinte lart zinxhirin. Por vetëm me një tërheqje të vogël, zinxhiri u këput në doçkat e tij të vogla. Ai qau dhe unë ngela me zhgënjimin tim duke veshur një xhaketë sportive sipër për të mbuluar shpinën time kur dëgjova zhurmën e makinës së plehrave poshtë rrugicës sime.

Sigurisht, ishte dita e plehrave.

Vrapova përreth shtëpisë, duke mbledhur të gjitha mbeturinat nga 38 vendet ku ishin shpërndarë, ndërsa përpiqesha t’i bindja djemtë e mi që të hanin mëngjesin e tyre më herët, në mënyrë që të vishnin dorezat, kapelet dhe shallin për të dalë në dëborë.

Tërhoqa derën dhe zbrita poshtë në shkallët e mbushura me dëborë, për të hedhur plehrat, një detyrë tjetër që më parë kishte qenë e tij.

Rrugës rrëshqita në dëborën e papastruar të oborrit tim dhe njoma me dëborë gjithë pjesën e përparme të fustanit. Kapa një lopatë dhe fillova të heq dëborën nga rruga. Një fqinje e dashur kaloi në ato moment dhe më buzëqeshi. Në atë moment duhet të jem dukur si një lloj version modern i grave beqare amerikane në kohën e mesjetës me çizme, veshje të lagur, flokë të çrregullt, lopatë në dorë.

I buzëqesha dhe unë dhe përshpërita me vete, “Ke të drejtë. Ja pse disa njerëz qëndrojnë të martuar”.

Në fillim nuk është heqja e dëborës, grindja e fëmijëve apo detyrat e pafundme që ju marrin frymën. Netët janë më të këqijat.
Pasi ke larë enët dhe ke paketuar drekën për ditën tjetër, ke palosur të gjitha rrobat dhe u ke gjetur të gjitha çorapeve të të vegjëlve shoqen, kur fëmijët më në fund janë në gjumë, je vetëm ti dhe heshtja e madhe.

Kur ndërsa je duke ecur në një rrugicë imagjinon veten dhe gjërat që do të kesh: shtëpi, fëmijë, makinë, kafshë shtëpiake, rrallë herë mendon se ka 50% mundësi për diçka tjetër- po nëse divorcoheni çfarë? Ne ishim ndryshe. Ne kishim diçka që dukej se do t’i shpërfillte statistikat që publikohen në media për divorcet, ne menduam se kishim fuqi të qëndrueshme.

Kështu kur të dëgjoja për herë të parë për atë statistikë, ku 50 për qind e martesave përfundojnë në divorc, do të isha ulur në heshtje dhe do ta kisha lejuar të më “pushtonte”. Dhe jo në një mënyrë të mirë – jo si lloji i heshtjes që kisha kur isha unë, ai dhe fëmijët. Do të ishte një gjë e tmerrshme ku do t’i thoja “Të lutem mos më përfshi mua”. Dhe pastaj do të qaja. Do të mblidhesha si një top mbi shtrat, telefonin në dorë dhe do të nxirrja lotë si ata që lajnë e marrin me vete gjithçka.

Shumë shpejt pas ndarjes sonë, jeta ime zyrtarisht u bë një maratonë ku po vrapoja çdo ditë. Ato maratona të vërteta që kisha drejtuar në një jetë të kaluar s’ishin asgjë në krahasim me këtë – sepse kishin një fund që shihej. E vetmja arritje e madhe ishte që unë e djersitur, e çrregullt, me flokët e ngatërruara arrija t’i bëja të gjitha në kohë, të paguaja të gjitha detyrimet dhe në fund të kisha një darkë për të shtruar në tavolinë. Por edhe atëherë do të duhej të bëja gjithçka sërish të nesërmen.

Atë mëngjes me borë, kuptova se mbijetesa nuk është e njëjtë me lumturinë. Dhjetë vjet pas takimit me burrin tim, blerjes së shtëpisë, lindjes së dy fëmijëve, dhe pastaj ndarjes, kush isha unë tani? Kush mendoja se isha? Sigurisht nuk isha personi i lumtur, e ndjekur nga karriera, që kisha imagjinuar se do të bëja një ditë. Por unë gjithashtu nuk isha vetëm një nënë apo një ish-grua. Duhet të kuptoja se kush dëshiroja të isha tani.

Dhe kështu pas muajsh të qetë, muaj lotësh, unë fjalë për fjalë ngrita duart lart dhe i thashë jetës: “Në rregull, ti fiton, unë heq dorë” dhe vendosa të merrja një pushim nga puna. Doja të bëja gjërat që ne gjithmonë ëndërrojmë të bëjmë, të nuhasja lulet, të vrapoja pa një qëllim, në vend të rrugës që bëja për në punë, ndërkohë që djemtë e mi flinin ende gjumë.

Doja në fakt t’i shikoja ata duke bërë gjëra. Doja të mund të fiksoja fytyrat e tyre kur hanin akullore. Doja të ndalesha dhe të merrja frymë.

Kështu “Vera e Sharlotës” nisi si një shaka. Si pjesë e verës “për qejf” unë vendosa të takoja gjithë miqtë e mi nga Facebook dhe Instagram, njerëz nga grupet e nënave, ose miqtë e miqve me të cilët e kishim lënë një takim por kurrë nuk ishim prezantuar më parë.

Katër kilogramët që fitova atë verë provuan se unë kisha shkuar në plot 58 takime “të para”, dhe kisha konsumuar 58 kafe, pica, ëmbëlsira apo lëng molle.

Ajo që dukej si një dhimbje të cilën nuk po e mbaja dot më, më dha mua shumë mundësi por një bilanc negativ në bankë. Më lejoi të ecja me milje të tëra pa asnjë arsye, të endesha dhe të ndjeja se ekzistoja përsëri.

Vera e Sharlotës gjithashtu më tregoi se kisha një rreth të madh miqsh, shumë më të madh sesa e kisha menduar. Njerëzit vazhdimisht më ofronin ndihmë, kohën e tyre, ushqim apo të dala sa herë të doja. Ndoshta, mendova, ideja ime për të kaluar jetën dhe për t’ia dhënë atë vetëm një personi ishte e vjetëruar. Ndoshta kam nevojë vetëm për veten time.

Kjo nuk ishte ëndrra ime. Por unë jam e lumtur që zgjodha të isha një nënë e vetme.

Kështu ishte më e lehtë të shikoja para duke qenë e vetmuar:  Dua të them, të bëhesha e aftë të hiqja mbeturinat, të kujdesesha për kopështin, të pastroja borën. Në fund në jetën që tashmë kisha krijuar nuk kishte nevojë për një njeri tjetër. Nuk kishte kohë për një njeri tjetër.

Sapo e kisha marrë këtë vendim, gjërat filluan të dukeshin më të lehta. Ndjeva pak presion por u ndjeva më e relaksuar dhe më pak e shqetësuar për të ardhmen time dhe atë të djemve të mi. Gjithashtu kuptova se unë nuk mund të kontrolloj çdo gjë- në të njëjtën mënyrë si nuk munda ta kontrolloja rrëzimin e martesës sime, nuk mund të kontrolloj kur ndodhin gjërat. Dhe kështu, kur një nga mikeshat e mia më tha të dilja në një takim me një nga miqtë dhe kolegët e saj më të mirë, nuk i thashë “jo”.

Ajo na dërgoi të dyve mesazh në Facebook, tha se na lidhnin shumë gjëra dhe se duhet të takoheshim. Më tha se jeta ime u kthye në serial dhe se kishte vënë re që ne të dy kishim secili kopshte të vegjël para shtëpisë.

Në përshkrimin e saj për të, ajo më tregoi se ai kishte një vajzë. Ai më kupton, mendova. Shoqja më tha se ai punone dhe kjo është gjithmonë gjë e mirë. Ajo më tregoi se ai i kishte shpëtuar shtëpinë ndërsa ajo ishte në një udhëtim. Kjo pasi ai ishte kujdesur që shtëpia e saj të mos copëtohej gjatë ngricave të mëdha që kishin përfshirë vendin.
Kështu ne bëmë plane për t’u takuar kur fëmijët i kishim në aktivitete pas shkollës dhe gjetëm një mbrëmje të lirë.

Unë kisha dalë më herët për darkë me disa miq dhe më pas u ula në një bar afër shtëpisë sime. Kuptova menjëherë që nuk isha veshur për një “takim të parë” nëse ishte kështu ajo që po ndodhte. S’kisha pasur kohë as të shkoja në shtëpi dhe të rregulloja flokët, e aq më pak për make up. Por ishte dita e fundit e korrikut, ishte shumë nxehtë dhe ai më tha se tashmë kishte ardhur. Isha ulur në një mënyrë strategjike ku mund të vendosja nëse të zhdukesha nga aty në ato momentet e fundit apo jo.

Menjëherë pas kësaj bëra gjithçka tjetër gabim.

I shkunda dorën kur e takova duke ia prekur pastaj edhe me dorën tjetër. Njëlloj si në një takim pune. Kërkova një pije dhe nuk e piva atë deri në pesë minutat e fundit kur e piva sikur të kishte qenë ujë.

Folëm kryesisht për gjërat në përgjithësi, fëmijët, qyteti, puna.  Ndërsa goja ime nuk pushonte së foluri kuptova se sa jotërheqëse kishin qenë fjalët e mia të një nëne beqare që kishte zgjedhur të ishte e papunë nga dëshira.

Dhe pastaj për të dalë sa më shpejt që të ishte e mundur, ndërpreva takimin pas rreth 40 minutash, kur ankthi që po më përshkonte ishte drejt kulmit dhe pashë që po djersija.

Sa më shumë që ky i huaj më dukej tërheqës, më duhej që të ikja që aty.

Ai u ngrit për të më thënë mirupafshim. Ne u përqafuam, një përqafim që tregonte se “Unë nuk jam përqafuar nga askush për një kohë të gjatë” dhe u largova. I dërgova një mesazh shoqes sime ku e falenderova për takimin dhe i thashë se kishte qenë kënaqësi.

Kur u ktheva në shtëpi, hoqa rripin, sandalet dhe u ula në heshtje. Dhe pastaj e largova menjëherë atë nga mendja. Ishte kënaqësi, por jeta ime ishte një rrëmujë delikate. Ai dukej shumë i mirë për t’u futur brenda saj.

Dhe kështu u ktheva në jetën time të vërtetë, mirënjohëse për këtë devijim të vogël, palosa rrobat, bëra drekën dhe kontrollova çantat e fëmijëve. Duke e ditur se kisha bërë gjithçka për të qenë jotërheqëse, si një gjë e rrëmujshme me flokë të ngatërruar, hoqa dorë. Por pastaj shoqja ime më tha që t’i konfirmoja për një takim të dytë. Mjaftonte t’i dërgoja atij një mesazh. Ok, I thashë jetës, ti fiton!

Lexo edhe: Kurre nuk e mendoja se do isha nje nene beqare, por u bera e tille ende pa e lindur femijen tim






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

A keni raste te familjarëve...

Nëse ti ose të afërmit e tu jeni prekur nga kanceri i trashëguar, mund të pyesni veten se si mund ta përdorni këto njohuri në të ardhmen dhe të jeni...

Për ty mike që je...

E di… Ndiej padrejtësi tani që po shkruaj për ty. Ndihem fajtore sepse jam një nga gratë me fat. Çdo fjalë që shkruaj më thumbon... Sepse e di. E di...

9 mënyra si t’i tregoj...

Të zbulosh se je shtatzënë është një nga momentet më të rëndësishme të jetës. Është lajmi më i madh i jetës suaj, lajmi që mezi prisni t'i ndani me partnerin...

Shkon në spital me temperaturë...

Mëngjësi i sotëm ka ardhur me një lajm të trishtë për një familje në Elbasan dhe tronditës për gjithë qytetarët. Një vogëlushe 3-vjeçare ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X