Në këtë periudhë Krishtlindjesh, me drita të ndezura që krijojnë një atmosferë të ngrohtë, dora e shtrirë e një vajze 10-vjeçare, ma bëri shpirtin akull më shumë se temperaturat e ulëta të dhjetorit. “Më jep 100 lekë”! Kështu i drejtohej çdo tavoline në kafenenë e zbukuar me motivet festive, që theksonte edhe më tepër hendekun mes dy realiteteve.
– Përse të duhen?
– Kam mamin në spital.
– Po çfarë ka mami?
– Po lind motrën.
– Po mirë, ti çfarë do bësh me lekët që po mbledh?
– Dua të bëj një 10 mijë lekësh e të ble kostumin për motrën.
– Sa vjeçe je?
– 10, para pak ditësh i mbusha. Ja, të pëlqejnë këto atletet që më bëri dhuratë mami për ditëlindjen? Nuk i kam hequr që atë ditë. E shikon sa të bukura janë?
Pasi i dhashë të hollat që më gjendeshin, vajza e vogël që së shpejti do të bëhej motër vijoi në tavolina të tjera. Ndoshta lëmosha do t’ia plotësonte 10 mijë lekëshin për t’i blerë motrës komstumin e parë që do të vishte në jetë, por kush i plotëson mijëra nevoja të familjes së tyre?
Kush do t’ja rikthejë 10-vjeçares ditët e fëmijërisë? Ato ditë që bashkomoshatarët e saj i kalojnë pranë ngrohjes duke shkruar letra ku kërkojnë dhurata nga babagjyshi, ndërsa ajo kërkon 100 lekësha nga ne që pijmë kafen e pasdites?
Ndoshta nuk mund të bëjmë shumë për këta fëmijë, por një gjest dashurie, një këshillë për të vazhduar shkollën, një mbështetje morale mund t’i ndihmonte më shumë, madje edhe sesa 100 lekëshi për kostum.
Lexo edhe: Realiteti i dhimbshem le pa fjale Adelina ismailin, ja kushtet e femijeve ne vitin 2018
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu