Frekuentimi i ambienteve publike si baret, restorantet, marketet, qendrat tregtare etj bëhet shumë i vështirë kur keni fëmijët të vegjël. Sidomos kur fëmijët janë në moshën që duan të eksplorojnë gjithçka që i rrethon.
Në një nga kafenetë e lagjes ku banoj pashë një tavolinë të madhe, ku ndodhej një familje me shumë anëtarë dhe mes tyre një vogëlush jo më shumë se dy vjeç. Ishte një fëmijë i qeshur, i dashur e i bukur siç janë të gjithë fëmijët.
Vogëlushit i pëlqente shumë të vraponte nëpër lokal, të prekte karriget, gotat, jastëkët, tavolinat dhe gjithçka që i ngjallte kuriozitet.
Po, ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që nuk shqetësonte asnjë nga klientët e tjerë me asnjë veprim, shkonte vetëm në tavolinat ku nuk kishte njerëz dhe mundohej të eksploronte ato që e rrethonin.
Por, edhe pse ai nuk bënte asgjë, kishte edhe nga ata njerëz që i shqetësonte vetëm fakti që ishte aktiv dhe lëvizte.
Një zonjë e ulur afër me tavolinën e vogëlushit, krejt papritur i tha kamarierit: “Xhaxhi na sill një gjilpërë t’ja bëjmë këtij djalit se nuk po rri mirë”.
Nëna e vogëlushit u ndje e turpëruar, nuk foli aspak dhe dukej që ishte shumë e ofenduar nga ky veprim, njëkohësisht e zënë në faj para të birit sepse duhej t’i mohonte një të drejtë që nuk po cënonte askënd. Pa kaluar shumë minuta, u ngrit dhe u largua nga lokali bashkë me djalin.
Po ju a jeni ndjerë ndonjëherë të ofenduara kur ju kanë ndërhyrë të panjohurit në mënyrë të pahijshme tek fëmijët?
Lexo edhe: Kamarieri kritikon gruan shtatzane
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu