Pjesa më e madhe e prindërve tregon shumë kujdes ndërsa prek për herë të parë fëmijën e porsalindur, sidomos pjesën e fontanelës së madhe, e cila ndodhet sipër ballit. Kjo pjesë ka madhësi 2X2 cm dhe nëse e prekni do të ndieni pulsimin e gjakut. Në të vërtetë ajo është vetëm një prej 6 fontanelave që ndodhen në kokën e fëmijës.
Cfarë janë fontanelat?
Këto gropëza të vogla janë pjesë të pa kockëzuara dhe të ndërtuara nga membrana, të cilat janë të vendosura midis kockave të kafkës. Por, përse këto fontanela nuk mbyllen para lindjes? Me evoluimin, legeni i njeriut është ngushtuar për t’ju mundësuar atyre qëndrimin drejt. Fontanelat janë një përshtatje që koka e fëmijës ka bërë ndaj këtij evoluimi, në mënyrë që ajo të jetë elastike.
Në momentin e lindjes pllakat e kafkës mund të afrohen dhe të lëvizin mbi njëra-tjetrën, me qëllim që të sigurojnë një dalje të sigurt të fëmijës. Fontanelat kanë si qëllim të sigurojnë një presion të njëtrajtshëm të qarkullimit të gjakut në kokë, si edhe t’i mundësojnë trurit të fëmijës (i cili rrit volumin e tij në vazhdimësi) të rritet dhe zhvillohet normalisht.
Kur fillojnë të mbyllen fontanelat?
Nga java e gjashtë e jetës fontanelat fillojnë të mbyllen. Fontanela e vogël dhe ato anësore zakonisht mbyllen plotësisht rreth vitit të parë të jetës. Fontanela më e madhe, e cila ndodhet sipër ballit mund të qëndrojë e hapur edhe 24 muaj pas lindjes së fëmijës.
Koha e mbylljes së fontanelave është e ndryshme për fëmijë të ndryshëm. Kjo kohë varet nga zhvillimi trupor i fëmijës si edhe nga pesha e tij e lindjes. Disa fëmijë në moshën 1-vjeçare mund ta kenë të mbllur fontanelën, ndërsa disa të tjerë mund të shkojnë edhe në moshën 3-vjeçare me fontanelë të hapur.
Nuk duhet të keni frikë
Ju duhet të tregoheni gjithmonë të kujdesshëm me kokën e të porsalindurit, por nuk duhet të keni frikë, pasi fontanelat janë të veshura nga një membranë fleksible dhe të ashpër, e cila absorbon tronditjen dhe sforcimin. Pllakat e kafkës së kokës arrijnë të forcohen plotësisht, duke marrë cilësi të përkryer rreth moshës 20-vjeçare.
Një “dritare” në trurin e fëmijës
Puna e mjekëve është lehtësuar shumë falë fontanelave, pasi ato shërbejne si një “dritare” me anën e së cilës ata mund të shqyrtojnë në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë trurin e fëmijës. Këtë ata mund ta bëjnë me anën e ultratingujve. Në këtë mënyrë mjekët mund të zbulojnë një defekt, gjakderdhje apo tumor të fëmijës. Kjo bëhet duke vendosur ultratingujt tek fontanela e madhe, proçedurë e cila nuk shkakton dhimbje tek fëmija.
Lexoni edhe: 0-4 muajsh rritja dhe karakteristikat e saj
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu