Kur e keni nderprere gjidhenien per femijen tuaj?

0 0

Qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për të porsalindurin. Në muajt e parë të jetës ai është furnizuesi i vetëm i të gjitha lëndëve ushqyese të rëndësishme për të cilat fëmija ka nevojë për rritjen e shëndetshme. Me përbërës shumë të vlefshëm, kujdeset për rritjen e shëndetshme dhe me imunitet të fortë, duke mbrojtur fëmijën në mënyrën më të mirë nga sëmundjet dhe alergjitë e ndryshme. Pas lindjes nëna duhet të marrë mbështetjen dhe ndihmën e duhur në mënyrë që të mund ta bëjë këtë proçes sa më efektiv, kjo pasi nuk duhet të harrojmë se ky proçes është aq natyral sa edhe i vështirë. Nëse nëna do të udhëzohet në mënyrën e duhur në lidhje me vendosjen e fëmijës në gji, atëherë bebi do ta kapë mirë dhe prodhimi do të stimulohet në mënyrën e duhur, duke bërë që gjidhënia të zgjatë për një kohë të caktuar dhe në jo pak raste edhe pas vitit të dytë të jetës, duke i dhënë në çdo moment fëmijës atë për të cilën ai ka nevojë.
Ashtu siç a thamë edhe më sipër, ky është një proçes i vështirë gjatë të cilit nëna mund të përballet me probleme të shumta, dhe këto probleme mund të çojnë në ndërprerjen e gjirit. Duke dashur të përcjellim një informacion sa më real në lidhje me kohëzgjatjen e ushqyerjes me gji të nënave që ndjekin faqen Per nenat, kemi organizuar një sondazh në portalin pernenat.al në të cilin nënat kanë shprehur eksperiencën e tyre, të cilat më pas janë diskutuar edhe në “Koha të bisedojmë”, diskutim që zhvillohet çdo të enjte në orën 20:00 në faqen tonë të facebook “Per nenat”.
Si e kanë marrë vendimin e ndërprerjes së gjirit nënat që na ndjekin?
• Për disa nëna nuk kishte vend marrja e një vendimi, i gjithë proçesi u shfaq i pamundur pothuajse që në javët apo muajt e parë…
“Unë kam lindur me operim dhe me keqardhje them se bebi im piu gji vetëm një vakt pasi me erdhi qumështi. Në gjithë këtë ndikoi një eksperiencë e keqe që përjetova në maternitet e cila më solli ndjesi negative. Kështu u detyrova ta rris bebin tim me qumësht formule”.
“Unë linda me operacion dhe qumështi më erdhi pas 10 ditësh, bebin e linda prematurë dhe nuk ishte në gjendje ta kapte gjirin pasi edhe unë thithat i kisha të sheshta. Gjiri më iku pas 2 muajsh dhe mua mu shfaq mastiti. Për mua ishte një eksperiencë jo e bukur që nuk ja uroj askujt”.
“Kjo temë është shumë e dhimbshme për mua, sepse e kam plagë në zemër! Jam munduar tej mase ta ushqej vajzën time me qumësht gjiri, por përsëri mendoj se nuk kam mundur të bëj aq sa duhet. Personalisht linda me operacion dhe gjiri më erdhi me vonesë, por mund të them se gjidhënia është eksperieca më e bukur. Do të jepja gjithçka ta kisha sërish vajzën në gji! Ushqyerjen me gji e kam ndërprerë jo me dëshirën time në muajin e dytë pas lindjes, dhe kjo për shkak se kisha frikë se mos nuk e ngopja vajzën, përjetova siklet pas lindjes me operacion dhe kështu qumështi më iku edhe pse bëra shumë gjëra për ta stimuluar sërish prodhimin e tij. Sot, jam shumë e penduar sepse mendoj se duhet të kisha insistuar ende edhe pse vajza e refuzonte vazhdimisht. Ky mu bë mësim dhe herës tjetër do të di si të veproj, pasi qumështin e nënës nuk e zëvendëson asgjë, pa harruar sa i magjishëm është momenti i ushqyerjes me gji!”
Duket se në më të shumtën e rasteve ka ndikuar mosha e fëmijës…
“Unë e kam mbajtur vajzën në gji deri në moshën 2 vjeçare, por në disa artikuj lexoj që fëmija duhet të pijë gji deri në moshën 2-3 vjecare pasi favorizon zhvillimin e inteligjencës së tij”.
“Ja ndërpreva gjirin në moshën 22 muajshe, pasi e kaloi edhe fazën e daljes së dhëmbëve. Edhe pse bashkëshorti im këmbëngulte të vazhdoja më gjatë, e ndieja se nuk po mundesha më”.
“Ja hoqa gjirin djalit në moshën 2 vjeçare dhe për mua kjo ka qënë periudha më e vështirë pasi më vinte keq kur ai e kërkonte, por nga ana tjetër edhe mua më mungonte momenti kur ai pinte gji. Edhe tani kur e kujtoj atë të ditë që nuk i dhashë më gji djalit më vjen të qaj”.
Ushqyerja me gji për disa nga nënat e faqes tonë është një proçes që vazhdon të praktikohet ende, por…
Për disa nëna ushqyerja me gji është duke ndodhur vetëm gjatë një pjese të ditës
“Vendimi për të ndarë fëmijën nga gjiri është i vështirë nga ana fizike dhe emocionale. Unë kam binjakët e mi 17 muajsh të cilët i ushqej ende pjesërisht me gji. Gjatë ditës maksimumi 3 herë por natën kërkojnë ende vazhdimisht”.
“Unë kam gocën 18 muajshe dhe gjatë ditës u bë goxha kohë që ja kam reduktuar, madje një javë nuk piu fare gjatë ditës. Qenka shumë e dhimbshme kjo ndarje!”
Por ka ende nëna të cilat e ushqejnë fëmijën me gji edhe pse në moshë mbi 24 muajsh…
“Unë e kam fëmijën 26 muajsh dhe ende nuk ja kam hequr gjirin. Kam vendosur ta mbaj në gji derisa ta lejë vetë. Më dhimbset shumë dhe nga ana tjetër më pëlqen ta mbaj afër vetes. Më kënaq pa masë!”
Ajo që nënat na shprehin qartë gjatë bashkëbisedimit është se kanë pasur vështirësi dhe ndjenja të bukura njëkohësisht gjatë gjidhënies, na shprehin sa të lumtura janë që ushqejnë me gji dhe sa janë mërzitur kur nuk kanë mundur. Por ajo që ngelet në hije është ndihma dhe mbështetja e familjarëve. Ashtu siç e theksuam në fillim ajo është shumë e rëndësishme! Si veprojnë familjarët kur nëna nuk mundet ta ushqejë fëmijën me gji? Si është reagimi i tyre kur ajo e mban pa pushim beben në gji, apo pse jo edhe fëmijën që tashmë mund të jetë më shumë se 12 muajsh? Është e vërtetë që ndonjëherë ata influencojnë tek nëna e re në mënyrë negative, se shpesh e “këshillojnë” atë se nuk ka qumësht mjaftueshëm apo se qumëshi i saj nuk është i mirë për fëmijën? Kjo sigurisht që ngelet për t’u trajtuar me gjithë rëndësinë e saj në një temë të ndarë, dhe deri atëherë ju mund të na shkruani eksperiencën tuaj, në lidhje me mënyrën si të afërmit tuaj kanë reaguar apo çfarë ndihme ju kanë dhënë në lidhje me gjidhënien. Sa e kanë mbështetur ata apo sa indiferentë mund të jenë treguar.
Mos harroni se ajo që për ju mund të jetë thjesht një eksperiencë e të kaluarës, për një nënë tjetër mund të jetë shpresa e vetme për t’i dhënë një zgjidhje problemit!

Nga nenat pernenat

Lexoni edhe: Gjidhenia






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Lidhja me fëmijën tuaj pas...

Fëmija juaj i porsalindur është në kraharorin tuaj ndërsa derdhni lot gëzimi. Besojmë se e keni imagjinuar momentin kur fëmija juaj vjen në botë si momenti më i lumtur i...

Pse çdo grua shtatzënë duhet...

Anomalitë gjenetike mund të ndodhin në çdo shtatzëni, prandaj testi NIPT është i rëndësishëm për çdo grua shtatzënë, pavarësisht nga mosha e saj apo risku i predispozitës gjenetike. Ekspertët mjekësorë...

MËSONI MË SHUMË PËR TESTIN...

A e dini se mund të zbuloni nëse fëmija juaj është i shëndetshëm që në javën e 10-të të shtatzënisë? Ju mund ta zbuloni shëndetin gjenetik të foshnjës tuaj gjatë...

DIVO, për t’i bërë 1000...

Çdo ditë është e rëndësishme por 1000 ditët e para të jetës janë vendimtare pasi janë castet ku krijohen rrenjët, baza e zhvillimit të fëmijës tuaj por ndërkohë edhe modeli...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X