Gratë shtatzëna që vuajnë nga migrena kanë një rrezik në rritje të përjetimit të komplikimeve të shtatzënisë, duke përfshirë operacionet cezariane, thonë studiuesit. Studimi u botua në revistën Headache dhe u krye nga Departamenti i Epidemiologjisë Klinike në Universitetin Aarhus dhe Spitalin Universitar Aarhus në Danimarkë. Komplikime të tjera që lidhen me dhimbjet e rënda të kokës janë tensioni i lartë i gjakut, abortet, lindjet e parakohshme dhe foshnjat me peshë të ulët lindjeje.
Migrena gjatë shtatzanisë dhe rreziku i lindjes me operacion
Studiuesit përdorën regjistrat e shëndetësisë daneze për të identifikuar më shumë se 22,000 gra shtatzëna të cilat ishin në spital për shkak të migrenës, ose kishin marrë të paktën dy receta për migrenën. Gratë u krahasuan me një grup 10 herë më të madh të nënave shtatzëna pa probleme të njohura të migrenës. Ata gjetën se rreziku i operacionit cezarian është midis 15 deri 25 për qind më i lartë për nënat me migrenë në krahasim me ato pa këtë problem.
Përveç kësaj, studiuesit mendojnë se ilaçet e migrenës mund të lehtësojnë disa nga komplikimet e shtatzënisë, por gratë duhet të vazhdojnë me kujdes dhe të konsultohen me mjekun e tyre para se të marrin ndonjë mjekim.
Për fat të keq, migrena është shumë e zakonshme dhe ndërsa shkaku mbetet i panjohur, kërkimet sugjerojnë se ajo mund të shkaktohet nga stresi, lodhja ose ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë. Autori kryesor i studimit, Nils Skajaa, BSc, thotë se profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të kenë parasysh migrenën kur punojnë me një paciente shtatzënë. Dhe nëse jeni në pritje të një fëmije dhe vuani nga migrena e shpeshtë, sigurohuni që ta vini në dijeni obstetrin tuaj.
Lexo edhe: 7 problemet shëndetësore të lidhura me migrenën
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu