Zakonisht, në momentin që fëmija është 11-12 muajsh prindërit fillojnë të pyesin veten se sa fjalë duhet të jetë në gjendje të shprehë, dhe bashkë me këtë dyshim fillojnë edhe kërkimet në burime të ndryshme, krahasimet me bashkëmoshatarët e tij dhe më pas rritet shqetësimi dhe ankthi. Në të vërtetë, ky ankth që ndiejnë prindërit perceptohet edhe nga fëmija, i cili duket sikur bllokohet edhe më tepër. Pra, prindër! Nuk duhet të shqetësoheni atje ku nuk ka vend për ta bërë këtë, pasi në këtë mënyrë pengoni zhvillimin e të folurit të fëmijës.
Por, si të bëjmë të kundërtën?
Zhvillimi psikomotor i fëmijës është një proçes që pasqyron ambientin në të cilin fëmija ka qëndruar gjatë rritjes së tij, pra nëse ai është stimuluar, sigurisht që do të shfaqë shenja të një zhvillimi të mirë. Të folurit e fëmijës është një proçes që ndikohet drejtpërsëdrejti nga ambienti në të cilin fëmija është rritur. Nëse prindërit nuk komunikojnë në shtëpi, nuk i flasin fëmijës, ka shumë mundësi që edhe zhvillimi i fëmijës të kryhet në mënyrë tepër të ngadaltë, kjo pasi ai do ta konsiderojë këtë si një proçes më pak të rëndësishëm krahasuar me format e tjera të komunikimit.
Rëndësia e familjes
I kushtoni shumë rëndësi stimulimit të fëmijës edhe pse nuk do të merrni asnjë përgjigje me fjalë nga ai. Krijoni dialogë në të cilat duhet të përfshini edhe fëmijën, luani me të duke i shpjeguar gjithçka me fjalë, duke i treguar emrat e objekteve apo ushqimeve që konsumon. Kjo duhet bërë në mënyrë shumë të qetë, ngadalë si edhe me fjalë të qarta, duke mos përdorur në asnjë moment shkurtime të fjalëve. Nëse veproni në këtë mënyrë fëmija juaj do të flasë sapo të jetë gati.
Çfarë ndodh më pas?
Ai do të flasë sipas mënyrës së tij, do të shprehet në lidhje me veten e tij në vetën e tretë etj, por ju nuk duhet ta korigjoni apo qortoni, thjesht duhet të plotësoni nevojat e tij. Në momentin që ai do të ndihet i pranuar në bisedë si edhe i dëgjuar, do të ketë dëshirë të flasë edhe më shumë.
Lexoni edhe: Ndersa ai eshte duke thene fjalet e para ju duhet te…
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu