Një qytet i bukur që shtrihet buzë liqenit dhe që zbukurohet nga gjelbërimi që natyra i ka falur. Me një klimë perfekte për të kaluar disa ditë pushimi me fëmijët tuaj, ku vera shoqërohet nga temperatura të uleta, me ditë të ngrohta dhe netë të freskëta ku muaji më i nxehtë është ai muaji Gusht (gjatë të cilit temperaturat mund të shkojnë 34-35 gradë), ku mund të gjeni ushqime të shijshme tradicionale, dhe mbi të gjitha koranin e freskët. Shpesh, thuhet se ata që e kanë vizituar njëherë i janë rikthyer sërish dhe duket se magjia e këtij qyteti ju fal kujtime mbresëlënëse të një udhëtimi të bukur familjar. Çdo verë popullsia e qytetit dyfishohet nga pushuesit e shumtë kryesisht nga Tirana, Korça dhe Elbasani. Natyra e bukur, liqeni, klima, ambienti tërheqës njerëzit mikprites i bëjnë pushuesit që të vijnë çdo verë këtu.
Pogradeci, ky qytet i vendosur përgjatë kodrave në formë teatri, është një qytet që mund të vizitohet më mirë vetëm në këmbë. Ai ofron për turistët shëtitore të gjera, në të cilat mund të gjeni ende xhiron tradicionale të qyteteve shqipëtare.
Plazhi
I gjithë bregu i Pogradecit shfrytëzohet për plazh gjatë stinës së verës, por edhe për shëtitje, vrap, sport, peshkim etj. Në Pogradec ka edhe disa plazhe të tjerë private e publike, me rërë e guralece të vegjël. Jashtë qytetit janë plazhet me ujë të kristaltë të Linit dhe Tushemishtit. Ky qytet laget nga liqeni i Ohrit, i cili është i dyti nga madhësia pas atij të Shkodrës, gjithashtu është liqeni më i thellë në gadishullin e Ballkanit, i cili është shpallur pasuri e Unesco-s. Bregu është ranor me një shtrësë të trashë dhe të bardhë rëre. Këtu ndodhen hotelet, apartamentet, shtëpitë familjare të pushimit etj. Për plazh mund të përdoret zona e Tushemishtit, Linit, Pojskës etj.
Kuzhina
Prodhimet e tokës dhe të liqenit e bëjnë Pogradecin një vend të spikatur për nga kuzhina tradicionale dhe ajo e kultivuar. Mund të përmendim lakrorin me dy petë të pjekur në saç, qullnikun, byrekët, kuleçët, pastërmanë, tavat e perimeve me oriz, tavat e peshkut apo të mishit të pjekura në furrë, etj. Vetëm korani, peshku i famshëm i liqenit ka dhjetë receta gatimi, të cilat dinë ti gatuajnë vetëm mjeshtrit vendas. Ndërsa nga ëmbëlsirat e traditës më e preferuar mbetet bakllavaja.
Në restorantet dhe hotelet e shumta mund të shijoni kuzhinën e liqenit me gatime të skarës apo në tavë. Një specialitet më vete janë edhe gatimet e shpendëve në saç, apo kuzhina e gjahut, ku nuk mungojnë rosat, shapkat apo lepujt e egër. Edhe kuzhina e huaj është interesante me varietet e saj të shumta. Të gjitha këto prodhime mund të shijohen me raki rrrushi, mani, kumbulle dhe verën e famshme të Pogradecit që ruhet në bute prej druri.
Një zonë ku mund të hani vaktet tuaja bashkë me fëmijët në mënyrë të qetë është Restorant “Mjelma” në Drilon. Alternativë tjetër mund të jenë edhe restorantet e tjera të kësaj zone, në të cilën fëmijët mund të arsgëtohen duke parë mjelmat si edhe duke bërë shëtitje me varkën e vogël që ndodhet në pronësi të restorantit. Korani i freskët është ushqimi që e bën këtë restorant kaq të veçantë. Nëse do të dëshironi të hani një ëmbëlsirë të shijshme mund të shkoni tek pastiçeri “Tusha”, pranë qëndrës së qytetit.
Hotelet
Në Pogradec ju mund të akomodoheni në hotele apo shtëpi pushimi familjare të cilat ofrojnë për pushuesit raport të mirë çmim-cilësi.
Disa hotele që mund t’ju sugjerojmë do të jenë:
– Hotel Enkelana;
– Hotel Millenium;
– Hotel Perla;
– Hotel Sirena (Tushemisht) etj.
Cfarë mund të vizitojmë në Pogradec?
– Mozaikun e Linit, në fshatin Lin në veri të Pogradecit;
– Burimet e Drilonit;
– Urën e Golikut në rrugën e vjetër Egnatia;
– Manastirin e shën Marenës;
– Kalanë e qytetit;
– Parkun e Drilonit etj.
Lexoni edhe: Te njihemi me qytetin e Korces
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu