Ballakumet janë një ëmbëlsirë tipike elbasanase të cilat tradicionalisht janë gatuar në festën e 14 Marsit që të gjithë në e njohim si “Dita e Veres”. Gatimi i kësaj ëmbëlsire kërkon pak teknikë dhe vemëndje të veçantë. Kjo lloj ëmbëlsire bëhet me pak përbërës, me bazë miellin e misrit.
Ballakumet e Elbasanit gatuhen në një enë të madhe bakri, ku rrihen fort me dorë me një lugë druri dhe piqen në furrë druri. Receta origjinale përmban edhe përdorimin e ujit të finit (në ujë të pastër hidhet hi zjarri, lihet disa minuta në qetësi e më pas e kullojmë). Por në pamundësi të hirit mund të shtojmë pak qumësht. Sot, në vija të përgjithshme ballakumja përgatitet në mënyrën që vijon.
Si fillim, tretim gjalpin në një tenxhere alumini dhe e lemë për rreth gjysmë ore derisa të fundërrojnë kripërat e tij.
Më pas në një enë të thellë rrahim gjalpin e tretur me sheqerin derisa të formohet një masë e bardhë dhe homogjene.
Në një enë tjetër përziejmë vezët e plota me qumështin dhe i shtojmë ngadalë tek masa me sheqer dhe gjalpë duke vazhduar rrahjen.
Shtojmë gjithashtu ngadalë miellin e misrit dhe në fund atë të grurit duke vazhduar rrahjen kësaj here me ndihmën e një piruni.
Në këtë fazë, e lemë brumin të pushojë për rreth 15-20 minuta. Megjithëse brumi në fillim mund të duket shumë i butë apo i qullët, kjo kohë i lejon grimcave të miellit të thithin lagështirën e tepërt të tij, por në qoftë se edhe pas 20 minutash brumi rezulton përsëri i qullët, shtojmë pak miell dhe e perziejmë.
Me dorë marrim pak brumë dhe formojmë një formë sferike të shtypur me madhësi mesatare të cilat i vendosim në tavë të lyer me gjalpë dhe pak miell (ose te shtruar me leter furre).
Ballokumet vendosen në një distancë nga njera tjetra në furrë te parangrohur në 170 gradë derisa ato të marrin një ngjyrë të artë sipër, por jo të kuqërremtë! Pas përfundimit të pjekjes, i lemë derisa të ftohen dhe me pas i heqim nga tave duke patur kujdes që mos të ngjiten në të.
Përbërësit për Ballakume Elbasani për Ditën e Verës
– 1 kg miell misri
– 100 gr miell gruri
– 1 kg sheqer
– 500 gr gjalp
– 8 kokrra vezë
– 50 ml qumësht
Pershtatur nga: kuzhinashqiptare
Lexo edhe: Kujdes! Gjysher mos u jepni shume embelsira femijeve
')}
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu