Temperatura e lartë është përgjigja apo reagimi natyral i trupit të fëmijës ndaj disa gjendjeve si infeksionet. Tek fëmijët, temperatura normale e trupit luhatet nga 36 gradë celsius në 37.2 gradë celsius. Ajo zakonisht është më e ulët mbas mesnatës dhe më e lartë mbasdite. Një temperaturë mbi 38 gradë celsius mund të jetë shenjë e një sëmundjeje. Kur fëmija është i sëmurë, temperatura e tij mund të ngrihet me një shpejtësi alarmante. Nëse mendoni se fëmija juaj ka temperaturë, provoni t’i ndieni ballin me faqen tuaj, por jo me duar, sepse nëse dora është e ftohtë, lëkura e fëmijës do t`ju duket më e ngrohtë se normalja. Nëse ju duket se digjet nga balli, masni temperaturën.
Si matet temperatura?
Kur fëmija juaj nuk ndihet mirë, masni temperaturën e tij të paktën dy herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë. Mënyra më e mirë për matjen e saj është vendosja e termometrit me zhivë nën sqetullën e tij. Në foshnjat e vogla, temperatura mund të matet duke vendosur majën e termometrit në vrimën e jashtëqitjes (rektum) por kujdes, në këtë rast termometri duhet të dezinfektohet mirë dhe mos të përdoret në fëmijë të tjerë, sepse mund të jetë një burim për përhapjen e infeksioneve të tilla si salmonelë, dizanteri etj.
Si përdoret termometri me zhivë?
• Mbani fort termometrin dhe shkundeni mirë disa herë duke e tundur fort pulsin e dorës tuaj nga poshtë.
• Më tej ulni fëmijën në gjunjët tuaja dhe ngrini krahun e tij. Vendoseni mirë majën e termometrit nën sqetullën e fëmijës. Në rast se fëmija është i djersitur, fshini me parë djersën e tij.
• Ulni krahun e fëmijës poshtë duke e përkulur drejt kraharorit. Prisni afërsisht rreth 3-5 minuta.
• Hiqni termometrin dhe lexoni vizën e zhivës deri në çfarë gradimi ka arritur. Nëse ajo është mbi 37.2 gradë celsius nën sqetull (apo mbi 38 gradë e vendosur në rektum) quhet ethe.
Po më pas?
Në rast se temperatura e fëmijës kalon mbi 38.5 gradë celsius, jepini fëmijës dozën e caktuar sipas moshës të shurupit paracetamol, apo supostos së paracetamolit nga rektumi. Paracetamoli është një ilaç që vepron në trupin e fëmijës për të ulur temperaturën, gjithashtu ai është edhe një qetësues i mirë për dhimbjet, prandaj në gjuhën shkencore quhet analgjezik-antipiretik. KUJDES! PËR ASNJË ARSYE MOS I JEPNI FËMIJËS SË VOGËL NËN MOSHËN 12 VJEÇ ASPIRINË!
Si matet temperatura tek femijet?
Loading ...
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu