Ajri i freskët dhe ndryshimi i mjedisit janë të dobishme jo vetëm për bebin tuaj, por dhe për ju, që në muajin e parë, prandaj nxirreni bebin për shetitje kur koha është e mirë. Kini kujdes ta vishni sipas motit, sepse deri në fund të vitit të parë ai akoma nuk është në gjendje për të kontrolluar temperaturën e brendshme dhe për ta vetërregulluar atë, kur ekspozohet në të ngrohtë apo në të ftohtë. Këtë rol duhet ta luajnë rrobat, duke e mbajtur ngrohtë, kur është ftohtë dhe duke e ndihmuar te ajroset, kur është vapë.
Si duhet ta veshim beben?
Zakonisht, bebi duhet të veshë një rrobë më shumë se ju. Lëkura e bebit tuaj është shumë e ndjeshme ndaj diellit. Sidomos gjatë gjashtë muajve të parë, ju duhet ta mbroni nga ekspozimi direkt apo i reflektuar i diellit (nga uji, rëra etj) sa më shumë të jetë e mundur. Gjatë periudhës së nxehtë duhet të kini kujdes, mos i lini sendet e bebit (karrikja e makinës, mbajtëse të ndryshme ) për një kohë të gjatë në diell. Pjesët e tyre metalike apo plastike mund të nxehen shumë dhe ta djegin bebin. Kontrolloni temperaturën e sipërfaqes së këtyre objekteve, para se të vendosni bebin.
Në kohë të ftohtë dhe të keqe mbajeni bebin brendapor pa e ekzagjeruar sepse fëmija ka nevojë të mësohet me të gjitha kushtet atmosferike, dhe nëse duhet të dilni duhet ta vishni mirë me xhup dhe kapuç të ngrohtë për të mbuluar kokën dhe veshët. Për të kuptuar nëse ka ngrohtë, kontrollohen duart, këmbët dhe gjoksi. Duart dhe këmbët janë pak më të ftohta se temperatura e gjoksit. Nëse këmbët, duart dhe kryesisht gjoksi janë të ftohta, futeni në një mjedis të ngrohtë, zhvisheni, jepini diçka të ngrohtë (qumësht apo supë nëse ka filluar ushqimet e ngurta) dhe shtrëngojeni në gjoks, në mënyrë që të ngrohet nga trupi juaj deri sa t’i normalizohet temperatura e trupit. Shtimi i rrobave apo batanijeve para se të ngrihet temperatura, vetëm sa pengon ndryshimin e temperaturës se trupit (e burgos atë), pra përdorni metodat e tjera, para se te shtoni veshjet.
Lexoni dhe:Shetitjet e para te bebes
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu