Sa i rendesishem eshte 1 Qershori ne ditet e sotme?

0 0

1 Qershori është dita ndërkombëtare e fëmijëve, të cilët pavarësisht moshës kërkojnë të jenë të lumtur dhe ta festojnë këtë ditë në lumturi dhe harmoni. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët “ngrenë” zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me lojra festive.
Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 Qershor sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e mirëqënies së fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dy vjet më pas Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën. Edhe në Shqipëri ashtu si në mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve duke ofruar aktivitete të larmishme të cilat duket se nuk i ngjajnë pothuajse aspak atyre festimeve të viteve të kaluara, protagonistë së të cilave kanë qënë prindërit apo gjyshërit tanë.
Si ka qënë 1 Qershori “dje” dhe si është sot?
Nëse do të kthehemi kohë më parë, atëherë kur fëmijët luanin kudo në lagje dhe shpesh me ta bashkoheshin edhe prindërit, do të shohim se festimet më të mëdha nuk i kapërcenin ato të një organizimi në shtëpi. Pra vogëlushët mblidheshin në shtëpinë e njërit prej tyre dhe festonin duke kërcyer këngë fëmijësh, ndoshta kush frekuentonte kopështin kishte mundësinë të shijonte edhe organizimet e bëra në këtë instituciuon, më pas një akullore apo kokoshkë dhe shëtitje me prindërit. Kush ishte me më shumë fat merrte tek tuk edhe ndonjë dhuratë simbolike e cila nuk konsiderohej si një kusht i domosdoshëm.
Po sot? E kush e mendon 1 Qershorin pa dhuratë? Mjafton të shkoje në një dyqan lodrash të një qëndre tregtare dhe mund ta provoje pa asnjë problem këtë dukuri. Prindër që shtynin karroca të mëdha të mbushura plot me lodra nga më të bukurat, disa mbanin pranë edhe fëmijët që me shumë kujdes bënin zgjedhjet e tyre dhe më pas të gjithë drejtoheshin tek arka. Por nuk mbaronte gjithçka atje. Më pas do të vinte shëtitja edhe pse gjatë pjesës tjetër të ditës festa do të ishte zhvendosur në kopësht. Nuk bëhej fjalë për një festë dosido! Bëhej fjalë për një nga ato festat e mëdha, e organizuar nga një agjensi eventesh, me animatorë e personazhe të ndryshme, dhe vogëlushët dukeshin se po e shijonin pa masë.
Ka diçka të gabuar tek festimet e sotme?
Nëse do ta shikojmë me vëmendje atë që ndodh me festimet e ditëve të sotme do të kuptojmë se ka disa faktorë që e kthejnë atë në një ditë disi edhe të frustruar për fëmijën. Si do të thoni ju? Para pak kohësh lexova një shkrim të pediatres se njohur dhe tepër profesionale Lira Gjika, e cila shprehej konkretisht në këtë mënyrë në lidhje me festimet e 1 Qershorit:
“Sot është 1 Qershori, festa e fëmijëve. Prindër përpiquni që kjo ditë, të jetë vërtet festë për fëmijën tuaj. Kuptimi dhe shijimi i festës për fëmijën nuk është i njëjtë si për të rriturin. Fëmija kënaqet kur vrapon dhe jo kur thotë vjersha. Nëse doni vërtet t’i shtoni gëzimin, luani me të dhe kujdesuni që loja të mos prishet dhe jo ta gjykoni nëse e tha mirë vjershën. Ka plot ditë të vitit për të bërë testime të tilla, kështu që, lëreni në këtë ditë të qetë, për të festuar. Prindër edhe një gjë, mos u trembni po u bë me djersë apo pis. Përmbajeni pak frikën apo bezdinë, sepse fëmijët kanë ditën e festës. Festat e fëmijëve nuk janë as dasma dhe as provime”.
Si nënë mendoj se nuk ka asgjë më të vërtetë se këto fjalë, edhe pse shpesh edhe unë ashtu si ju e bëj këtë gabim. Nuk kam si të harroj fytyrën e djalit tim gjatë një feste në kopësht. Ai dridhej dhe ishte gati të qante ndërsa unë dhe prindërit e tjerë prisnim me padurim të dëgjonim “interpretimin” e tij, ashtu si ai sikletin e kishin të gjithë fëmijët. Atje e kuptova se i gjithë ai organizim ishte tepër frustrues për fëmijën, se festa dhe argëtimi mund të zhvilloheshin në një tjetër mënyrë.
A e kuptojmë ne prindërit se vërtet fëmija nuk ka nevojë për festime madhështore për të qënë i lumtur, dhe kjo jo vetëm gjatë ditës së 1 Qershorit? E keni menduar ndonjëherë se për të do të ishte më tepër argëtuese të shkonte për një piknik në natyrë dhe jo brenda një arene lojërash pa fund? E keni menduar ndonjëherë rëndësinë e natyrës në zhvillimin e fëmijës? Ai ka nevojë të prekë barin, të shikojë edhe insektet e vogla që lëvizin me aq lezet, e madje edhe të mundohet t’i kapë, edhe pse është 1 Qershori. Ndoshta ajo është mënyra më e mirë që ai të festojë ashtu si do ai!
Ajo është dita e fëmijëve dhe ndoshta duhet të përpiqemi të gjithë si prindër t’i bëjmë fëmijët të argëtohen në një mënyrë më tepër spontane, më të thjeshtë, më të çiltër ashtu siç është edhe vetë bota dhe shpirti i fëmijës.

 






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Kur ke një fëmijë në...

Nëse ti ke një fëmijë Ujor, ja cfarë duhet të dish..: UJORI (21 janar - 19 shkurt) Ky fëmijë do të jetë gjithmonë origjinal. Ai është një novator i lindur...

Emra mysliman per bebe

Tradicionalisht në komunitetin mysliman, foshnjave u vihet një emër në ditën e shtatë pas lindjes. Kuptimi i emrit është shumë i rëndësishëm. Myslimanët favorizojnë emrat që janë të virtytshëm dhe...

Qumështi i gjirit ndihmon zemrën...

Dihet prej kohësh që qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për të porsalindurin dhe për fëmijën deri në një vit e më tej, nëse është e mundur. Në...

Rritje e numrit të lindjeve...

Tashmë është demonstruar gjerësisht: pandemia Covid-19 ka pasur një sërë pasojash negative indirekte, përveç atyre më të njohura dhe të lidhura ngushtë me infeksionin. Midis tyre, ka gjithashtu një rritje...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X