Të mirat e kulloshtrës
Në ditët e para pas lindjes, gjiri prodhon një lloj qumështi, që quhet kulloshtër. Kulloshtra është një lëng i trashë me ngjyrë të verdhë, dhe në përmbajtjen e tij gjendet me shumicë një lëndë që quhet betakaroten. Ky është një antioksidues i fuqishëm dhe që i jepet fëmijës në një fazë tepër të brishtë të jetës së tij. Shpesh kulloshtra ka pamje të çuditshme për nënën, ndoshta sepse ajo e përfytyron qumështin me ngjyrë të bardhë. Në sajë të përmbajtjes së vet, kulloshtra është ushqimi ideal i ditëve të para.
Jo vetëm kaq…
Me lindjen, fëmijës i duhet të përballet me shumë viruse dhe bakteret, ndërkohë që fuqitë mbrojtëse të tij janë ende të pazhvilluara. Pas lindjes, ai ka të pranishme në gjakun e vet një sasi trupëzash mbrojtëse, të cilat i ka marrë që para lindjes nga nëna, me anë të plaçentës. Por ndihmesa e vërtetë i vjen nga qumështi. Kulloshtra është një qumësht tepër i veçantë që prodhohet vetëm në 5 ditët e para të jetës. Funksionet e saj të mëdha janë dy: të ushqejë në mënyrë të përshtatshme fëmijën dhe ta mbrojë atë si duhet nga mikrobet. Funksioni mbrojtës
Kulloshtra ka veti të shkëlqyera për të mbrojtur ndaj mikrobeve të ndryshme (viruset dhe bakteret) dhe shumë më të theksuara se qumështi i prodhuar më vonë nga gjiri i nënës. Në sajë të këtyre vetive, ajo shërben si një “çadër” që e mbron fëmijën nga “breshëri” i egër i mjedisit të jashtëm. Ky veprim mbrojtës i kulloshtrës shumëfishohet, në qoftë se fëmija është i lindur parakohe, dhe dihet nga të gjithë se sa rrezikon bebi i lindur parakohe, nga ky ballafaqim me këtë “botë të egër”.
Funksioni ushqyes
Njëkohësisht, kulloshtra në sajë të përbërjes së veçantë me shumë proteina dhe kripëra minerale dhe pak sheqerna dhe yndyrna, është tepër e përshtatshme për të porsalindurin. Në këtë mënyrë, rënia në peshë e të porsalindurit në ditët e para të jetës është e butë dhe rimarrja e peshës së lindjes më e shpejtë.
Lexoni edhe: Ushqyerja me gji, e vlefshme edhe per disa dite

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu