Pak ditë më parë, në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës është ndryshuar menuja për ushqyerjen e fëmijëve. Ky ndryshim u shoqërua me reagime nga shumë prindër, të cilët nuk janë plotësisht dakord me futjen e ushqimeve si trahanaja, tërshëra, shtimi i perimeve dhe pakësimi i mishit. Duke marrë shkas nga shumë mesazhe që kanë ardhur në faqen tonë nga nënat, të cilat janë të shqetësuara se fëmijët e tyre nuk përshtaten dot me këtë menu të re dhe përfundojnë pa ngrënë, kemi përgatitur një material të përmbledhur që shpjegon arsyet përse janë bërë këto ndryshime.
Menuja është hartuar nga dietologia Blerina Bombaj, e cila garanton se menuja e re ka të gjitha vlerat që u duhen fëmijëve. Ajo shton se deri tani fëmijët kanë konsumuar vakte të varfra, me përmbajte të lartë yndyre dhe sheqeri. Sipas saj duhet përmbysur raporti mes cilësisë dhe sasisë.
“Te menuja ka patur tepricë kalorike, por me kalori boshe dhe lëndët ushqyese kanë munguar në mënyrë thelbësore. Kjo menu është hartuar që brenda 3 vakteve të merren në sasinë pothuajse 70% të nevojave ditore të elementeve nutritivë më esencialë. Kemi vënë specin e kuq, kemi vënë bizelen, karotën, kungullin, qepën, akoma dhe hudhrën në gatim për shije por edhe për vetitë e saj antimikrobiale të shkëlqyera. Kemi vënë thjerrëza, kemi vënë fasule, kemi vënë qiqrat, kemi vënë për herë të parë brokolin dhe lulelakrën që janë perime të cilat kanë një forcë mbrojtëse të jashtëzakonshme për të vegjël e të rritur.Në Shqipëri ka një bindje që kur dëgjon tërshërë është për dobësim, por në fakt ka fibra, minerale dhe ato karbohidrate rezistente që ushqejnë florën bakteriale të fëmijëve dhe është një ndër 10 ushqimet në botë më të shëndetshme për njeriun. Ne quajmë trahananë dhe fasulet gjellë për të varfërit. Në fakt trahanaja është një drith i fermentuar. Fermentimi që i bëhet trahanasë nëpërmjet kosit, atyre mikroorganizmave, i jep drithit mundësinë të çlirojë gjithë lëndët ushqyese që ka”- shprehet Blerina Bombaj.
Dietologia ka folur gjithashtu edhe për shqetësimin e prindërve lidhur me mungesën e mishit në menuë e re. Ajo sqaron se mishi nuk është eleminuar, por tashmë do të përdoret 3-4 herë në javë.
Bombaj u bën apel prindërve që të ndërgjegjësohen për ushqyerjen e shëndetshme të fëmijëve, duke theksuar se është pikërisht mosha e çerdhes dhe kopshtit kur ata edukohen me zakonet ushqimore.
Përpara se dieta të hartohej, për të është diskutuar edhe me mjekë pediatër, të cilët sqarojnë se çfarë duhet të përmbajë një dietë ushqimore për fëmijët. Në një pronocim për një televizion, pediatrja Mimoza Çabiri, shpjegon mënyrën si duhet të ushqehen fëmijët, sapo mbushin 6 muajsh.
“Zakonisht fillohet me një muhalebi ose pure patate. Pas puresë së patates, çdo 4-5 ditë shtohet një zarzavat i ri dhe fëmija quhet i ushqyer në qoftë se në një vakt mer sa më shumë zarzavate. Ndërsa lëngun e mishit bashkë me mishin e fillojmë në muajin e 8-të dhe rekomandojmë dy herë në javë mish të kuq, dy herë mish pule dhe dy herë peshk. Vezën e fillojmë mbi 1 vjeç, dy herë në javë, jo më shumë për shkak të kolesterolit që ka. “Suprat e zarzavateve zakonisht bëhen me vaj ulliri, një ditë me vaj ulliri një ditë me gjalp. Gjalpi është gabim që nuk përdoret 6 muaj deri në 1 vjeç sepse ndikon në zhvillimin e trurit. Ne i këshillojmë nënat që një ditë të përdorin një lugë kafe vaj ulliri, një ditë tjetër do përdorin një lugë kafe me gjalpë të freskët. Ne fusim në supë thjerrëzën, bizelen, fasulen, nga të gjitha zarzavatet nga pak por të shumëllojshme, sa më shumë ngjyra sa më shumë shumëllojshmëri”- shpjegon pediatrja.
Ndërsa për frutat, pediatrja rekomandon që të përdoren dy herë në ditë.
Lexo edhe: Ushqyerja ne femijeri, bazat per nje te ardhme me te mire
Sorry, there are no polls available at the moment.
')}
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu