Gjithmonë sa herë marrim në krah fëmijën e vogël ndiejmë një emocion të fortë, veprim që shpesh bëhet për ta bërë fëmijën të ndihet sa më mirë. Shpesh ndihemi jo vetëm të emocionuar por edhe të frikësuar për mënyrën si duhet ta mbajmë në mënyrë që të mos i bëjmë keq fëmijës.
Por çfarë nuk duhet të bëjmë ndërsa mbajmë fëmijën në krah?
• Deri në muajin e 2-3 të jetës fëmija i porsalindur nuk e mban dot ekuilibrin e kokës, e cila është edhe pjesa që delikate e trupit. Ju duhet të keni shumë kujdes kur e mbani fëmijën qoftë në pozicion horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Në muajt e parë të jetës këshillohet që fëmija të mbahet më shumë në pozicion horizontal ndërsa është në krahët tuaj, duke u ngritur në pozicion vertikal sidomos në momentin që fëmija do të gromësijë.
• Gjithmonë duhet të vendosni dorën tuaj prapa kokës së fëmijës dhe duke kaluar krahun tuaj përmes kurrizit të fëmijës. Ju duhet t’i jepni një mbështetje shumë të mirë shtyllës kurrizore të fëmijës.
• Në momentin që fëmija është më i rritur ju mund ta mbani edhe në pozicion që nuk kërkon përfshirjen e shpinës, por gjithsesi rreth muajit të 6-të duhet të tregoni shumë kujdes pasi fëmija mund të lëvizë dhe të bjerë, për këtë arsye duhet ti vendosni gjithmonë dorën në kurriz.
• Nuk duhet të vendosni fëmijën në krah në pozicion ulur ndërsa nuk është në gjendje ende të qëndrojë ulur, pasi mund ta dëmtoni.
• E mbështesni gjithmonë në gjoksin tuaj. Së fundi duhet t’ju kujtojmë se duhet të mos mbani lëngje të nxehta në dorë ndërsa keni në krah fëmijën tuaj.

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu