Femijet dhe perkatesia gjinore

0 0

Si i mësojnë fëmijët rolet gjinore? Si i mësojnë ata dallimet gjinore? Nëqoftëse ju si prindër e kuptoni këtë, mund të arrini ta mësoni fëmijën tuaj ta trajtojë veten si të barabartë me të tjerët, dhe po ashtu dhe të tjerët të barabartë me veten, mashkull apo femër qoftë.
Djemtë, vajzat dhe identiteti gjinor
Fëmijët dallohen nga njëri-tjetri që në lindje nga organet seksuale, vagina për femrat dhe penisi për meshkujt. Ndërsa përkatësia gjinore është diçka tjetër. Ne të gjithë lindim njësoj, meshkuj dhe femra, që ndryshojmë fizikisht vetëm nga organet seksuale, mirëpo këto ndryshime ndonjëherë keqpërdoren.
Duke u rritur, fëmijët mësojnë të jenë djem dhe vajza, burra dhe gra, pra formojnë përkatësinë gjinore. Zakonisht, me rritjen, qënia mashkullore ka tendenca të trajtojë ndryshe qënien femërore, diferencim që fillon të zhvillohet që herët në fëmijëri nga ndikimet e ndryshme në familje, shoqëri dhe mjedisin ku fëmija rritet.
Pavarësisht nga dallimet fizike midis djemve dhe vajzave, të gjithë fëmijëve duhet t’ju jepen mundësi të njëjta për t’u zhvilluar. Mirëpo, për fat të keq, shpesh në shoqërinë tonë djemtë dhe vajzat nuk trajtohen njësoj edhe pse ata zhvillohen njësoj, janë njësoj të zgjuar, të këndshëm, të pavarur, të aftë, të përgjegjshëm, dhe të besueshëm. Këtu fillimisht ndikon mënyra se si janë rritur prindërit e tyre, gjë e cila bën që ata të kenë ide të gabuara se djemtë dhe vajzat kanë sjellje dhe ndjenja të ndryshme, duke i bazuar këto ndryshime tek gjinia e tyre.
Po kështu një ndikim të fortë ka e gjithë shoqëria, mjedisi rrethues i fëmijëve, si: televizori, radioja, librat, revistat etj.
Si dhe kur i kuptojnë fëmijët dallimet gjinore?
Studiuesit kanë vënë re se fëmijët fillojnë ta kuptojnë gjininë në një moshë shumë të vogël. Fëmijët arrijnë përfundimisht të kuptojnë mirë përkatësinë gjinore rreth moshës 6-7 vjeç, por ata kalojnë faza të rëndësishme deri sa arrijnë në këtë moshë.
Fëmija 2 vjeç
Që para moshës 2 vjeçare, madje që sapo marrin vesh gjininë e fëmijës, pra para lindjes, prindërit fillojnë të blejnë lodrat e para, të përshtatshme për vajzë apo djalë. Prindërit fillojnë t’i japin vajzave lodra femërore si kukullat, enët e kuzhinës, dhe djemve lodra mashkullore, si makinat, topi etj.
Gjithashtu prindërit mund t’i trajtojnë ndryshe fëmijët e tyre. Shumë prindër vajzat e vogla i veshin me rroba “të bukura” dhe i trajtojnë me delikatesë. Djemtë e vegjël shpesh vishen me rroba “burrërore” me të cilat mund të lëvizin dhe të luajnë lehtësisht. Djemtë nxiten shpesh të jenë të gjallë, aktivë dhe të fuqishëm.
Fëmija 2-3 vjeç
Në këtë moshë, fëmijët e vegjël po zhvillojnë “identitetin gjinor”. Kjo nënkupton se ata fillojnë të quajnë identifikojnë veten e tyre dhe të tjerët si djem dhe vajza. Ata e bëjnë këtë dhe me miqtë dhe familjen.
Fëmija 3-4 vjeç
Fëmijët në këtë moshë fillojnë të përdorin “kategorizimin gjinor”. Atyre u pëlqen t’i ndajnë gjërat në kategori, sipas veçorive të ndryshme, dhe shpesh kjo ndarje bazohet edhe tek gjinia. Për shembull një fëmijë tre vjeçar mund të mendojë se makinat janë lodra mashkullore, sepse ka parë që djemtë luajnë zakonisht me makina (sepse ato i blejnë dhe i japin prindërit apo të afërmit).
Kush ndikon mbi zhvillimin e dallimeve gjinore tek fëmijët
Ndikimi i prindërve
– Prindërit i mësojnë fëmijët, duke i qortuar dhe duke përdorur disiplinë të fortë. Ata për të njëjtën gjë mund të lavdërojnë vajzat dhe të qortojnë ose të dënojnë djemtë. Kjo është një mënyrë që krijon dallime gjinore.
Për shembull
Nëna mund të lavdërojë vajzën e saj kur ajo mbledh lule për të, por mund të qortojë djalin për të njëjtën gjë, pasi i duket dicka femërore.
– Duke kaluar kohën me prindërit, fëmijët shikojnë se çfarë bëjnë ata dhe më tej përpiqen t’i imitojnë.
Për shembull
Fëmijët që shikojnë babanë e tyre që lan shpesh pjatat, mund të mësojnë se larja e pjatave është edhe një aktivitet mashkullor. Ose fëmijët që jetojnë vetëm me një prind, shikojnë nënën apo babain e tyre që bëjnë të gjitha punët e shtëpisë dhe mësojnë se meshkujt dhe femrat mund të kryejnë të njëjtat punë, pavarësisht se kanë gjini të ndryshme.
– Prindërit i mësojnë fëmijët, duke u treguar se çfarë kërkojnë prej tyre. Prindërit mund të presin gjëra të ndryshme nga djemtë dhe vajzat e tyre. Kjo mbështet dallimin gjinor.
Për shembull
Prindërit mund të presin nga djali i tyre që të jetë i dalluar në matematikë dhe nga vajza të jetë e dalluar në art e lexim.
– Një mënyrë tjetër që stimulon dallimin gjinor është ndarja e detyrave. Prindërit janë të prirur t’u japin detyra të ndryshme djemve dhe vajzave.
Për shembull
Djemtë të derdhin plehrat dhe vajzat të lajnë pjatat.
– Prindërit i mësojnë fëmijët të bëjnë dallime gjinore nëpërmjet komenteve të tyre. Prindërit mund t’u thonë djemve dhe vajzave të tyre se vetëm djali apo vajza e bën një punë të caktuar.
Për shembull
Nëna i thotë vajzës:- “Unë nuk e rregulloj dot makinën. Kjo është detyrë e burrave, pra detyra e babit”.
Ndikimi i moshatarëve
– Vëllezërit dhe motrat në familje janë modele të cilat ndikojnë në ndarjen gjinore. Fëmijët shpesh kopjojnë veprimet dhe fjalët e thëna nga vëllezërit dhe motrat që kanë në familje, veçanërisht kur këta janë më të rritur. Edhe vëllezërit dhe motrat më të rritura shpesh i tregojnë njëri tjetrit se çfarë duhet të thonë apo të bëjnë.
Për shembull
Motra mund t’i thotë vëllait: “kjo është xhaketë vajzash” dhe vëllai nuk do ta veshi më atë xhaketë.
– Vëllezërit dhe motrat mësojnë njëri-tjetrin si të veprojnë dhe si të sillen në rrethana të ndryshme.
Për shembull
Ndërsa fëmijët luajnë në shtëpi, vëllai i madh, i tregon vëllait të vogël punët që bën mami dhe babi. Pra, i tregon atij se cfarë bëjnë femrat dhe cfarë bejnë meshkujt.
– Miqtë dhe fëmijët e së njëjtës moshë janë modele që ndikojnë në diferencimin gjinor të fëmijës. Ashtu si vëllezërit, miqtë kanë një efekt mbi sjelljet dhe pikëpamjet e fëmijëve. Disa shokë mund t’u mësojnë dallimet gjinore. Shokë të tjerë mund të tregojnë barazinë gjinore.
Për shembull
Nëse pjesa më e madhe e vajzave në shkollë duan të veshin xhinse në vend të fustanit apo fundit, edhe vajzat e tjera do të duan ta bëjnë këtë gjë. Po kështu nëse shumë djem në shkollë luajnë futboll, edhe djemtë e tjerë do të duan ta bëjnë këtë.
– Shokët shprehin atë që mendojnë në lidhje me dicka që për ta mund të jetë e drejtë apo e gabuar. Fëmijët lavdërojnë ose dënojnë veprimet apo fjalët e njëri-tjetrit.
Për shembull
Nëse vajzat veshin ”rroba djemsh” miqtë e tyre mund të tallen dhe t’u thonë “dukesh si djalë”. Një shok tjetër mund t’i thotë se djemtë dhe vajzat duhet të kenë mundësinë të provojnë veshje të ndryshme në bazë të asaj që ata pëlqejnë.
– Fëmijët shpesh luajnë me fëmijët e të njëjtës gjini. Kjo zgjat deri në vitet e hershme të adoleshencës.
Për shembull
Djemtë ftojnë për festa në shtëpitë e tyre vetëm djem. Vajzat mblidhen në grupe vajzash për të luajtur.
Ndikimi i medias
Media mund të konsiderohet një ndikim që thellon dallimet gjinore. Televizioni, radioja, revistat etj shpesh tregojnë burra dhe gra në role të ndara. Për shembull ato i kushtojnë vëmendje bukurisë së gruas dhe fuqisë muskulore të burrit. Personazhet femra të filmave me kartona janë të bukura dhe delikate dhe duhet të shpëtohen nga burrat.
Media nxit dallimet gjinore gjithashtu edhe nëpërmjet reklamave. Reklamat bëhen për të tërhequr interesin e burrave apo të grave drejt një produkti apo shërbimi të caktuar. Publiku të cilit ato i drejtohen, është i ndryshëm për prodhime të ndryshme, për shembull pajisjet e sportit reklamohen më shumë nga aktorë meshkuj, gra të bukura vendosen në shumë reklama, edhe pse ato nuk janë të lidhura me mallin që reklamohet.
Mos u shqetësoni aspak kur një fëmijë luan me lodra për “vajza” ose me lodra për “djem”.
Ju si prind mund të mërziteni, sepse djali juaj po luan me kukulla ose vajza juaj po luan me makina. Kjo i bën shumë mire zhvillimit të tyre, sepse kështu fëmijët provojnë të bëjnë aktivitete të ndryshme. Duke luajtur me makina, vajza mëson për shpejtësinë, këndet, lëvizjen. Një ditë asaj do t’i duhet t’i japë makinës, apo biçikletës.
Duke luajtur me kukulla, djali mëson të kujdeset për një person tjetër. Ai po përgatitet që të bëhet një baba i kujdesshëm për fëmijën e tij, kur të vijë koha e duhur.
Kur djali juaj do që të veshë rroba të bukura, të kuqe apo me lule, që ju i quani veshje vajzash.
Prindët shqetësohen, pasi djalit të tyre i pëlqen të veshë rroba të stolisura si femrat. Por, në këtë rast fëmija po përdor imagjinatën dhe krijmtarinë e tij, për të zbuluar ngjyrat dhe koordinuar veshjen. Ai gjithashtu po imiton atë që shikon tek të tjerët. Kjo është një pjesë e shëndetshme e procesit së të mësuarit.
Kur një vajzë dëshiron të luajë me kuba, makina, ose aktivitete shkencore që ju i quani për “djem”
Ju mund të mërziteni pasi vajzës suaj i pëlqen të ndërtojë dicka me kuba apo të zbërthejë makinat për të pare sesi janë ndërtuar. Ju duhet të keni parasysh se duke luajtur kështu, ajo mëson njohuri që do t’i duhen për matematikën dhe shkencat. Kjo është një mënyrë e mirë për të përdorur aftësitë e të menduarit, të cilat do ta ndihmojnë atë për matematikën, fizikën, kiminë në momentin që do të shkojë në shkollë.
Kur një i njohur bën një koment që s’ju pëlqen
Ju mund të shqetësoheni nëse dikush i thotë vajzës suaj të vogël se është veshur si djalë, ose nëse njerëzit i thonë shpesh djalit tuaj të vogël se është i urtë si vajzë. Për fëmijët tuaj ka shumë më tepër rëndësi ajo që i thoni ju, dho jo ajo që i thonë të tjerët. Në këto raste ju si prindër, pasi dikush ju ka thënë diçka të tillë, mund të thoni fjalën tuaj, duke treguar qartë se ju e pëlqeni dhe e nxisni këtë gjë.
Për shembull mund t’iu përgjigjeni “Po asaj i pëlqen shumë të ngasi biçikletën dhe të luajë futboll”, ose “ A e di? Djali im sot më ka ndihmuar të gatuaj drekën. Jam shumë e kënaqur”.
Këshilla për një zhvillim sa më të shëndetshëm tek vajzat dhe djemtë
Fëmijët e vegjël mendojnë se mund të jenë gjithçka dhe mund të bëjnë gjithçka. Por stereotipet gjinore (rritja sipas roleve tradicionale gjinore) janë disa korniza të ngushta dhe të ngurta që kufizojnë ëndrrat dhe eksperiencat e tyre. Nëse fëmijët pëlqejnë të bëjnë diçka që është ndryshe nga e zakonshmja, mund të ndihen jo rehat dhe të turpëruar.
Ata mund të mendojnë se ka diçka që nuk shkon tek vetja e tyre. Ndërkohë që ju mësoni dhe kujdeseni për fëmijët, mund t’i ndihmoni ata të bëjnë shumë gjëra, qofshin djem apo vajza. Disa nga ju mund të mos ndihen rehat me disa nga këto ide, që po lexoni në këto faqe. Ju mund të doni që të bëni gjëra të tjera për djalin, dhe gjëra të tjera për vajzën. Por duhet të jeni të sigurt se lojrat e ndryshme i ndihmojnë fëmijët të mësojnë shumë gjëra dhe të kënaqen në shumë aktivitete. Kështu, ju i jepni një dhuratë të çmuar fëmijës suaj. Mos e trajtoni fëmijën si djalë apo si vajzë brenda kornizave të vjetra. Nisuni nga ajo që i pëlqen dhe që e tërheq. Kështu do të keni një fëmijë të kënaqur dhe do të formoni një njeri me shumë vlera.






Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Kur ke një fëmijë në...

Nëse ti ke një fëmijë Ujor, ja cfarë duhet të dish..: UJORI (21 janar - 19 shkurt) Ky fëmijë do të jetë gjithmonë origjinal. Ai është një novator i lindur...

A duhet të trajtohen dhëmbët...

Të mendosh se dhëmbët e qumështit, si të përkohshëm, nuk duhen mbrojtur është gabim. Jo vetëm që duhen larë me kujdes, por duhet pasur kujdes edhe në rast problemesh. Përndryshe...

Ilaçe të reja për trajtimin...

Gjithnjë e më shumë të rinj po vuajnë nga problemet e astmës, sëmundje që në situata të caktuara vështirëson frymëmarrjen. Deri më tani, trajtimi i astmës tek fëmijët bazohej te...

Kukulla për fëmijë, 6 sugjerime...

Më poshtë kemi përgatitur një listë me gjashtë flimat vizatimorë më të përshtatshëm e të bukur për t'i parë fëmijët tuaj gjatë periudhave të festave e pse jo edhe natën...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


X

Ndrysho fjalkalimin


X