Vera është stina e plazhit dhe mund të themi se ekzistojnë shumë arsye të rëndësishme për t’i dërguar ata në det. Sigurisht që për ato familje që jetojnë larg vendeve bregdetare kjo do të kërkojë organizimin e një udhëtimi të vërtetë, çadra, veshjet, peshqirët, lodrat, ushqimet e fëmijës, termusi etj. Për të mos përmendur kthimin, i nxehti, trafiku, lodhja dhe në fund shumë prindër ndoshta e pyesin veten nese ja vlen e gjithë kjo.
Mund t’ju themi se nuk ka fëmijë që nuk e pëlqen plazhin dhe këtë e konfirmojnë edhe disa studime të bëra. Qendra e studimeve amerikane “Early head start national resource center”, konfirmon se të mësosh fëmijën të dojë natyrën dhe të kalojë shumë kohë në hapësirën jashtë shtëpisë, si për shembull në plazh, i drejton ata drejt një jete më të shëndetshme dhe me më pak rrezik për obezitet.
Nëse jeni ende të pavendosur ja disa arsye të rëndësishme për t’i çuar fëmijët në plazh:
Ajri i detit i bën mirë
Ajri i detit është i pastër dhe i pasur me kripëra minerale si jodi, kaliumi, magnezi. Është e rënësishme që fëmija të qëndrojë në breg nëse deti ka dallgë, sepse deti në këtë rast çliron grimca të pasura me këto minerale, të cilat asimilohen më anën e frymëmarrjes. Kjo është një formë aerosoli natyral që ndihmon në pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes, sinuset paranazalë si edhe ndihmojnë fëmijën për të përballuar më mirë sëmundjet e dimrit.
Uji i detit është një oaz mirëqënie
Uji i detit është shumë i pasur më minerale si natriumi, klori, bakri dhe squfuri, të cilat kanë veti anti-bakteriale. Uji i detit i bën mirë një fëmije që i ka hundët e zëna, kuron ekzemat si edhe ndihmon në qarkullimin e gjakut, gjatë notit, gjë e cila do të mundësojë nivele më të larta të oksigjenit në inde.
Deti rregullon gjumin dhe hap oreksin
Zhurma e dallgëve të detit e bën fëmijën e vogël të kujtojë sërish jetën brenda barkut të nënës dhe për këtë asrye të ndihet më i qetë dhe të bëjë një gjumë më të mirë. Gjithashtu gjatë një dite të kaluar në det fëmija do të jetë në lëvizje për një pjesë të mirë të ditës. Levizjet e shumta në diell dhe ujë do të bëjnë që ai të tregojë më shumë interes për ushqimin.
Dielli forcon kockat dhe stimulon rritjen
Vitamina D është një vitaminë shumë e rëndësishme të cilën trupi i fëmijës e sintetizon nëpërmjet lëkurës, kjo falë ekspozimit në diell. Do të mjaftonin 15-20 minuta në ditë, për të paktën 4 ditë në javë dhe nevojat e organizmit do të plotesoheshin me rreth 80% të nevojave ditore për vitaminë D. Pjesën tjetër mund ta plotësonim me anën e disa ushqimeve që e përmbajnë këtë vitaminë si qumështi dhe produktet e tij, veza, disa lloje peshku si salmoni.
Roli kryesor i kësaj vitamine është të fiksojë kalçiumin në kocka, pra është e rëndësishme për të ruajtur një shëndet të mirë të gjithë organizmit. Nevojat për të rriten gjatë shtatëzanisë, tek të moshuarit që vuajnë nga osteoporoza, të cilët janë më të rrezikuar për të pësuar fraktura. Sipas disa studimeve të kryera kohët e fundit, është nxjerrë konkluzioni se vitamina D nuk është e rëndësishme vetëm për kockat por edhe për muskujt, zemrën dhe mushkëritë.
Lexoni dhe : Vitamina C per femijet, perfitimet, burimet dhe sasia e nevojshme
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu