Që në momentet e para kur erdhi në jetë vajza ime, kisha dëshirë të papërmbajtshme për të fotografuar çdo çast të lindjes së saj. Fillimisht kjo dëshirë lindi nga nevoja për të pasur të dokumentuar momentet më kyçe të jetës sime, si ai i të bërit nënë e pastaj përjetimet e mia të bukura për momentet kyçe të vetë fëmijës. Si përshembull veshja e parë kur doli nga spitali, shëtitja jonë e parë me të, hera e parë kur buzëqeshi, hera e parë kur belbëzoi tinguj, buzqëqeshja e parë etj. Duke i fotografuar, krijoja një lloj sigurie se i kisha përjetësuar këto momente për të mos mu larguar kurrë nga kujtesa edhe pse koha kalonte me shpejtësi të frikshme.
Por duke jetuar në një epokë dixhitale, ishte e papërmbajtshme dëshira që ndonjë prej fotove, të paktën ato që më pëlqenin më shumë t’i publikoja në rrjetet e mia sociale.
Duke parë reagimin ndaj fotove të vajzës, komentet pozitive dhe gjithë dashurinë që tregonin ndjekësit e mi, dëshira për ta publikuar sa vinte dhe rritej, derisa më lindi ideja që t’i hapja një llogari personale, ku mund të ndaja me ndjekësit gjithçka nga bota e vogëlushes sime: ushqyerjen, veshjen, vendet që frekuentonim, librat që lexonim etj.
Shumë entuziaste për idenë, ia tregova bashkëshortit tim e bindur që do t’i pëlqente po aq sa dhe mua. Në të vërtetë, ndodhi e kundërta. Ai nuk ishte aspak dakord me idenë duke argumentuar se nuk mund të merrnim ne një vendim të tillë për vajzën, për t’i përcaktuar jetën që në moshë aq të vogël.
Fillimisht mendoja se do ta bindja, por jo. Ai ishte tërësisht i qartë në parimet e tij dhe nuk pranoi kurrë, edhe tani që vajza është 4 vjeçe.
Por si i bëhet në raste të tilla? Kur njëri prind është dakord dhe tjetri jo. Duke qenë një vendim jo i një rëndësie të vogël, sepse shënjon fort jetën e një fëmije, pa dakordësinë e të dyve, nuk mund të aporovohet.
Megjithatë, psikologia Lorela Garuli ka mendimin e saj prefesionist për situatën. Vendimi , sigurisht u takon prindërve, por ajo jep anët pozitive dhe negative që ka një zgjedhje e tillë e prindit për fëmijën.
Sipas saj, anët pozitive të përdorimit të fëmijëve si bloggers/influencers janë:
- fëmija bëhet i njohur;
- idetë dhe mesazhet e tij u shkojnë shumë njerëzve;
- mund të ketë bashkëpunime të frytshme;
- mund të krijojë të ardhura.
Anët negative:
- humb një pjesë të madhe të privatësisë së jetës së tij;
- mund të mos dijë të menaxhojë kohën;
- mund të humbasë prioritetet e tjera;
- mund të krijojë frustrim dhe problematika në sjellje nga kërkesat në rritje për ndjekës apo pëlqime;
- mund të ekspozohet ndaj përmbajtjeve apo individëve të papërshtatshëm.
Si përfundim, nuk ka një përgjigje të prerë për temën. Mbetet që prindërit të analizojnë anët pro dhe kundër, të vendosin se ku e gjejnë veten më shumë dhe ta marrin sëbashku vendimin.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu