Bebet e vogla zakonisht bëjnë disa dremitje gjatë ditës, por në disa raste fëmija mund të shfaqë vështirësi në vendosjen e një regjimi të rregullt të përditshëm.
Çfarë të bëjmë nëse fëmija nuk do të dremisë gjatë ditës?
Fëmija duhet të bëjë 2-3 dremitje gjatë ditës në varësi të moshës, megjithatë nëse ai fle i qetë gjatë natës dhe është gjithashtu i qetë gjatë ditës edhe pse nuk bën asnjë ose bën dremitje të shkurtra nuk është e nevojshme ta detyroni të flejë. Nëse fëmija shfaqet i irrituar gjatë ditës dhe gjatë natës duhet të:
- Krijoni një rutinë dremitjesh. Rituali duhet të jetë çdo ditë i njëjtë dhe nëse lind nevoja duhet të krijoni errësirë në dhomë.
- E qetësoni fëmijën. Këtë mund ta bëni duke i qëndruar pranë dhe përkëdhelur nga pak ose duke vendosur muzikë.
- Edhe nëse zgjohet shpejt e vendosni sërish në gjumë. Këtë mund ta bëni duke përdorur të njëjtën metodë që e qetësuat në momentin që e vendosët në gjumë. Kjo duhet praktikuar gjithmonë nëse jeni të bindura se nuk ka fjetur mjaftueshëm.
Reduktoni dremitjet
Zakonisht nga muaji i 10-12 fëmijës duhet t’i largohet një dremitje, zakonisht është ajo e mëngjesit që nuk praktikohet. Gjithsesi kjo është diçka që kryhet sipas nevojës së fëmijës, në mënyrë që dremitjet të mos ndikojnë negativisht në gjumin e natës.
Sipas disa nënave…
- Fëmija duhet të vendoset në shtrat dhe më pas të lihet të vetëqetësohet edhe në rastin e dremitjes, ai do të qajë pak dhe më pas do të qetësohet. Mendoj se nëna duhet të ndërhyjë në momentin që atij i bie çuç
- Unë djalit tim i përdorja gjithmonë një batanije blu për ta mbuluar dhe ai pas disa javësh sapo e shikonte e kuptonte që ishte momenti i gjumit pavarësisht nëse ishte ditë, natë, në krevat apo në makinë.Mendoj se çdo fëmijë duhet ta ketë një objekt që t’ja bëjë të qartë këtë moment.
- E kam kuptuar që fëmija im kur lodhej e kishte shumë më të vështirë të binte në gjumë, për këtë arsye sapo ai shfaqte “sinjalet” e para të lodhjes unë e çoja atë në shtrat për të dremitur.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu