Dita e Verës është një festë tradicionale shqiptare, e cila festohet në mbarë vendin, por a e dini zanafillën e saj? Dita e Verës është një festë pagane, shumë më e hershme se krishterimi dhe e ka zanafillën në zonën e Elbasanit, në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Shpati në Ditën e Verës
Në zonën tradicionale malore të Shpatit, rreth 22 kilometra larg Elbasanit, festa niste me një ekskursion shpateve te Bokanikut, ku të rinjtë një ditë më parë përgatisnin shilarthe e sheshe për lodra të ndryshme, ku merrnin pjesë me kënaqësi jo vetëm mosha e re, por edhe burra e gra të moshuar. Kjo ditë e 14 marsit, që ndryshe quhej dita e luleve, gjithnjë shoqërohej me bisqe të gjelbëruar drurësh apo lule të hershme. Dreka e bollshme me mish gjahu shtrohej kolektivisht, pas së cilës, u mbetej fëmijëve për ta mbyllur festën me trokitje nëpër dyer të fshatit, ku qeraseshin me vezë, fiq të thatë, fruta të ruajtura për këtë ditë. Vitet kaluan dhe kjo festë pak nga pak i humbi disa nga veçoritë e saj.
Në Shënavlash, festohet me natyrën pranë
Në fshatin Shënavlash edhe sot festa nuk ka humbur asgjë nga tradita. Këtu përgatitjet për këtë festë fillojnë që dy ditë përpara nga fëmijët që merren me këtë parapërgatitje. Mëngjesi i Ditës së Verës i gjen tërë fëmijët e fshatit grupe-grupe me hithra në duar, duke trokitur derë më derë. Askush nuk kthehet duarbosh. Pjesa ruhet edhe për ndonjë fëmijë që ka munguar. Dhe pasi mbaron riti i fëmijëve, të rinjtë dhe të moshuarit dalin nga shtëpitë dhe urojnë njëri- tjetrin “Gëzuar Ditën e Verës! Qoftë një verë e mbarë!”Gratë në këtë ditë as qepin, as bëjnë punë dore me shtiza sepse, siç besohet, janë të mbrojtura nga gjarpri. Dhe 12 ditë pas festës së luleve, fshati feston ditën e Baba Nevruzit, kur nuk pritet asnjë lloj druri, sepse besohet se atë ditë tërë pylli falet.
Sot kjo festë kremtohet në të gjtihë vendin, me elementë të vjetër e të rinj, ku më të spikaturat mbeten ballokumet por edhe pispilia tradicionale, e cila ndahet në aq pjesë sa numri i anëtarëve të familjes dhe në një prej tyre vendoset një monedhë. Personit që i bie monedha mendohet të jetë me fat për gjithë vitin.
')}
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu