Të gjithë i dimë përfitimet e qumështit të gjirit dhe ky proçes shpesh pengohet pikërisht nga futja e qumështit të formulës tek fëmija. Në disa raste nëna këshillohet të ushqejë me qumësht formule beben e saj edhe atëherë kur nuk është aspak e nevojshme. Sipas specialistes së ushqyerjes në shtatëzani dhe në gjidhënie Marina Gordon, në më të shumtën e rasteve nëna detyrohet në mënyrë të pavullnetshme të heqë dorë nga ushqyerja me gji.
Ushqyerja me gji dhe qumështi i formulës
Prodhimi i qumështit fillon menjëherë pas lindjes, gjë e cila favorizohet edhe nga niveli hormonal, prodhim i cili rritet me thithjen e fëmijës. Duke i dhënë fëmijës edhe qumësht me biberon, ju do të ulni efektivitetin e ushqyerjes me gji, kjo pasi biberoni thithet më me lehtësi, pa harruar të përmendim se qumështi i formulës ka një shije më të pëlqyeshme për beben.
Absolutisht mos e ushqeni fëmijën me qumësht formule kur nuk është e nevojshme!
Shpesh nënat këshillojnë që fëmija të ushqehet me formulë gjatë tremujorit të parë të jetës edhe pse mund të kenë mjaftueshëm qumësht gjiri. Së pari duhet t’ju themi se nuk është e nevojshme që fëmija të ketë shëndet të madh, pra peshë shumë të madhe. Disa fëmijë marrin edhe 400 gr në javë, ndërkohë që të tjerë marrin shumë më pak se kaq. Në momentin që rritja është konstante dhe e rregullt si edhe fëmija gëzon shëndet të mirë, nevojat për qumësht formule nuk ekzistojnë, kjo pasi qumështi i nënës është i mjaftueshëm.
Si të evitojmë dhënien e qumështit të formulës?
Nëse mendoni se nuk keni mjaftueshëm qumësht gjiri kujdesuni që:
Të pini sa më shumë ujë, të paktën 10 gota në ditë.
Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, duke i kushtuar më shumë rëndësi frutave dhe perimeve, duke evituar ushqimet e konservuara.
E vendosni fëmijën sa më shumë në gji dhe e mbani sa më gjatë. Gjatë pirjes së gjirit qëndroni e qetë dhe prisni që fëmija të mbarojë vetë.
Në cilat raste këshillohet përdorimi i formulës?
Nëse qumështi i gjirit nuk vjen pas 5-6 ditësh pediatri mund të këshillojë ushqyerjen me qumësht kutie, nëse fëmija ka rënie të theksuar në peshë e cila shoqërohet me rënie të nivelit të sheqerit në gjak, ethe, irritim etj.
Lexoni edhe: Si te dallojme nese femija eshte alergjik ndaj qumeshtit te formules
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu